Falenderimi prekës i Ilir Shaqirit pas vdekjes së nënës: Krahët e njeriut janë miqtë, ata që s’të lënë që të biesh

17 qershor 2020 | 15:58

Ilir Shaqiri, me anë të një postimi në rrjete sociale, falënderon të gjithë ata që kanë shprehur ngushëllime gjatë kësaj periudhe të vështirë për të, shkruan lajmi.net.

Ai tha se dhimbja për ta është e madhe, por shton se nëna e tij la shtëpinë plot dhe dëshirat iu kishin plotësuar.

Me dhimbje në shpirt, Ilir thotë se do ta kujtojë dashurinë dhe udhëzimet e saj si dhe porosinë e përhershme që e kishte.

KY ËSHTË POSTIMI I PLOTË I ILIRIT:

Të dashur miq!

Në këto ditë dhembjeje për mua dhe familjen time, shpreh mirënjohjet dhe falënderimet tona për ju, që patët mirësinë të merrni pak nga pak nga dhembja jonë!

Dhembja për ne është e madhe, por edhe ngushëllimi juaj për ne është i madh. Them kështu sepse nënat tona, të frymëzuara nga urtësia popullore, na e kanë përsëritur sa e sa herë se: Krahët e njeriut janë miqtë, ata që të bëjnë të ngrihesh, ata që s’të lënë që të biesh.

Nëna ime u lind 4 tetor, 1939, në Vitak të Drenicës, mbesë e Ahmetajve të Radishevës, u martua në Burojë dhe krijoi një familje të madhe.

U nda nga jeta me 13 qershor, 2020, duke lënë pas shtëpinë plot, me dëshirat e saj të plotësuara.

Ne pasardhësit e saj, për sa kohë të jemi në këtë botë, do ta kujtojmë dashurinë e saj, udhëzimet e saj, porosinë e përhershme të saj, se: Njerëzit, nivelet e tyre i renditë edukimi, shkolla dhe puna e tyre në shërbim të së mirës, në shërbim të së vërtetës.

Ky është ngushëllim i madh për ne: bijtë e saj, bijën e saj, rejat e saj, nipërit e stërnipërit e saj, mbesat e stërmbesat e saj.

Në emër të 33 trashëgimtarëve të saj, mirënjohje pafund juve miq të familjes sonë, Shaqiri!.

https://www.facebook.com/ilirshaqiri.al/posts/1385000818368058

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Denion Ndrenika Ka diçka madhore që nuk shkon në dialogun…