FAMILJA MANOLLI, VIKTIMA E PARË E NEOFASHIZMIT SERBIAN PAS 23. III. 1989
Prof. dr. Hakif Bajrami
(Si e përgatiti dhe si e zaptoi fashizmi ushtarak-policor terrorin në Kosovë)
Më 1981 pushteti serbian, madje të gjithë sllavët e jugut, do të vërsulen ndaj shqiptarëve se “po i detyrojnë kolonistët të shpërngulen nga Kosova”. E vërteta, të gjithë UDB-ashët që ishin diskredituar më 1966, do të mrizojnë me pensione të majme dhe të pushueshëm do ta presin shansin e parë për vërsulje ndaj shqiptarëve. Ajo shans për ta ishte kur rinia patriotike shqiptare provoi më 1981 të ngritët në kryengritje, por mjerisht ende nuk kishim “vetëdije popullore për mejdan”.
Dhe nga kjo kohë pushteti serbian nuk do të lë gur pa lëvizur, me të vetmin qëllim për ta “konveruar” së pari Kushtetutën e vitit 1974. Aty e kishte vegën shovinizmi neofashist i Serbisë, duke ndryshuar Kushtetuta. Po, do të themelohet Komision Special për kthimin e serbëve dhe malazezëve në Kosovë. Ata ishin shpërngulur për dy arsye: për nga origjina ishin kolonistë të kralit ose Titos; së dyti nuk mund t’i duronin kuadrot e reja e të shkolluara shqiptare. E këta nuk duronin që të jenë qytetarë të rendit të tretë, sepse të parët ishin serbët, të dytët ishin “shqiptarët e ndershëm”, ish-udbashët.
Nuk ka kaluar muaji nga viti 1981, pa u bërë analiza detale për kthimin e ish-kolonistëve sllavë, sepse vetëm përmes tyre mund të mbahej populli shqiptar i nënshtruar. Kjo fushatë, do ta ketë embrionin në “Librin e kaltër 1976”, do të rigjenerohet me “Memorandumin” e Akademisë Serbiane më 1986. As dokumenti i parë e as i dyti, nuk pati fuqi t’i instalojë ish-udbashët serish në pushtet, për ta sunduar Kosovën.
Dhe si pasojë e këtij ngërçi, se ish-kuadrot e UDB-së dhe të partisë nuk do të munden ta përballojnë fuqinë intelektuale dhe politike të kuadrove të reja shqiptare, prandaj më 1987 do të fillojë punën, së pari në Lidhjen Komuniste të Serbisë, e pastaj puna do të shpërndahet në Parlamentin e Jugosllavisë, prej kah do të lind “Programi jugosllavë për Kosovën 1988”. Ky program de fakto e hapi shansin që Kosova të kthehet në pozitë territorialo-administrative në statut të viteve: 1945, 1948, 1953, 1963. Pra, Kosova sipas Beogradit nuk mund të ketë as ligj kushtetues nga viti 1969, e lere më Kushtetutë.
Amendamentet kushtetuese janë debatuar kudo nëpër Kosovë më 1988, dhe 97 për qind e debateve nuk është pajtuar me ndryshimet që i ëndërronte pushteti neofashist serb. Lidhur me këtë S. Millosheviqi do të shpërthej publikisht se: “Kushtetutën do ta ndryshohet institucionalisht dhe jashtë institucionalisht”. Lidhur me këtë karrieristët dhe kllosharët shqiptarë nuk do ta kuptojnë këtë atentat dhe grushtshtet që po i përgatitej Kosovës. Në këto rrethana burgjet ishin të mbushura me të rinj patriot dhe revolucionar të pamposhtur. Dihet se 23 marsi 1989 ishte ditë e kobshme për Kosovën.
Pas këtij grushtshteti intelektualët e vërtetë e dinin se pa luftë të armatosur, më nuk mund të kthehet gjendja në Kushtetutën e 1974-s, e lëre më të avancohet Kosova në Republikë të shtatë, që atëherë ishte mendim dominant. Në këto rrethana, Deklarata e 2 Korrikut 1990, ishte një kthesë shumë domethënëse për ta kthyer në popull shpresën. Së dyti, guximi dhe patriotizmi i disa të rinjve dhe të rejave, ishte një paralajmërim se populli shqiptar më nuk duron robëri. Për ta frikësuar rininë patriotike, Serbia do ta vënë në ballë policinë, milicinë dhe ushtrinë, që ne nuk i kishin nën komandën tonë. Ndodhi ky fenomen sepse në nivelin intelektual shkencor nëpër tubime ndërkombëtare punëtorët e shkencave shoqërore në Kosovë e kishin arritur nivelin dhe më nuk ishin në asnjë pozitë inferior ndaj serbianëve që ishin mësuar të thonë: “atje poshtë” (mendohej për Kosovë). E gjeografikisht dihet se Kosova nuk ishte “poshtë”.
Në polemika më 1988 do të u thuhet se: “Nuk jemi ne poshtë, ne jemi lartë sepse uji nga Kosova rrjedhë teposhtë kah Beogradi”. Dhe, nuk do të vonojë dhe Kuvendi i Kosovës më 7 shtator 1990 në Kaçanik do ta shpallë Kosovën Republikë të shtatë, sikurse njësitet tjera federative. Vallja patriotike me këtë akt konstitucional nuk do të ketë më të ndalur. Informata ishte e pandalshme sepse bota ishte bërë shumë e vogël për fuqinë e saj (të informatës). E serbianët dhe administrata e tyre e kalbur mendonin se janë në vitet: 1912, 1918, 1945 kur vrisnin e pushkatonin familje e individ, dhe askush nuk dinte asgjë. Tash ishte “këngë” tjetër. Por për ta mbajtur popullin serbian në pozitë “superiore”, pushteti nuk do ketë ide që t’i përkrahë rrethanat e reja, jo vetëm në katrahurën jugosllave, por edhe në botë. Serbia për ta kthyer realitetin politik në pozita të para vitit 1966 do ta fillojë përgjakjen kriminale me metoda të vjetra, të reja ku vetëm tanket i kishin shtesë, nga mjetet e mëparshme.
Në megalomaninë e tyre se “janë me ushtri të katërt në Evropë” serbët e filluan luftën së pari kundër rinisë shkollore më 1981. Pastaj dhunën e bartën kundër familjeve emblematike shqiptare, krejt me qëllim që ta frikësojnë popullin, duke provuar t’i tregohen “muskujt” e tankeve dhe pizgaverëve, tytave dhe thikave të helmuara me seleksionim. Pikërisht së pari në Llapin e Ramë Vllasës, Osman Manollit-Pollatës. Pikërisht, kundër familjes së këtij të fundit do ta programojnë fillimin e realizimit të programeve të vjetra. Shtrohet pyetja, nëse më 7 shtator 1990 është aprovuar Kushtetuta e Kaçanikut, më 13 shtator 1990 do të sulmohet brutalisht nga milicia dhe ushtria serbiane (jugosllave) familja Manolli e Pollatës që mbante miqësi me Demë Ahmetin, me Murat Xhakën, Ahmet Delinë, e besa edhe me Haxhi Zekës, sepse Oda Monolli dhe Popova ishin konak i sigurt më 1910 dhe 1912 për Hasan Prishtinën dhe Isa Boletinin, prej kah doli shembulli më sublim kombëtar, Kuvendi i Murgullës më 1920, prej kah u lëshua kushtrimi për kryengritje kundër okupatorit me Program të Komitetit Kosovës.
Si dukej plani i sulmit ndaj familjes emblematike Monolli më 13 shtator 1990, dëshmojnë dokumentet sekrete fashiste serbe. Dokumentet që posedohen janë argumente se kemi të bëjmë me një pushtet neofashist që programon shfarosjen e një populli të tërë, vetëm pse nuk është sllavë, dhe bota në fillim i beson sepse viktima nuk kishte as krah as miq, as forcë, përpos drejtësisë, sakrificës dhe guximit e shpresës. Dhe plani për shfarosjen e familjes Manolli (Latifi)-Pollata ishte koduar me shifrën “Munja” ose “Rrufeja”. Për realizimin e këtij programi ishin angazhuar 135 milicë, 60 ushtarë me tërë arsenalin vrasës që posedonte shteti.
Tabela koduese e aksionit “Rrufeja” ishte shoqëruar me koncepte gjeografike. “Regjioni për sulm” e kishte shenjën 21, kazerma ku përgatitej sulmi ishte e koduar me numrin 20, qendra e sigurimit në Prishtinë me numrin 19, organizimi i sigurimit publik në Podujevë me numrin 18, rezerva në Kerpimeh me numrin 23, rezerva ndihmëse në Leban me numrin 22, vendi ku duhet zbatuar dhunën në Pollatë me numrin 24, vendi kah duhej siguruar suksesin e dhunës fshati Sllatina me numrin 25, vendi rezervë i suksesit në Zhiti me numrin 26, shtëpitë për bastisje (lexo për vrasje dhe shkaktim të frikës në popull) me numrin 27, vendi ku do të përdorej dhuna e shtuar nëse nuk arrihet sukses në planin e parë në Pollatë, ishte koduar me numrin 28 në fshatin Metohi, punkti me forca rezervë ishte koduar me numrin 31, punkti ku sigurohej i pari me shifër II. Efekti duhej të shënonte frikë dhe: “populli duhej me dy tri vrasje mizore të vihet në lëvizje, për të pasur adute tjera që mizoritë të vazhdohen edhe me viktima përtej numrit 10, por jo më shumë për fillim”.
Makineria vrastare serbe kishte program shfarosës që e përdori nga Pollata (13 shtator 1990) e deri te familja e Shaban Jasharit në Prekaz (4-5 mars 1998), dëshmojnë dokumentet serbe. Lidhur me këtë, së pari fillimi i aksionit dhe kryerja e detyrës fillestare quhej “Lanac 1” (zinxhiri 1), bashkimi i kolonave vrastare quhej “Lanac 2” (zinxhiri 2), nisja e aksionit quhej “Livada” (livadhi), ndalja e aksionit quhej “Trava” (bari), vija e bllokadës quhet në dokument “Kanar” (Peshojë), lidhja e bllokadave quhej “Çvor” (nyje), izolimi i personave në objekte quhej “Krug”-(rreth), kontrollimi i objektit mban kodimin “Vetar” (era), personat për izolim dhe burgosje quheshin “Jezh” (iriq), armët e gjetura (që vetë i plasonin nëse nuk ka) duhej të quheshin “Kopriva” (hithra), personat e privuar nga liria quheshin “Breza” (pisha”) që digjen, mund të mbytën dhe asgjë, personi i plagosur quhej “List” (gjeth) që nuk vlen pesë pare, personi i vdekur quhet “Kaktus” edhe shqip është ashtu, roja e vendit që duhej ta hapte zjarrin vrasës quhej “Plamen” (flaka) që duhej ta kallte shtëpinë ose ta rrënonte me dinamit, milici që ishte më afër se ushtari quhej “kremen”, diçka që shkrep si guri brincsak si eshka që e kap zjarrin për një here. Vendasi që po sulmohej, vritej ose burgosej quhej “trn”( therë), transporteri i blinduar quhej ‘Lim’ lumi Lim. ushqimi i vrastarëve quhet “Kitija”, uji për programuesit e shfarosjes së familjes stabile shqiptare quhet ‘Limenka”.
Personat që i kishin hyrë realizimit të këtij programi për shfarosje të shqiptarëve kishin kode numërore dhe përshkruese. Në çdo aksion theksohet rroli i shfrytëzuesit, shenja thirrëse, puna dhe niveli rezervë që duhej vazhduar aksionin. Udhëheqësi i grupit për bllokimin e objektit që po rrethohej përmes kodit “Rrufeja” kishte shenjën numërore 12, kurse puna që duhej kryer ishte koduar me shifrën 50+50. Zëvendësi i këtij aksioni e kishte shenjën numërore 13, udhëheqësi i grupit për bastisje 21, zëvendësi 22, drejtuesi i nëngrupit 23, drejtuesi rezervë i nëngrupit 24, udhëheqësi i nëngrupit për furnizim 25, marica e parë 61, marica e dytë 62, grupi për sigurimin sanitar 63, komanda e forcave për sigurim 71, drejtuesi i forcave speciale 81, shtabi i aksionit “Rrufeja” numrin 1, komandanti numrin 2, zëvendësi numrin 3, anëtari i shtabit për operativë numrin 4, drejtuesi i bllokadës numrin 11, kodimi i forcave motorike “Rrufeja” numrin 31. Drejtimi i helikopterëve “Rrufeja” numrin 41, lidhja e grupeve “Rrufeja” kishte numrin 51, servisimi kishte numrin 91 dhe mbarimi i kodit “Rrufeja” ishte me numrin 101. Me këtë program që i prezantohet opinionit për herë të parë si eksperiment politiko-ushtarak për tërë makinerinë neofashiste serbiane ishte terrorizimi i Familjes Manolli në Pollatë më 13 shtator 1990, që do të thotë se aksioni vrastar serb kishte filluar gjashtë ditë pas aprovimit të Kushtetutës së Kaçanikut.
Në këtë aksion ushtarako-policor janë vrarë Besim Latifi- Manolli, i cili vritet në prag të odës dhe Skender Latif-Manolli, i cili vritet me snajper sepse e kishte qarë rrethimin. Pushteti për ta treguar qëllimin i arreston 30 persona, duke i maltretuar deri në alivanosje. Ky sulm ushtarako-policor ndërmerret në Pollatë krejt me qellim për ta frikësuar tërë popullin e rrafshit të Kosovës. Ndërsa në të njëjtën kohë në Komunën e Klinës vriten Shtjefen Dushi dhe Simenon Dushi, krejt me qellim për ta frikësuar tërë rrafshin e Dukagjinit. Sulmi u bë për ta gjurmuar ku fshihen deputetet historik të Kushtetutës Kaçanikut nga 7 shtatori 1990.
Sipas dokumenteve ushtarako-policore serbe në vijim mbetej që të zbatohet një plan i ri me kodin “Rrufeja 2” ku parashihej vrasja e më shumë se dy personave, por aksioni nuk guxonte të mbaroi së pakut pa u “likudiar 10 terroristë” të cilët janë pa emër, pa e sulmuar askënd, por arma e tyre duhej të ishte si letërnjoftim se ishin shqiptarë.