Falsifikim i parasë, policia njofton për pesë raste të reja
Policia e Kosovës ka raportuar për pesë raste të falsifikimit të parasë, vetëm brenda disa ditësh.
Të gjitha paratë janë konfiskuar dhe Policia ka iniciuar dy raste në Prizren, një në Pejë, një rast në Gjakovë dhe një në Ferizaj.
Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës, të enjten në Prizren një femër ka raportuar se nga një person i dyshuar janë pranuar një shumë parash, në mesin e të cilave ka rezultuar një kartëmonedhë në vlerë prej 100 euro që dyshohet të jetë e falsifikuar.
Ndërsa rasti tjetër në Prizren tregon për para të falsifikuara në vlerë prej 200 euro.
“Ankuesi mashkull kosovar ka njoftuar se nga një person i panjohur ka pranuar një kartëmonedhë në vlerë 200 euro që dyshohet se është e falsifikuar. Kartëmonedha e dyshuar është sekuestruar”, thuhet në raportin e Policisë.
Sa i përket rastit në Pejë, i njëjti ka ndodhur më 2 maj por është raportuar pas një jave.
Kartëmonedhat e dyshuara janë sekuestruar dhe rasti është duke u hetuar.
Policia ka njoftuar edhe për 100 euro të tjera që dyshohet të jenë të falsifikuara, 50 prej tyre në Gjakovë dhe 50 në Ferizaj. Pas konfiskimit të parave, të dy rastet janë duke u hetuar.
“Gjakovë 11.05.2023-09:50. Ankuesja femër kosovare ka njoftuar se nga një person është pranuar një shumë parash në mesin e të cilave një kartëmonedhe në vlerë 50 euro dyshohet të jetë e falsifikuar. Kartëmonedha e dyshuar është sekuestruar. Rasti është duke u hetuar”, thuhet në raportin e Policisë së Kosovës.