Familja e kryetarit të Prishtinës adopton një qen, Kristalja e pastron
E gjetën në rrugë dhe vendosën t’i ofronin strehë në shtëpinë e tyre.
Ky është Pistachio, qeni i adoptuar nga Kristale Rama, bashkëshortja e kryetarit Perparim Rama.
Ajo thotë se marrja e qenit nga rruga ishte e rastësishme.
“Kam hasur në një grup të djemve duke luajtur me qenin dhe u kam thënë sa i mirë dhe njëri nga ta ka thënë se nuk është qeni i tyre dhe se nuk mund ta marrin në shtëpi. Atëherë kam thënë do ta marrë unë. Dhe kështu në mënyrë spontane, pa e menduar e kam marrë.
Përparimi është befasuar, sepse kur ka ardhur në shtëpi ka dëgjuar të lehurat e tij derisa unë kamë qenë në banjë duke e pastruar. Pistachio ka sjellë harmoni në shtëpinë tonë, ai i bën të gjithë të qeshin, sidomos kur themi se në shqip emri i bie të jetë “filan fisteku”. Ai e di që kjo është shtëpia e tij. Shumë njerëz më pyesin a do t’i marr 50 eurot nga komuna dhe natyrisht që jo. Ne kemi oborr dhe çdoherë kam dashur që fëmijët e mi të kenë një kafshë shtëpiake. Qentë e rrugës mund të trajnohen dhe kur marrin dashuri ata bëjnë të njëjtën gjë.
E janë pikërisht 50 eurot në muaj që kanë bërë që 60 persona të paraqiten për adoptim të qenve të rrugës.
“Prej qershorit kemi pasur kërkesa për adoptim dhe e kemi edhe listën e pritjes që qytetarët janë lajmëruar në institucionin e kryeqytetit. Kemi pasur 60 persona që janë paraqitur për adoptim të qeneve. Kemi edhe të tjerë që janë të interesuar që të hapin strehimore ku do të mund të adoptonin deri në 25 qenë, ne i kemi drejtuar te AUV. Kemi pasur 3 ose 4 kërkesa nga qytetarët që të adoptojnë deri në 200 qenë në mënyrë që të hapin edhe strehimore. Në momentin që ata e marrin licencën ne jemi të hapur të bashkëpunojmë me ta”, tha Lulzim Fushtica- Drejtor Për Siguri Dhe Emergjenca.
Në strehimoren e Florim Feratit qytetarët mund të zgjedhin qenin që duan dhe pastaj të bëjnë marrëveshjen me Komunën.
“Kemi vendosur që si qendër për trajtimin e qenve endacakë të adoptojmë 25 qenë. Ne kemi nënshkruar një kontratë me Komunën e Prishtinës. Në strehimoren tonë kemi raca të ndryshme të qenve dhe qytetarët që duan ta adoptojnë një qen duhet të vijnë së pari në qendrën tonë e shikon pastaj bënë kontratë me komunën. Deri tani qytetarët në qendrën tonë kanë adoptuar vetëm katër qen. Kostoja është shumë e ulët që Komuna e Prishtinës e ka përcaktuar për 25 qen, është shumë pak, nuk mjaftojnë. Po shpresoj që të ketë më shumë vetëdijesim për adoptim të qenve”, tha Ferati.
Projekt të dështuar adoptimin e qenve endacakë nga qytetarët e quan opozita. Sipas tyre, zgjidhja e vetme për problemin me qen është strehimorja afatgjate.
“Ky problem vetëm se është duke u rritur dhe nuk po zvogëlohet dhe është interesantë se si po bëhen disa promovime. Siç është rasti fundit me adoptimin e qenit endacak që po thuajse doli edhe qesharak. Me dy apo katër qen që i kanë marrë disa nga qytetarët e Prishtinës nuk zgjidhet problemi i mijëra qenve endacakë në Prishtinë. Kryeqyteti ka nevojë për një strehimore së pari, po flasim për një strehimore afatgjate. Komuna e Prishtinës ka buxhet që ta bëjë strehimoren dhe ne e kemi votuar në kuvend komunal për strehimoren, mirëpo nuk po e kuptoj pse po zvarritet si proces”, tha Bahri Gashi, këshilltar komunal.
Kryetari Rama ka thënë se do të ketë gjoba për ata që nuk respektojnë kontratën nga 1 mijë deri në 3 mijë euro derisa secili qen ka një çip të vendosur.
Rama ka ftuar qeverinë qendrore që të marrë shembullin e komunës.