Familja Dehari kërkon përjashtimin e prokurorit Shefkiu

12 gusht 2022 | 13:31

Familja Dehari është shprehur e pakënaqur me punën e prokurorit special të Prokurorisë së Shtetit, Afrim Shefkiu.

Afrim Shefkiu i Prokurorisë Speciale të Kosovës, është prokurori i rastit të vdekjes së ish-aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari. Ai është në trajtim të lëndës tash e katër vjet.

Pas katër vjetësh prej se rasti ndodhet nën hetime, familja e Astrit Deharit ka kërkuar shkarkimin e prokurorit Shefkiu.

“Sot jemi në këtë konferencë lidhur me një kërkesë për përjashtimin e prokurorit special, z. Afrim Shefkiu”, ka thënë Tomë Gashi, përfaqësues ligjor i familjes së ish-aktivistit Dehari.

Xhemile Dehari, nëna e Astrit Deharit, ka kritikuar Prokurorinë Speciale për mënyrën se si e ka trajtuar rastin.

“Ai qe katër vjet nuk na thërret kurrë. Nuk na lajmëron kurrë për një rast që ka ndodhur në duart e tyre, të shtetit”, tha Xhemile Dehari.

Avni Dehari, babai i Astrit Deharit, ka thënë se prokurori Shefkiu nuk iu është përgjigjur asnjë kërkese të familjes dhe përfaqësuesit të saj ligjor, Tomë Gashit.

Më 12 prill të këtij viti, Prokuroria Speciale përmes një njoftimi për media kishte bërë të ditur se më 1 Prill ka pranuar raportin nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës, lidhur me rastin e Astrit Deharit.

Sipas Prokurorisë, raporti i ekspertizës së Institutit të Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës për rastin e Astrit Deharit, konstaton: “Analizat e AND-së, nga objektet që kanë qenë në kontakt me të ndjerin, Astrit Dehari, në momente të afërta me vdekjen, (brisk rroje, stilolaps i lidhur me një lidhëse këpucësh dhe një pjesë metali, nuk kanë treguar profil të AND-së për veç të atij, Astrit Dehari.”

“Analizat toksikologjike plotësuese të gjakut periferik të Astrit Deharit, kanë treguar praninë kafeines dhe mos prani të etanolit.”

“Sa i përket ekshumimit të trupit të të ndjerit nuk ka rekomandim në ekspertizë dhe e njëjta nuk është rekomanduar që të ri ekzaminohet trupi duke pasur parasysh se sa kohë ka kaluar”, thuhej në njoftim.

Prokuroria Speciale kishte njoftuar se do të vazhdojë hetimet deri në zbardhjen e plotë të rastit.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ende nuk është gjetur asnjë marrëveshje mes Sergi Busquets dhe…