FAMILJA JASHARI

17 qershor 2020 | 15:04

Bedri Islami

Lavdia u takon atyre që flijohen për vizione të mëdha (8)

Ashtu si është e pamundur ta ndash Shaban Jasharin nga djemtë e tij, po aq e, ndoshta më shumë, është e pamundur t’i ndash nipërit e mbesat nga trungu i tyre. Ata do të rriten të gjithë përmes tij dhe gjyshes së tyre, do ta marrin njëkohësisht ndjenjën e bukur të familjes, por edhe pjesë nga mendimi i saj. Themelore do të jetë që në gjenet e tyre, natyrshëm, krejt njëtrajtshëm, pa asnjë lloj sforcimi, do të rridhte i njëjti gjak dhe e njëjta ide, e cila, megjithëse ende e paformësuar krejtësisht, do të kishte të njëjtat tipare si ato të gjyshërve e katërgjyshërve të tyre.

Do të jenë brezi i gjashtë apo i shtatë i Jasharëve që jetojnë në atë truall. Kjo nuk është e rëndësishme. Ata do të bënin çmos që të ruanin të njëjtin emër të mirë, të njëjtën ndjenjë mirëpritje dhe bujarie, fjalën e duhur në çastin e duhur, mosngutjen dhe respektin; do të kishin në vete, si një amanet të lashtë, që të qëndronin së bashku, deri në mundësinë e fundit, dhe mbi të gjitha, të dinin të vendosnin rendin e gjërave. Dhe rendi i gjërave tek Jasharët fillonte gjithnjë në lidhjen e tyre me tokën e Kosovës, ngastrat e saj dhe vargmalet që i shtrihen nga njëri skaj në tjetrin, rrafshnaltat, ujërat që rrjedhin, të rënët që u flijuan, amaneti i tyre. Nipërit dhe mbesat u mësuan të dëgjojnë fjalë të ndershme dhe të urta, u rritën përmes tyre dhe, njëkohësisht, përmes shembullit që e kishin para vetes, herë tek gjyshi i tyre, pastaj tek gjyshja, tek mixha dhe tek etërit e tyre, tek nënat dhe tek moshatarët. Ishte një rreth i mbyllur, qarkuar gjithandej me ndjenjën e së mirës dhe të afërsisë për Kosovën, dhe jashtë këtij rrethi, ata nuk mund të dilnin dhe as që donin të dilnin.

Edhe sot, në pjesën veriore të shtëpisë së Jasharëve ka një vrimë të madhe me diametër më se dy metra, e cila është shkaktuar nga granatimet. Kjo ndodhi me 7 mars 1998, në ditën e tretë të luftës. Kushtrimi, djali 13 vjeçar i Adem Jasharit, kishte pak kohë që nuk i dëgjonte më krismat e pushkëve nga kullat e shtëpive, e ndoshta ka menduar se është më i fundit në këtë valë qëndrese. Është 13-vjeçar, më duhet ta ripërsëris, që kushdo të mund të ketë në parafytyrimin e tij një djalë të kësaj moshe. Çfarë bën ai? Ai merr përsëri automatikun në orë, me të ka luftuar që në çastin e parë, është dita e tretë e luftimeve, dhe përmes asaj vrime, del në pjesën tjetër, në mes të dy shtëpive. Nuk e bën në mend të ndalë luftën, qëllon prej aty deri sa i skuqet arma, aty edhe vritet. Është i fundit që bie, ka qenë i pari që e ka ndezë luftën.

Nëse për dikë tjetër, që ishte jashtë, do të dukej e habitshme, se si është e mundur të luftohet një ditë, pastaj një natë, pastaj edhe një ditë tjetër, përsëri një natë e rishtas një ditë, edhe nga fëmijët 13 apo 14-vjeçar, tek Jasharët kjo ishte krejt e natyrshme, e zakonshme, diçka që kishte lidhje me jetën, me emrin e mirë dhe me dëshirën për të bërë diçka më shumë nga sa ishte e mundur.

Në shtëpi ata dëgjojnë të flasin për gjyshërit që kurrë nuk e humbën emrin e mirë, kanë vënë si Zot mbi kokë gjyshin e tyre, e adhurojnë edhe nga fakti se nuk është përulur, edhe kur ka qenë keq për bukën e gojës, për një kokërr misër, edhe kur e kanë burgosur apo e kanë pushuar nga puna, edhe kur e kanë lëçitur apo nuk i kanë bërë vend, si armik i pushtetit serb, as në një gëzim familjar, e përsëri nuk është dhënë, sepse e ka ditur se është në rrugën e së drejtës, se është në vazhdën e ruajtjes së emrit të mirë dhe të dhënies së shembullit të duhur.

Jasharët e vjetër ishin mësues të mirë, Jasharët e rinj ishin nxënës të denjë.

Shaban Jashari besonte në pjellorinë e mendjes së tij të çeliktë; besonte se çdo gjë është e drejtë dhe e ligjshme kur është në shërbim të së vërtetës, kjo gjë e bënte atë të zotëronte veten, të kishte të drejtën për të qenë shembulli që duhej ndjekur. Ai ishte në vetëdijen e nipërve e mbesave një ndërgjegje e pastër, por e butë. Dukej hijerëndë, por ishte i dëlirët, nipërve përpiqej t’u jepte dëlirësinë.

Leçitja e pushtetit, burgosja, keqtrajtimet, rrethimet e kullave, kishin dashur që ta bënin të dilte nga populli; por ai kishte hyrë në popull. Ky ishte njëri ndër mësimet që ai u jepte nipërve e mbesave, ua jepte me fjalën e urtë, qetësisht,

Ia kishin ndaluar të jetë i lirë, por nuk ia kishin arritur, këtë ia përcillte fisit të tij. Ai urrente gënjeshtrën, dhe i thërriste me britma të mëdha së ardhmes, e parandiente, e pikaste që më parë; e parashikonte atë të frikshme, por edhe madhështore, të frikshme sepse kishin përballë një kuçedër, dhe madhështore, sepse çlirimi prej saj do të ishte i përjetshëm.

Ai e kishte kuptuar që moti se për zgjidhjen e mjerimit të vajtueshëm njerëzor, jo sall të familjes dhe fisit të tij, duhej një çlirues dhe i mëkonte nipërit e mbesat të ishin krah të këtij çliruesi.

Shaban Jashari do të ishte kurdoherë pjesë e përtëritjes së madhe njerëzore, por me logjikë, domethënë, për një shpirt të brumit të tij, në mënyrë të papërkulshme. Logjika ka zemërbutësinë, ai e donte atë në jetën e përditshme, por edhe donte që njerëzit e tij të kishin zemrën e fortë për kohën që do të vinte. Ai nuk ishte asi njeriu që kishte frikë nga ajo që do të sillte e ardhmja, ai kërkonte vetëm që njerëzit e tij të ishin të përgatitur për të, sido që të vinte, edhe e dhimbshme deri në palcë. Ai nuk kishte droje se vigani popull mund të zgjohej; ai donte vetëm që zgjimi të ishte me logjikë, në kohën e duhur dhe me njerëzit e duhur. Këtë ua mësoi brezave që u rritën përmes duarve të  tij dhe prehrit të gjyshes.

Ndoshta më herët se të tjerët ai e kishte parë lirinë të agonte, nuk kishte frikë nga agimi i saj dhe flijimi që do të duhej në emër të lirisë; ky besim i plotë i kishte dhënë jetë, dhe megjithëse pothuaj i shtyrë në moshë, kur erdhi koha e duhur dhe njerëzit e duhur (ai ishte i lumtur që bijtë e tij ishin aty) kishte filluar të ndjente se si po rriteshin më shpejt se sa duheshin nipërit e mbesat e tij. Ndoshta do të kishte dashur që rrita e tyre të ishte e natyrshme, mirëpo koha vetë ishte tjetër lloj.

Nga viti në vit i kishte parë ngjarjet të rriteshin, kishte pasur droje në krye se mos gjithçka dështonte, si kishte ndodhur shumë herë, e vërente rriten e luftës më shumë se sa vërente rriten e njerëzve të tij, e dinte se lufta kishte arsyen dhe të drejtën, dhe sa më shumë që ajo, lufta, u fuste frikën pushtuesve serbë, aq më shumë ai e ndjente veten të siguruar. Në 22 janar të vitit 1998, kur pas rrethimit të dytë të Jasharëve, ai shikoi se si trupat serbe po terratiseshin në agoni, mendoi me vete dhe pastaj u tha të tjerëve se “nuk kishte dashur gja tjetër në këtë jetë, veç të shihte kurrizin e trupave serbe kah ia mbathshin”.

Viti 1998 është një vit i ngjeshur. Stuhia është aty, gati, në të gjithë tërbimin dhe madhështinë e saj. Ai është i qetë tashmë. E di se e ka kryer një pjesë të madhe të detyrës së tij: e di krejt mirë si nipërit e mbesat e tij , ashtu si bijtë e bijat, rejat dhe dashamirët, tashmë janë gati për ta përballuar atë.

Disa qenie njerëzore janë krijuar për furtuna të mëdha. Shpirtrat e mbrujtura për stuhi ekzistojnë në këtë botë. Jasharët janë një shembull prej tyre.

Këta ishin Jasharët deri në 7 marsin e vitit 1998.

Por miti, e aq më tepër miti kombëtar, kërkon besim, ndaj dhe nuk është aspak e udhës që t’i paraqesësh këto njerëz përmes logjikës së kristaltë. Nuk është vetëm ndjenja, ndjenja vëllazërore ajo që mund t’kuptojë. Është shumë më tepër se kaq.

Megjithatë, për të ardhur deri këtu, ka qenë një rrugëzim i gjatë…

Si e thashë në fillimin e këtij punimi, për të ditur gjithçka që kishte ngjarë, do të ishte mirë të ktheheshim pak më pas..Pasi u kthyem në atë që kishte ndodhur ngjat, le të kthehemi në fillesën e ngulitjes së Jasharëve….

FILLESA

Treqind vjet më parë, nga tre vëllezër, Jashari, Kadriu dhe Meha në Prekazin e Poshtëm, bri Skenderajt, ngrihen tri lagjet e para të saj; e katërta, më e vonë, do të jetë ajo Lushtakëve. Jashari i madh do të kishte tre djem, më i vogli prej tyre do të jetë Murati, nga i cili rrjedh Fisi i sotëm i Jasharëve. Dy herë, vetëm dy herë, në treqind vite, që nga fillesa dhe deri në marsin e vitit 1998, Fisi i Jasharëve do të kishte nga tre djem. Në fillim,kur nis historia e Fisit dhe në gjakun e Shaban Jasharit. Gjithherë kishte pasur një djalë të vetëm, fill peri që mund të këputej, rrjedhë që mund të ndalohej, drejtpeshim që mund të prishej. Prandaj edhe është e lehtë të dihen rrjedhat nga kanë ardhur. U është dashur të mbajnë mend vetëm një paraardhës. Asnjë degëzim tjetër. Stërkatragjyshi, katragjyshi, stërstërgjyshi, stërgjyshi,gjyshi, baba… gjashtë breza.. .më përtej nuk dihej, ajo që do të vinte do të ndërtohej nga vetë njerëzit.  Rifati do të ishte vëllai i madh, Hamza pas tij dhe , më i riu, Ademi. Pesë motrat e tyre do të jenë shkak i miqësive fisnike. Ishte bërë hapja e Fisit, si duket ajo që po vinte do të kishte nevojë për më shumë se një krah të Fisit të Jasharëve. Jasharët e tjerë, bri tyre ishin shumuar prej kohe, ata ishin aty, rreth e rrotull, ujë i të njëjtit burim, gjak i përbashkët, do të kishte edhe vazhdimin e pritshëm, qëndresë e përbashkët. Ditët e 5, 6 dhe 7 marsit dëshmuan shumë më tepër se gjak të përbashkët.

Të rrosh siç duhet për Jasharët do të thotë të jesh i lidhur me tokën, me livadhet dhe pyjet përreth, të jesh një vatër e ndershme, bujare, do të thotë të provosh gjithçka, edhe të mirën, edhe të keqen dhe që të dyja në shfaqjen e tyre më të thekshme. Do të ishte e kotë për çdo lloj regjimi që të ndryshonte tiparet e kësaj familje dhe të shpërfytyronte përmasat e Fisit të Jasharëve. Ndodhte diçka e çuditshme, sa herë që presioni shtohej dhe rëndimi i tij dukej i përbindshëm, pa asnjë rrugë shprese dhe mundësie, Familja mblidhej edhe më tepër rreth vetvetes, tiparet e saj nguliteshin edhe më shumë, deri sa të dukeshin se ishin ngurtësuar. Do të kishte çaste të rënda, do të vinin edhe momente kur dukej se ishte e vështirë të vendosej, dhe do të ndodhte që shumëkujt do i dukej e tepërt, jo vetëm rëndesa mbi këtë Familja, por edhe qëndresa e saj. Ndaj, si kujton Rifat Jashari: “Në ato kohë të vështira, shumë njerëz i kanë thënë babagjyshit që ta shesë tokën dhe pasurinë dhe ta lëshojë vendin, sepse kishin menduar se vetëm ashtu familja jonë mund t’i shpëtojë zullumit të madh që po i bënte pushteti. Por, babagjyshi nuk kishte dashur ta bënte këtë. Nga të parët, ai kishte trashëguar afër 19 hektarë tokë e mal, dhe këtë pasuri ne, pasardhësit e tij, e kemi edhe sot e kësaj dite, në këtë vend, në Prekaz”.

Kur thashë më sipër se, nga dhuna, në shenjë qëndrese, tiparet e Familjes dukej sikur ishin ngurtësuar, nuk e kisha fjalën vetëm për burrat e djemtë e kësaj familje. Stërgjyshja e kësaj familje, Halimja, nga fshati Kastriot, atëherë kur njerëzit ngulnin këmbë që Familja të ikte prej vatrës ku kishte bërë jetën e saj, ajo do të ngulte këmbë se “Pasuria nuk shitet. Në qoftë se ky djalë, Shabani, që na e ka falë Zoti, është me ymër, do ta trashëgojë këtë vend”.

Si vjen dita, si rrotullohen motet, shkojnë vitet e dekadat, dhe në këtë Familje të duket se nuk ka lëvizur asgjë nga ajo që kanë lënë të parët, është po ajo këmbëngulje, e njëjta forcë, mentalitet i njëjtë, që lidhet mbi të gjitha me tokën e vendin ku kanë lindur, me arat e bashtinat, me njerëzit dhe pyjet, kullotat dhe ujërat që rrjedhin, me vendin ku e kanë bërë në mend të vdesin. Dekada më vonë, si të ishte pjesë e rikthesës së kohës, Hamzë Jashari, kur do i thoshin se po afrohet ora e dhunës së madhe dhe do të ishte mirë të iknin, diku në perëndim, qoftë edhe sa të qetësoheshin dallgët, do të përgjigjej njëlloj si stërgjyshi tij se “Në këtë vend kemi lerë, prej këtij vendi nuk e kemi ndër mend të ikim, këtu edhe do të vdesim”. Të duket sikur koha është sjellë rrotull për njëqind, dyqind apo treqind vite dhe ata që kanë shkuar, kanë të lënë të njëjtët në vatrën e tyre. Është rikthim i mrekullueshëm, riciklimi i vlerave dhe i virtyteve. Në të vërtetë kjo do të ishte edhe ndër çastet fatlume të Kosovës. (Vijon)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Përzgjedhësi i Kosovës në hendboll, Taip Ramadani, ka analizuar shortin…