Familja nga Istogu jeton në varfëri të skajshme, kërkon ndihmën e qytetarëve (Foto)
Familja shtatanëtarëshe e Jahir Morinës nga Baica e Istogut jeton në kushte skajshmërisht të rënda ekonomike dhe sociale. Si pasojë e kushteve të rënda ekonomike kësaj familje i mungojnë mallrat e konsumit elementar për jetë, që ka ndikuar që fëmijët e kësaj familje të asocializohen nga shkollimi dhe nga rrethi, pasi që vajza shtatëvjeçare e kësaj familjeje, si pasojë e mungesës në të folur, nuk e ka vazhduar mësimin parashkollor, kurse djali trevjeçar mund t’i shqiptojë vetëm fjalët mami dhe babi.
Në kohën kur temperaturat shënojnë në minus gradë celsius, kësaj familjeje, pos ushqimit, veshmbathjeve dhe gjërave higjienike, edhe drunjtë e zjarrit i mungojnë. “Nuk do të kemi më dru për dimër, pos këtyre që i shihni. Fëmijët kanë të ftohtë dhe s’kanë as çorapë e as veshmbathje. Nuk e di si do ta kalojmë këtë dimër”, ka thënë nëna e pesë fëmijëve, Drita Morina.
Shtëpia e tyre kundërmon në të katër anët, pasi çdo pikë shiu depërton në muret dhe shtretërit e shtëpisë. Kurse ndihma sociale prej 125 eurosh nuk u mjafton për t’i ushqyer dhe veshmbathur pesë fëmijët e kësaj familje, pasi një pjesë të kësaj shume kryefamiljari Morina e ka borxh, të cilin e mori për blerjen e katër dritareve të shtëpisë në të cilën jeton tash e 17 vjet.
Zonja e kësaj shtëpie, Drita Morina, ka treguar për gazetën “Epoka e re” se kushtet e rënda në të cilat jeton bashkëshorti i saj, Jahiri, i cili është i moshës 73-vjeçare dhe pesë fëmijët e tyre, janë të papërballueshme dhe ngulfatëse për jetë. Ajo ka thënë se është e lodhur nga varfëria e skajshme dhe i është mërzitur jeta, pasi s’mund t’u përgjigjet fëmijëve kur ata i kërkojnë bukë. Madje në ditën që e vizituam ajo s’kishte as maj për bukë, as miell, as krip. “As nuk kam dru, as bukë e as krip që t’u përgatis fëmijëve bukë. Sot fëmijët kanë qarë gjithë ditën pasi s’pata maj për t’u përgatitur bukë”, ka rrëfyer nëna e pesë fëmijëve Drita Morina.
Ajo ka deklaruar se si pasojë e kushteve të rënda ekonomike fëmijët e saj janë të asocializuar dhe kanë pengesa në të folur, gjë që, sipas saj, vajza e tyre shtatëvjeçare Ernesa bëri që të largohej edhe nga mësimi parashkollor.
“Si pasojë e kushteve të rënda ekonomike dhe mosmundësisë që t’i ushqejmë me bukë fëmijët janë të nervozuar dhe ka raste kur s’mund as të flasin. Fëmijët kanë pengesë edhe në të folur. Vajzën më është dashur ta ndalojmë nga cikli parashkollor pasi s’flet mirë dhe ne duhet ta dërgojmë për kontroll, por kushtet nuk i kemi që të shkojmë pas mjekëve. Një qytetar që rastësisht e takuam një ditë dhe ia treguam gjendjen e vajzës, na i fali do para dhe e dërguam vajzën te një mjek në Prishtinë. Për t’u përmirësuar gjendja e saj duhen kontrolle të vazhdueshme. Por, ne nuk kemi para që të vazhdojmë më tutje”, ka thënë ajo.
Familja shtatanëtarëshe e cila merr asistencën sociale në shumën prej 125 eurosh dhe pensionin e pleqërisë të kryefamiljarit, pjesën më të madhe e ka borxh, pasi për t’u mbrojtur nga i ftohti i këtij janari, ata kishin vendosur që t’i blinin katër dritare të shtëpisë, në të cilën jetojnë në kushte të rënda tash e 17 vjet.
“Ne marrim ndihmën sociale dhe pensionin e burrit, por e kemi borxh pasi na është dashur t’i blejmë disa dritare për shtëpi. Fëmijët janë të vegjël dhe vazhdimisht kollitën nga i ftohti. Këtu në këtë shtëpi askush s’do të mund ta kalonte një natë nga i ftohti dhe era që kundërmon, pasi shiu pikë edhe mbi trupin tonë. Nuk më ka mbetur gjë tjetër pos ta mbys veten dhe mos t’i shoh më fëmijët duke vuajtur për bukën e gojës”, ka thënë ajo, duke shtuar se djali i madh është larguar nga skema pensionale pasi nuk ka pasur mundësinë që ta nxjerrë një vërtetim të shkollës.
“Pension i marrim 125 euro dhe i kam pesë fëmijë. Djali i madh është larguar nga skema pensionale pasi s’kam pas kushte ta nxjerr një vërtetim të shkollës dhe na janë hequr 10 euro nga sociali. Fëmijët janë të moshës 7, 4, 3 tre vjeç dhe fëmija i vogël është katërmuajsh, i cili më shumë rrinë duke qarë pasi s’kam kushte t’ia blej qumështin që është për fëmijë. Një ditë e pata te mjeku dhe i kërkova një zotërisë që të m’i japë do pare për sadaka, ai m’i dha 10 euro dhe me ato para i bleva qumësht, por sot është harxhuar dhe s’di çfarë do të bëj më tutje”, ka thënë Drita Morina.
Nëna e pesë fëmijëve, Drita Morina, ka apeluar te të gjithë qytetarët që kanë mundësi t’i ndihmojnë me ushqim dhe veshje. “I kisha lutur të gjithë ata që kanë mundësi të na ndihmojnë pasi fëmijët i kam të vegjël dhe s’kam nga t’ia mbaj. Burri është i moshuar dhe i sëmurë dhe s’ka mundësi të punojë. Jetën që në bëjmë mos e bëftë askush!”, ka thënë Morina.
Të gjithë ata që mund ta ndihmojnë familjen Morina, vendbanimi i saj është në fshatin Baicë të Istogut, magjistralja Istog – Pejë, kthesa e parë në të djathë në hyrje të fshatit.
Gjithashtu, këtë familje mund ta kontaktoni edhe në këtë numër të telefonit +38349299685.
(Albulena S. MAVRAJ)