Falet Kurban Bajrami, bëhet thirrje për unitet
Sot myslimanët në tërë botën po festojnë Kurban Bajramin.
Manifestimi qendror kushtuar festës së Kurban Bajramit për Kosovë është mbajtur në Xhaminë e Madhe në Prishtinë.
Mesazhin e kësaj feste, apo siç njihet në gjuhen fetare si hytbe, e mbajti zëvendëskryetari i kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, Reshat ef. Mexhidi, që u ndalë në rëndësinë dhe porosinë që përcjell kjo festë dhe në respektimin e të drejtave të femrës.
Mexhidi ka thënë se porosia e Kurban Bajramit qëndron fuqishëm mbi parimet e bujarisë dhe sakrificës.
Sipas tij, Zoti nuk e do besimtarin pasur që është koprrac, duke ftuar që pasuria të shpërndahet me ata që kanë nevojë.
Ai ka ftuar njerëzit që të jenë më solidarë e humanë, të tolerojnë dhe të luftojnë urrejtjet dhe xhelozitë.
Zëvendëskryetari i kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, Reshat ef. Mexhidi, më pas japi mesazhin për respektimin e të drejtave të femrës, pasi sipas tij, në Kosovë po vazhdojnë të shkelen.
Ai u shpreh se femra është shtylla dhe gjysma e shoqërisë, por që i dha jetë edhe gjysmës tjetër të shoqërisë njerëzore e për shkak të kësaj, Mexhidi ka thënë se meriton respekt dhe nder më të madh.
Sipas tij, Zoti i dhuroi asaj të drejtën për jetë të dinjitetshme, të lirë dhe jo të nëpërkëmbët nga burri apo shoqëria.
Mexhidi gjithashtu uroi që kjo festë të shërbejë si motivim shtesë për të jetësuar edhe një të drejtë të rëndësishme të femrës e që është trashëgimia e pasurisë.
Duke uruar festën e Kurban Bajramit, Mexhidi ka ftuar edhe për më shumë unitet mes njerëzve në luftimin e dukurive negative.
Ai ka deklaruar se kemi përgjegjësinë të ngritim një shoqëri ku gjynahu, diskriminimi, zilia e urrejtja nuk do të lejohen të triumfojnë ndaj së mirës, bashkëjetesës dhe respektit të ndërsjellë.