Familja e Salih Mustafës: Calit po i shkelen të drejtat e njeriut në Hagë

11 janar 2022 | 19:28

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, njëherësh ish-ambasador, Nait Hasani, i shoqëruar nga bashkëshortja, Fatmirja dhe nga ish-i burgosuri Sadik Zeqiri, kanë vizituar familjen e Salih Mustafës – Calit.

Ata janë pritur nga bashkëshortja e Calit, Vlora dhe fëmijët e tyre, shkruan “Epoka e re”.

Qëllimi i vizitës së Nait Hasanit ishte që nga familja e Calit të informohet rreth gjendjes së Salih Mustafës në paraburgim dhe kujdesit që po tregon shteti për të gjithë të paraburgosurit në Hagë.

Salih Mustafa është në paraburgim në Hagë që nga 24 shkurti i vitit 2020 dhe se ndaj tij është duke vazhduar gjykimi i ndarë nga të paraburgosurit e tjerë.

Bashkëshortja e Mustafës, Vlora, ka folur për vizitat që ka pasur në Hagë te Cali si dhe për përkujdesjen e shtetit të Kosovës. Ajo ka treguar për trajtimin që po i bëhet Calit brenda burgut të Hagës dhe për pengesat dhe vështirësitë e kontaktit me pjesëtarët e tjerë të familjes. “As babai i Calit nuk mund të flasë me djalin e tij për shkak të proceduarave të cilat në këtë shekull do të quheshin si shkelje e të drejtave të njeriut”, ka treguar ajo. Sipas Vlorës, familja ka vërejtje rreth procedurave të vizitës dhe qëndrimit të familjes gjatë bisedës. “Nuk lejohet të ketë as privatësi gjatë bisedës për shkak të monitorimit të vazhdueshëm të tyre gjatë gjithë kohës së vizitës”, ka bërë me dije ajo, duke shtuar se për këto shkelje i ka njoftuar edhe institucionet e Kosovës. “E kam njoftuar Avokatin e Popullit dhe kryetarin e Kuvendit të Kosovës por, si duket, nuk ka qenë disponimi i tyre që të punohet në këtë drejtim”, është shprehur bashkëshortja e Calit, Vlora.

Ndërkaq ish-deputeti Nait Hasani ka premtuar se këto shqetësime të familjes, por edhe të familjarëve të tjerë, do t’i adresojë nëpër instanca të ndryshme që, sipas tij, të njoftohet opinioni i gjerë se Gjykata Speciale është politike dhe e njëanshme. “Pasi që edhe ne, unë dhe Sadik Zeqiri, ishim pjesë e burgjeve në të kaluarën dhe e dimë rëndësinë e ndihmës që mund të japin institucionet, por që në kohën tonë ka qenë e pamundur ndihma e institucioneve. Tash situata është ndryshe. Kemi institucionet tona që flasin shqip, të cilat duhet të kanë kujdes më shumë për çlirimtarët tanë. Edhe nga këtu u bëj thirrje të gjitha institucioneve që të kujdesen sa më shumë për të paraburgosurit çlirimtarë të cilët po mbahen padrejtësisht në Gjykatën e Hagës”, është shprehur Nait Hasani, ish-ambasador i Kosovës në Shqipëri.


Hasani dhe Zeqiri këto ditë kanë vizituar edhe familjet e të paraburgosurve të tjerë.

Nga bashkëbisedimi që kanë pasur, kanë kuptuar se familjet e të gjithë të paraburgosurve në Hagë kanë vështirësi edhe sa iu përket udhëtimeve dhe pajisjeve me viza për në Hagë. Për çdo vizitë që familjarët e të paraburgosurve kanë në Hagë duhet të aplikojnë në ambasadën e caktuar për t’u pajisur me vizë.

Familjeve u kërkohen një grumbull dokumentesh që të pajisen me vizë vetëm për aq ditë sa është e caktuar termini i vizitës. Po ashtu, edhe për udhëtim kanë vështirësi për arsye se organet kompetente në Kosovë u kanë ofruar si mundësi udhëtimin me aeroplan në linjën Prishtinë-Vjenë-Amsterdam, ku familjarët e të paraburgosurve duhet të ndërrojnë aeroplan në dy vende, ndërsa mundësitë janë që të shkohet drejtpërdrejt pa asnjë vonesë në linja të tjera, duke i shmangur pritjet me orë të gjata. Sa iu përket çështjeve të tjera të udhëtimit dhe ndihmesës që po u ofrohen nga Shërbimi Konsullor i Kosovës në Hagë, familjet e të paraburgosurve janë falënderuese për kujdesin që po tregon ky institucion diplomatik. /Epoka e re/.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
FC Prishtina dhe futbollisti Xhevdet Shabani e kanë ndërprerë kontratën…