Falja e pagesës së tatimit në pronë është e paligjshme, konfirmohet edhe nga opinioni ligjor i Ministrisë së Financave
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka bërë me dije se ka pranuar përgjigje ndaj kërkesës se tij për opinionin ligjor nga Departamenti ligjor i Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve.
Ai ka thënë se në bazë të këtij interpretimi, falja e pagesës së tatimit në pronë është e paligjshme.
Postimi i plotë i Lladrovcit në “Instagram”:
Qytetarë të nderuar,
Sot, pranova përgjigje ndaj kërkesës time Opinionin Ligjor nga Departamenti ligjor i Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve.
Në Opinionin ligjor thuhet se “Pas shqyrtimit të kujdesshëm të dispozitave të Ligjit Nr. 06/L-005 për Tatimin në pronën e Paluajtshme (në tekstin e mëtejmë: LTPP), ju informojmë se legjislacioni aktual nuk autorizon komunën për falje të pagesës së tatimit në pronë.
Ne kemi qenë të bindur, këtë tashmë e konfirmon edhe Opinioni ligjor se ne, përkundër vullnetit dhe gatishmërisë për të falur pagesën e tatimit në pronë me vlerë 100 euro për qytetarët e komunës tonë, ashtu siç ka propozuar Ministri, do të ishte veprim i paligjshëm.
Ashtu, siç e thotë edhe Opinioni ligjor i MFPT dhe sipas ligjit të cituar më lartë “pagesa në pronë është e detyrueshme”.
Opinioni ligjor thotë se “ju sigurojmë se Ministria e Financave e Punës dhe Transfereve mbetet e përkushtuar për të gjetur një zgjidhje të drejtë dhe të barabartë për të gjitha palët e përfshira”, gjë e cila është e mirëpritur nga ana jonë, sepse, qytetarët e ngarkuar me norma të reja, kanë barrë të rëndë në situatën të cilën po e kalojmë.
Falënderoj stafit e MFPT për përgjigjen e shpejtë dhe profesionale e cila është ndihmesë e pakontestueshme për veprimet e mëtejme lidhur me këtë çështje të ndjeshme për neve si komunë dhe qytetarët tanë.
Premtimet populliste mund të duken interesante e të ëmbla për opinionin, por duhet të jenë të harmonizuara me ligjin, për të mos dalë edhe të paligjshme.
Me nderime,
https://www.instagram.com/p/CoM-MrZNWz7/?igshid=YmMyMTA2M2Y=