Familja Kryeziu në Cyrih hap të pame për afaristin Latif Kryeziu
Familja e ngushtë e afaristit të ndjerë Latif Kryeziu, me punë dhe banim në Zvicër, ka hapur sot të pame në Cyrih të Zvicrës. Njoftimin për hapjen e të pamës për të e ka dhënë familjari i tij i ngushtë, afaristi Kastriot Kryeziu, në llogarinë e vet në “Facebook”, i cili për “Epokën e re” ka thënë se “vdekja e parakohshme dhe e papritur e bacit Latif na ka pikëlluar shumë sepse ne familja Kryeziu kemi humbur njeriun më të dashur e më të pashoq që kishim. Megjithatë, dhembjen dhe pikëllimin, kujtimet e mira dhe fjalët dhe punët e tij të mira, kemi vendosur t’i ndajmë me miq, me shokë dhe me dashamirë të tij dhe tanët, të cilët na janë gjetur pranë në këto ditë dhembje fizike dhe shpirtërore”. Po ashtu, Kastriot Kryeziu ka njoftuar se “e pamja për Latif Kryeziun është hapur sot, më 2 gusht, ditë e diel, nga ora 09:00 deri 16:00, në Zürich, adresa: Lochackerstrasse 6, 8424 Embrach, në restorant ‘Rozafa’”.
Ngushëllimet e krerëve të shtetit e të partive politike, të miqve të Latif Kryeziut
Me rastin e vdekjes së Kryeziut, telegram ngushëllimi familjes së tij i kanë dërguar krerë të shtetit të Kosovës, të Shqipërisë, të Maqedonisë etj.
Presidenti Hashim Thaçi, me rastin e ndarjes nga jeta të Kryeziut, pas vajtjes për ngushëllime dhe pas dhënies së medaljes “Urdhri i Pavarësisë”, ka thënë: “Isha për ngushëllime në familjen Kryeziu për ta ndarë dhimbjen së bashku, pas vdekjes së biznesmenit Latif Kryeziu, mikut tim për më tepër se dy dekada. Për kontributin e tij në procesin e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, pas vdekjes, për z. Kryeziu ndava Urdhrin e Pavarësisë”.
Edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka veçuar kontributin e Latif Kryeziut dhënë në kohë të luftës dhe të paqes. Veseli i ka shprehur ngushëllime të sinqerta familjes së tij: “Me pikëllim mora lajmin për vdekjen e mikut tim Latif Kryeziu, sipërmarrësit të suksesshëm që krijoi mijëra vende pune dhe atdhetarit të madh që dha mbështetjen meritore për kauzën tonë kombëtare.
Vdekja e hershme e tij është një humbje e madhe për Kosovën.
Latif Kryeziu arriti ta vendosë vendin tonë në hartën e bizneseve ndërkombëtare dhe kompanive multinacionale, duke sjellë tek ne brendin e mirënjohur “Shell”.
Ngushëllime të sinqerta familjes, miqve dhe bashkëpunëtorëve të tij!
Ta kujtojmë përherë për veprat e mira që la pas!”
Po ashtu, ngushëllime familjes Kryeziu i ka shprehur edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj: “I pikëlluar nga lajmi për ndarjen nga jeta të Latif Kryeziut, shpreh ngushëllimet e mia për familjen dhe të gjithë ata që njohën.
Latifin do e kujtojmë gjithmonë për kontributin e tij në përpjekjet për liri dhe për ndërtimin e ekonomisë së vendit.
I qoftë i lehtë dheu i Kosovës!”
Ngushëllime familjes Kryeziu i ka shprehur edhe një nga afaristët e mëdhenj të Kosovës, presidenti i “Mabetex Group”, kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli: “Një nga miqtë e mi dhe një nga sipërmarrësit më të mëdhenj të Kosovës, na paska lënë. E mbaj mend Latifin si një njeri me zemër të madh, energjik dhe human. Veprat e tij do të shoqërohen gjithnjë me emrin e tij. Ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes Kryeziu”.
“Urdhri i Pavarësisë” postmortem
Presidenti Hashim Thaçi ditë më parë ka pritur në takim familjarët e të ndjerit Latif Kryeziu, të cilin e ka dekoruar me medaljen “Urdhri i Pavarësisë” (postmortem), dekoratë kjo që u jepet personave të cilët kanë dhënë kontribut të lartë për “Pavarësinë e Kosovës”.
“Dhe i tillë ishte edhe z. Latif Kryeziu, i cili nuk ishte vetëm një afarist i suksesshëm, por edhe një patriot i vërtetë i cili i kontribuoi luftës dhe ekonomisë së vendit”, është thënë në njoftimin e Presidencës së Republikës së Kosovës.
(Epoka e re: B. Dakaj)