Falsifikimi i realitetit dhe të vërtetës

04 gusht 2021 | 13:29

LIRAK KARJAGDIU

(Rreth romanit “1984” të Xhorxh Oruellit)

Xhorxh Oruelli lindi në Indi në vitin 1903. Emri i vërtetë i Xhorxh Oruellit është Erik Artur Bleir. Pa dyshim ai është një ndër shkrimtarët më namëmëdhenj të letërsisë moderne angleze. Studimet i bëri në Kolegjin Eton në vitin 1917, ku filloi të shkruante për disa revista të kolegjit. Nga viti 1922 deri në vitin 1927 Oruelli shërbeu në Policinë imperiale indiane. Shkrimtar u bë në vitin 1935. Në vitin 1936 ai luftoi dhe u plagos në luftën e Spanjës, duke luftuar në anën e republikanëve. Përpos në këtë luftë, mori pjesë edhe në Luftën e Dytë Botërore si pjesëtar i Gardës për Siguri të Britanisë. Gjatëviteve 1941-1943 punoi për Shërbimin e Lindjes së BBC-së. Një kohë punoi redaktor i rubrikës së letërsisë në gazetën Tribune dhe bashkëpunëtor i jashtëm për dy gazeta të tjera të mirënjohura të asaj kohe, Observer dhe Manchester Evening News. Dy romanet më të njohura që i sollën popullaritet janë Ferma e kafshëve, të cilën e botoi në vitin 1945 dhe 1984, që doli në dritë në vitin 1949 dhe është, pa dyshim, kryevepra e tij dhe një ndër kryeveprat e letërsisë moderne angleze. Vdiq në Londër në vitin 1950. Në vitin 1949 botoi romanin 1984, me të cilin fitoi famë të përbotshme, duke u bërë një ndër shkrim­tarët më të spikatur të letërsisë botërore. Është interesant se gati në të gjitha veprat e tij frymëzimi dhe inspirimi kryesor i tij janë pikëpamjet dhe qëllimet e tij politike. Aithoshte se letërsia s’mund të shkëputet nga politika. Sipas tij, shkrimtari që shkëputet nga politika s’është shkrimtar. Ai në esenë me titull Përse shkruaj, të botuar në vitin 1947, kishte paralajmëruar se do të shkruante edhe një libër të ri dhe të fundit. Ky libër i ri dhe i fundit ishte romani 1984. Po në këtë ese ai kishte shkuar: Gjatë dhjetë vjetëve të fundit më së shumti kam lakmuar ta shndërroj shkrimin politik në art, duke paralajmëruar kësisoj romanin politik 1984, që u botua një vit para shuarjes së tij.

Paralajmërimi i totalitarizmit

1984 është roman politik dhe është shkruar me qëllim të paralajmërimit të shoqërisë perëndimore nga rreziqet e totali­tarizmit. Oruelli ishte dëshmitar i drejtpërdrejtë i tmerreve dhe katrahurave që shkaktonin regjimet totalitare në Spanjë dhe Rusi, me qëllim që ta mbanin dhe forconin pushtetin e tyre. Ndaj ai shkroi veprën 1984 për t’i alarmuar vendet perëndimore nga rreziku i totalitarizmit, ndonëse ende nuk ishte i sigurt se si t’i qasej komunizmit, për faktin se në vitin 1949, kur e shkroi këtë vepër, Lufta e Ftohtë ende nuk kishte marrë përmasa të mëdha. Përveç kësaj, një numër jo i vogël i intelektualëve amerikanë e mbështeste komunizmin. Së kën­dejmi, marrëdhëniet diplomatike midis shteteve demokratike dhe komuniste ishin mjaft të paqarta dhe konfuze. Për më tepër, atëbotë në shtypin amerikan Bashkimi Sovjetik shpeshherë përshkruhej si eksperiment i madh moral. Megjithatë, Oruelli ishte tejet i shqetësuar nga përhapja e persekutimeve dhe shtypjes në vendet komuniste, madje ai ishte çmeritur dhe lemerisur nga keqpërdorimi i teknikës dhe teknologjisë të vendeve komuniste për t’i kontrolluar, etiketuar, shpifur, denigruar, sunduar dhe shtypur qytetarët e tyre. Vlen të vihet në dukje se ky autor nuk është i vetmi shkrimtar që ka bërë përçapje për ta parashikuar ardhmërinë. Vepra të ngjashme kanë shkruar edhe shkrimtarë të tjerë anglezë si, fjala vjen, Alldos Haklli, Herbert Xhorxh Uellsi etj.

Ngjarjet e romanit ndodhin në vitin 1984 në Londër, pjesë e Oqeanisë, një superfuqi e kontrolluar me dorë të fortë nga partia që udhëhiqet nga “Vëllai i Madh”. Figura e Vëllait të Madh është më e frikshmja. Ai ndodhet në majë të piramidës. Ai është i pagabueshëm dhe i plotfuqishëm. Vëllanë e Madh nuk mund ta shohë askush. Ai është fytyra e afisheve, zëri i teleekraneve. Vëllai i Madh është figura me të cilën partia përfaqësohet përpara botës. Figura e tij ndjell frikë, dashurin dhe respekt. Ka pak figura në letërsi që përshkruhen aq të plotfuqishme, madje as Mbinjeriu i Niçes nuk është i tillë. Shteti në veprën 1984 paraqitet si shtet që nuk ka ligje, por ka vetëm një synim: bindje dhe nënshtrim të verbër dhe të plotë ndaj partisë. Shoqëria e Oqeanisë është e ndarë sipas shtresave shoqërore në: besnikë të partisë, servilë apo anëtarë të thjeshtë të partisë dhe masës që përbëhet nga proletarët. Protagonisti Uinston Smith është një anëtar i thjeshtë i partisë i cili punon në Ministrinë e së Vërtetës (që në të vërtetë është Ministria e Gënjeshtrave dhe e Propagandës), si falsifikues i zakonshëm i arkivave. Ndonëse zyrtarisht shtiret se e respekton pushtetin, ai në të vërtetë fshehurazi punon kundër partisë. Ndërkohë, Uinston Smithi njoftohet me një vajzë të quajtur Xhulia, e cila ishte një zyrtare e nivelit më të ulët dhe e cila, po ashtu, ishte e interesuar të luftonte kundër partisë. Ata dashurohen dhe kalojnë çaste të lumtura në vendet ku nuk mund të diktoheshin nga syri i Vëllait të Madh. Ata kërkojnë nga O’Brajëni, një anëtar i lartë i besnikëve të partisë, që t’i vejë në kontakt me organizatën e quajtur Vëllazëria. Kjo forcë opozitare luftonte kundër partisë. Thuhej se udhëhiqej nga armiku kryesor i partisë, Emanuel Golldshtajni. Mirëpo, e gjitha del një mashtrim i madh, që kishte pasur për qëllim futjen në kurth të Uinston Smithit dhe Xhuliës. Si rrjedhojë, ata arrestohen, ndahen dhe torturohen brutalisht. Në fund, Uinstoni kupton se nuk ka mësuar ta dojë dhe respektojë Vëllanë e Madh.

Shpërdorimi i teknologjisë për mbajtjen dhe ruajtjen e pushtetit

Nëromanin 1984 përshkruhet në mënyrë brilante funksionimi i një shoqërie totalitare, ku qeveria ka pushtet absolut. Titulli i librit 1984 kishte për qëllim që t’i alarmonte shoqëritë perëndi­more se ekzistonte rreziku që brenda tridhjetë e pesë vjetëve, një variant i ngjashëm i pushtetit me atë të përshkruar në këtë vepër, mund të dalë në shesh dhe të instalohet, nëse diktatura s’do të kundërshtohej dhe luftohej me kohë, energjikisht, efektivisht dhe si duhej. Në të vërtetë në këtë vepër Oruelli përshkruan në mënyrë origjinale, por edhe të trishtë shtetin që mbikëqyr, përgjon dhe përndjek çdo aspekt të jetës njerëzore, në atë masë saqë edhe një mendim i lirë ndaj pushtetit konsiderohej si shkelje e rëndë e ligjit. Protagonisti i romanit Uinston Smithi përçapet ta sfidojë pushtetin, por në këtë aventurë të rrezikshme ai zhgënjehet dhe, në fund, dështon dhe pëson. Mirëpo, është interesant se përmes veprimeve, ecejakeve, aventurave dhe torturave të Uinstonit, që nga partia shpallet armik i popullit dhe tradhtar, lexuesit zbulojnë dhe kuptojnë metodat, teknikat dhe teknologjitë nga më të ndryshmet që pushteti i përdorë për t’i vënë nën zap dhe për t’i kontrolluar qytetarët e tij. Manipulimi psikologjik apo goditja psikologjike është një nga metodat që partia përdor për ta reduktuar dhe zhdukur aftësinë e qytetarëve për të menduar në mënyrë të pavarur. Këtë e arrin përmes një teleekrani të madh, që është i vendosur në dhomën e çdo qytetari dhe ku në mënyrë të pandërprerë zhvillohet propaganda me qëllim që çdo lëshim, gabim dhe dështim i partisë të paraqitej si arritje, rezultat, sukses dhe fitore. Njëherësh, ekranet e mëdhenj vëzhgojnë dhe përgjojnë edhe sjelljet e qytetarëve dhe i frikësojnë qytetarët, ngado që të shkojnë dhe lëvizin, përmes një fjalie që shfaqet vazhdimisht në ekran e që thotë “Vëllai i Madh po ju shikon”. Madje partia shkon aq larg saqë i përdor edhe fëmijët për të spiunuar dhe për t’i denoncuar prindërit e tyre. Në të vërtetë, partia kishte themeluar një organizatë që quhej Spiunët e rinj (Zhbiruesit e rinj) dhe të cilëve ua kishte shpërlarë trurin dhe i kishte nxitur dhe detyruar të spiunojnë kundër prindërve të tyre sa herë që ata të vërenin apo diktonin ndonjë shenjë pabesnikërie ndaj partisë te prindërit apo familjet e tyre.

Përpos kësaj, partia ishte përkujdesur që t’i “disiplinojë” edhe marrëdhëniet seksuale, duke e shkurtuar dhe shndërruar seksin në një obligim, detyrë dhe mënyrë për të krijuar anëtarë të rinj të partisë. Në këtë mënyrë, partia ishte përkujdesur që t’i kanalizojë dhe transformojë shfrimet, emocionet dhe frustracionet e qytetarëve në urrejtje ndaj armiqve të partisë. Këtë e kishte arritur duke trilluar dhe sajuar armiq dhe tradhtarë të saj. Kontrolli fizik është një metodë tjetër që përdor partia për t’i mbikëqyrur qytetarët. Kështu ajo përherë i vëzhgonte lëvizjet e qytetarëve për të parë se mos ka ndonjë shenjë të pabesisë apo tradhtisë. Këto vëzhgime ishin aq rigoroze saqë vetëm një nervozë më e vockël e shfaqur në fytyrën e një qytetari mund të përfundonte me arrestimin e tij. Së këndejmi, shpeshherë sistemi nervor i qytetarit mund të bëhej armiku më i madh i tij. Pos këtyre, partia i detyronte anëtarët e saj që të bënin gjimnastikë dhe të punonin deri në orët e vona nëpër agjencitë qeveritare, duke i mbajtur qytetarët gjithnjë të rraskapitur e të molisur. Kushdo që përpiqej ta kundërshtonte partinë dënohej me “riedukim” përmes torturës sistematike dhe brutale. Kështu ndodh edhe me protagonistin e këtij romani politik, Uinstonin. Pas ushtrimit sistematik të dhunës ndaj tij, ai kandiset dhe bindet se nuk ka asgjë më të fuqishme se dhembja fizike. Kësisoj, duke i shtrënguar qytetarët e saj që ta pranojnë dhe t’i nënshtrohen autoritetit të saj përmes dhunës së shfrenuar, partia ishte në gjendje ta kontrollonte, ta shtrembëronte dhe falsifikonte realitetin. Kjo bindje e dhunshme shkonte aq larg saqë partia përmes dhunës i shtrëngonte dhe detyronte qytetarët që të binden se 2 + 2 = 5 (dy plus dy bëjnë pesë). Partia përcillte dhe kontrollonte çdo burim të informatave përmes monitorimit dhe rishkrimit (apo falsifikimit) të për­mbajtjeve të të gjitha gazetave dhe historisë për qëllime të saj. Po kështu, partia nuk lejonte që qytetarët të mbanin shënime, të dhëna, fotografi apo dokumente nga e kaluara. Kujtesa bëhej e paqartë, e vagullt, e dyshimtë dhe e pasigurt dhe këso­dore qytetarët ishin të gatshëm të besonin çfarëdo që u shër­bente dhe u thoshte partia. Duke e kontrolluar të kaluarën ata do të ishin në gjendje ta kontrollonin edhe të ardhmen. Njëherësh, duke e kontrolluar të kaluarën, partia mund t’i përligjte të gjitha veprimet e saj në të tashmen. Përmes tele­ekraneve të mëdha dhe mikrofonave të fshehur nëpër gjithë qytetin, partia ia kishte dalë mban që të vëzhgonte pothuajse çdo lëvizje të qytetarëve. Për më tepër, partia përdorte mekanizma dhe teknologji të sofistikuar dhe komplekse për të ushtruar kontroll në vetëdijen e qytetarëve, në shkallë të gjerë, duke filluar që nga të dhënat për prodhimtarinë ekonomike, burimet e informacionit e duke shkuar gjer te teknologjia apo makineria për torturimin e atyre që partia i konsideronte si armiq të saj.

Kjo vepër është një rrëfim paralajmërues për rreziqet politike nga regjimet diktatoriale, e shkruar nga një mjeshtër i rrallë i prozës. Derisa proza e fillimit të shekullit XX orvatej t’ua sqaronte lexuesve se çfarë mund të bëjë politika e drejtë dhe demokratike si dhe shkenca dhe teknologjia për përparimin dhe emancipimin e shoqërisë njerëzore, ky autor rropatet t’i paralajmërojë lexuesit se çfarë pasojash të rrezikshme mund të ketë keqpërdorimi dhe abuzimi i pushtetit politik dhe i arritjeve teknike dhe teknologjike për njerëzimin.

Spekulimi me gjuhën për qëllime politike

Një nga mesazhet më të rëndësishme të romanit 1984 është se gjuha është një nga mjetet apo elementet kruciale për formimin e opinionit publik. Prandaj, partia ishte e mendimit se nëse gjuha kontrollohet nga një agjenci politike, atëherë struktura e saj do të mund të ndryshohej dhe modifikohej në aso përmasa saqë do ta bënte të pamundur formulimin dhe artikulimin e ndonjë ideje apo mendimi tjetër kundër partisë. Sipas pushtetit totalitar të përfaqësuar nga Vëllai i Madh, kjo mund të arrihej përmes krijimit të një gjuhe të re që do ta zëvendësonte gjuhën angleze. Në të vërtetë, gjuha e re ishte gjuha zyrtare e Oqeanisë dhe ishte krijuar me qëllim të përmbushjes së nevojave ideologjike të AngloSoc (Ingsoc), apo anglishtes së socializmit. Në vitin 1984 nuk kishte ende të tillë që mund ta përdornin gjuhën e re, ndonëse artikujt kryesorë në gazetën The Times (Dhe Tajms) shkruheshin vetëm nga specialistët e kësaj gjuhe. Mirëpo, shpresohej se gjuha e re do ta zëvendësonte në tërësi gjuhën e vjetër (apo anglishten standarde) deri në vitin 2050. Ndërkohë, anëtarët e partisë gradualisht kishin filluar ta përdornin dhe ta mësonin gjuhën e re, duke përdorur më dendur fjalë, terma, neologjizma dhe konstrukte gramatikore të kësaj gjuhe. Sipas tyre, deri në vitin 2050, mbase edhe më herët, pothuajse e gjithë gjuha e vjetër do të zhdukej. Si rrjedhojë, edhe e gjithë letërsia e krijuar në këtë gjuhë do të zhdukej. Veprat e shkrimtarëve famëmëdhenj si Çoseri, Shekspiri, Miltoni, Bajroni etj. do të ekzistonin vetëm në versionin e gjuhës së re. Me këtë rast, veprat e këtyre shkrimtarëve jo vetëm që do të pësonin ndry­shime, por do të shndërroheshin në diçka krejtësisht të kundërt me atë që kanë qenë. Le të na kujtohet se shumë ide të Oruellit rreth gjuhës si mjet për kontrollimin e opinionit publik janë përdorur më vonë, ndonëse në mënyrë pak të modifikuar, edhe nga shkrimtarë të tjerë për të kritikuar, fshikulluar dhe satirizuar kolonializmin.

Fare në fund, është me interes të vihet në dukje se ky roman është përkthyer në gjuhën shqipe nga shkrimtari, publicisti, profesori dhe përkthyesi letrar nga Kosova, Ramiz Kelmendi, në vitin 1980, ndërsa herën tjetër në vitin 2005 nga përkthyesi nga Shqipëria, Çelo Hoxha. Pas këtij viti është përkthyer edhe nga përkthyes të tjerë nga Kosova dhe Shqipëria dhe është botuar edhe nga botues të Shqipërisë, edhe të Kosovës. Kjo flet pak a shumë për përhapjen dhe popullaritetin e këtij autori dhe kësaj vepre te shqiptarët, që fillon qysh në shekullin e kaluar dhe vazhdon edhe sot e kësaj dite.

(Marrë nga numri i 11-të i revistës “Akademia”)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
AZIZ NESIN Na ishte se ç’na ishte. Në kohët e…