Familjarët e të pagjeturve kërkojnë të përfshihen në dialogun me Serbinë

05 korrik 2021 | 11:55

Familjarët janë të zhgënjyer me mënyrën se si çështja e të pagjeturve është trajtuar në takimin e parë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiq.

Ndër katër pikat e propozuara nga Kurti në Bruksel për çështjen e të pagjeturve dhe të të zhdukurve me dhunë, ai kërkoi që të largohet nga pozita që ka dhe të merret në pyetje kreu i delegacionit serb, Veljko Odaloviq.

Takimi i radhës mes Kosovës dhe Serbisë do të jetë më 25 korrik, ndërsa pritet që një takim i rangut më të ulët të ndodhë edhe gjatë kësaj jave.

Familjarët këmbëngulin që kur të diskutohet çështja e të pagjeturve të jenë edhe përfaqësues të tyre si pjesë e delegacionit.

Bajram Çerkini nga Qendra Burimore për Persona të Zhdukur ka deklaruar se ishte i zhgënjyer nga takimi i parë mes Kurtit dhe Vuçiqit.

“Jam shumë i zhgënjyer sepse nuk është thënë, as nuk është përmendur ajo që është premtuar para se të shkojë në dialog. Më së pari të kishin kërkuar nga ai ‘kasapi i Ballkanit’ keqardhjen ajo çka ka ndodhur me trupat e pambrojtur të Republikës së Kosovës, jo që kryeministri ia ka kërkuar faljen por as keqardhjen, por e ka vendosur pikën e katërt të cilën familjarët të zhgënjyer me atë çka është premtuar dhe atë çka është dashur të flitet”, ka deklaruar Çerkini.

Çerkini ka vlerësuar se delegacioni i Kosovës nuk shkoi i përgatitur mirë në takimin e parë, por uron të ndryshojë në takimet e ardhshme.

Çerkini është shprehur që sa herë të flitet për persona të pagjetur pjesë e delegacionit duhet të jenë edhe përfaqësues të familjarëve.

“Edhe Sllobodani (Millosheviq) të ngrihet sot nga varri duhet të shkojmë e t’i themi: ‘ku na keni lënë fëmijët?’. Tjetër janë ata përfaqësuesit që flasin në emër të familjarëve dhe nuk e ndjejnë në zemër si familjari. Kur janë në pyetje personat e pagjetur në Bruksel nuk shkohet pa familjarë. Shumë keq por edhe shumë i papërgatitur sa i përket pikës katër të të pagjeturve, sa është premtuar se do të flitet dhe të kërkohet falje por edhe të kërkohet që të zbardhet fati i të pagjeturve nuk është thënë, por është dashur të jetë edhe një familjar. Me këto gjëra nuk është përgatitur sa duhet delegacioni ynë në krye me kryeministrin”, ka deklaruar ai.

Kurse kryetari i Këshillit Koordinues për të zhdukurit dhe krimet e luftës, Ahmet Grajçevci ka deklaruar se për familjarët është shumë e rëndësishme që të vihen para drejtësisë kryesit e krimeve të luftës së fundit.

“Më së pari kërkohet drejtësi e pastaj falje, familjarët kërkojnë drejtësi edhe pasi të vendoset drejtësia bëhet kërkim falja. Unë me sa kam kontaktuar me disa familjarë të Fushë-Kosovës nuk kanë qenë të kënaqur. Kërkojnë më së pari që t’u kthehen më të dashurit e tyre sepse e dinë që janë në territorin e Serbisë, kërkojnë drejtësi, sepse drejtësia është ajo që e zgjedh gjithë problemin e zgjidh edhe pajtimin. Më së pari duhet të ndriçohet e vërtetat pastaj të punojmë për paqe. Odaloviq është dashur që në fillim të shkarkohet sepse ka qenë komandant i shtabit të krizës dhe çdo gjë e ka ditur dhe çdo gjë e ka evidentuar vetë dhe çdo gjë e dinë”, ka deklaruar Grajçevci./KP/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lëvizja Vetëvendosje, e cila qeverisë me Kosovën ka publikuar disa…