Falimenton “Adria Airways”, bën kërkesë zyrtare në gjykatën sllovene, operonte edhe në Shqipëri

01 tetor 2019 | 16:04

Kompania sllovene, “Adria Airways”, shpalli zyrtarisht falimentin, duke bërë kështu kërkesën formale në gjykatë. Prej thuajse 1 jave, kompania ajrore kishte pezulluar fluturimet e saj, si pasojë e problemeve të rënda financiare, të cilat zvarriten prej më shumë se 1 viti. Lajmin për kërkesën e falimentit e ka bërë të ditur vetë kompania sllovene nëpërmjet faqes së saj zyrtare.

Kërkesa për faliment pritet të miratohet nga gjykata e distriktit të Kranj në Slloveni. “Adria Airways” ishte kompania ajrore simbol e Sllovenisë, dhe operonte në treg prej 55 vitesh. Kompania kontrollohet nga një firmë investimi gjermane. Linja ajrore sllovene është ndër të parat linja që ka operuar nga dhe drejt aeroportit të vetëm të Shqipërisë, duke qenë e pranishme në treg që në vitet `90, shkruan “scantv”.

Deri tani në fund, kompania ka operuar me 18 avionë. Këto avionë por edhe të gjitha asetet e tjera të kompanisë do të shkojnë për të likuiduar kreditorët e shumtë të kompanisë. Gjykata sllovene ka kohë 3 ditë për të nisur procedurat e falimentit, ndërkohë që kompania njofton se si rrjedhojë e kësaj situate, ka pezulluar të gjitha fluturimet e saj.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ndeshja kryesore sonte në kuadër të Ligës së Kampionëve zhvillohet…