Familjarët e të pagjeturve kërkojnë presion ndaj Serbisë
Më 30 gusht – Ditën ndërkombëtare për persona të zhdukur, Kosova do ta shënojë me marsh në sheshet e kryeqytetit, ku do të kërkohet zbardhja e fatit dhe kthimi i një mijë e 1 648 personave që prej nga pas lufta figurojnë si të pagjetur.
Kështu është bërë me dije pas takimit të Këshillit Organizativ për shënimin e kësaj date, prej ku u kërkua më shumë presion nga spektri ndërkombëtar ndaj Serbisë, lidhur me këtë çështje.
Këshilltari i kryeministrit Ramush Haradinaj, Jahja Lluka, ka thënë se kjo temë është prioritet i Qeverisë së Kosovës. “Do të tubohemi me familjarët në sheshin ‘Zahir Pajaziti’ dhe do të bëjmë një ecje drejt obeliskut i cili është në oborrin e Kuvendit, ku do të bëjmë homazhe, kurse sheshi ‘Nëna Terezë’ do të jetë i mbuluar me disa shenja të këmbëve të zhdukurve, me sloganin ‘Ku janë?’, si dhe do të ketë edhe aktivitete të tjera”, ka thënë Lluka.
Nysrete Kumnova, anëtare e komisionit qeveritar për të pagjeturit ka thënë se kjo datë shënohet në krejt botën, duke kujtuar se zhdukjet nuk kanë ndodhur vetëm në Kosovë, por në gjithë botën.
Ajo tregoi se 19 herë ishin në Merdare, dhe se vazhdimisht kanë pasur përkrahjen e vazhdueshme të familjarëve.
Kumnova u tregua e qartë kur drejtoi gishtin nga adresa e të pagjeturve. “Adresa e më të dashurve tanë është Serbia, por i mungon presioni, unë mendoj që presioni ndërkombëtar mungon”, ka thënë Kumnova.
/Epoka e re/