Falsifikimi dhe intriga
Në pasqyrën e gjerë të shtypit të huaj është edhe një lajm mbi shqiptarët që i jep shkas Konicës të reagojë me një koment dhe me një varg të dhënash mbi popujt e Ballkanit në përgjithësi e mbi shqiptarët në veçanti. Në lajmin që botohet në të përkohshmen e Bukureshtit, La Gazeta Makedonici, me datë 13 qershor 1897, shkruan: “Një dijetar serb ka botuar kohë më parë në gazetë zyrtare të Beogradit artikullin me titull: ‘Kombi serb në Turqi’. Ky dijetar ‘kujton se të gjithë sllavët në Gadishullin Ballkanik – me përjashtim të disa lokaliteteve të Bullgarisë, ku banojnë bullgarët e vërtetë – janë serbë. Sipas tij, popullata e Mbretërisë së Serbisë është e përbërë vetëm prej serbëve, me të nja 4000 rumunëve, të gjithë pothuajse të serbizuar me anë të shkollave, kishave dhe ushtrisë. Në Mal të Zi ka 250 000 serbë dhe 800 shqiptarë të serbizuar të cilët do të bëhen sërbë pas njëqind vjetësh. Numri i shqiptarëve nuk është më i madh se 850 000, që nuk përkon me statistikën e njohur në përgjithësi, që e paraqet numrin e tyre 1 750 000 banorë. Fundi i fundit ‘arnautët’ janë të përzier me grekët, vllehët dhe sllavët. Shkurt: shqiptarët nuk shkojnë mirë me njëri-tjetrin dhe nuk kanë kërkesa për të jetuar në një shtet të Pavarur”. Reagimi i Konicës në këtë raport është sa lakonik aq dhe origjinal e ironik: “Është për të ardhur keq që kolegu ynë i zellshëm i La gazeta Macedonici, – vëren Konica, – nuk e ka parë të udhës që ta përmendë gazetën serbe duke i bërë nder me këtë”. Më tej Konica vijon: “Ne do t’ia kërkonim adresën e atij ‘dijetari’ serb për t’i dërguar si shpërblim për kërkimet e tij të ndërgjegjshme dhe të thella një dhuratë të vogël: disa kilogramë elb”. Pas kësaj ironie të rrallë ndaj një falsifikatori që e shpërdor të vërtetën, faktin dhe shkencën, Konica jep disa të dhëna për numrin e popullsisë shqiptare kah fundi i qindvjetëshit të shkuar, duke vënë në dukje se 800 000 është vetëm numri i luftëtarëve shqiptarë që mund të luftojnë, ndërsa numri i përgjithshëm i tyre është tre milionë e gjysmë dhe, sipas tij, shqiptarët nuk jetojnë vetëm në Perandorinë Osmane, po edhe në Mbretërinë e Serbisë, Mbretërinë e Greqisë, në Bosnjë, në Mal të Zi, në Itali. Është interesant të përmendet se Konica, “shqiptarë” të vërtetë i pandeh ata “të cilët, me t’i pyetur ‘ç’je?’, të përgjigjen troç: “Jam shqiptar”.
Për vllehët beson se janë mbi 700 mijë. Lidhur me falsifikimet, gënjeshtrat dhe pretendimet serbe, ai ka këtë reagim: “Tani e shohim të udhës t’u japim një këshillë sërbëve. Ata e dinë që ka pesë shekuj që shqiptarët kanë bërë një aleancë me turqit vetëm e vetëm që të munden ta dërrmojmë sojsorollopin e sërbëve. Këngët popullore serbe e kanë glorifikuar disfatën në Betejën e Kosovës. Shqiptarët janë të gatshëm për të. Ka mjaft flakadanë dhe barot në Shqipëri që të ndizet një flakë e të përhapet deri në Beograd… Serbët e kanë më mirë që t’i lënë gënjeshtrat dhe intrigat e poshtra dhe të jetojnë me ne si fqinjë të mirë”.
Marrë nga libri Me Konicën në Evropë, i autorit Abdullah Karjagdiu, ribotim nga shtëpia botuese “Koliqi”, Prishtinë, 2022.