Familjarët kërkojnë drejtësi për vrasjen e Qerim Kelmendit
As pas katër vjetësh nga vrasja e ish-ushtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Qerim Kelmendi, institucionet e drejtësisë nuk kanë arritur që ta sjellin para drejtësisë dorasin.
Nga Kompleksi i Dëshmorëve në Gllogjan, ku bënë homazhe te varri i Kelmendit, familjarët kërkuan drejtësi. E teksa janë rezervuar të flasin për ndonjë të dyshuar, fajin ia hodhën Serbisë.
Vëllai i tij, Mon Kelmendi, tha se vrasja ndodhi në mënyrë të pabesë dhe makabre.
“Unë e kam takuar personalisht (prokurorin v.j.) dhe kemi diskutuar gjerë e gjatë. I kam treguar një histori të gjatë të personazhit, në këtë rast të vëllait tim, i cili është vrarë në mënyrë të pabesë dhe makabre. Edhe nga ai kemi kërkuar që ta zbardhë sa më parë rastin, sepse besojmë dhe shpresojmë që shteti ka shumë mekanizma, ka shumë instrumente që ta bëjë të mundur që ta zbardhë sa më shpejt”, ka thënë Kelmendi.
Ai ka hedhur poshtë pretendimet se i vëllai ka mundur të jetë dëshmitar potencial i Gjykatës Speciale.
“Jo asnjëherë nuk ka pasur ndonjë thirrje apo ndonjë ide që ai mund të jetë potencialisht një dëshmitar në Gjykatën Speciale të Hagës. Për këtë jemi siguruar dhe kemi marrë informata edhe nga kanalet e EULEX-it dhe Gjykatës Speciale. Jo asnjëherë nuk ka qenë në shënjestër si dëshmitar”, ka thënë Kelmendi
Ai ka këmbëngulur se pas kësaj vrasjeje qëndron shteti i Serbisë.
“Neve në fillim, që kur ka ndodhur rasti makabër, vrasja, ne kemi dyshuar, gishtin e kemi drejtuar drejt Serbisë, veglave të Serbisë, sepse ai gjithmonë ka pasur probleme me ish-regjimin e Jugosllavisë, pastaj të Serbisë dhe gjithmonë është përndjekur, është torturuar, është linçuar dhe së fundmi është vrarë në mënyrë shumë tinëzare. Edhe kjo është pista jonë kryesore dhe vazhdojmë që këtë pistë ta kemi kështu në vëmendje”, ka thënë Kelmendi. “Ne nuk kemi pasur asnjëherë me asnjë familje, qoftë me ndonjë klan ose me ndonjë parti, telashe ose fërkime. Përkundrazi, kemi qenë gjithmonë ajo fryma demokratike ku e kemi shprehur secili atë mendimin, botën e vet ideore dhe kemi respektuar edhe mendimin ndryshe, pavarësisht konsekuencave dhe fjalëve. Kështu që ne dyshojmë në shërbimin serb dhe vetëm në shërbimin serb”.
Lënda për vrasjen e ish-ushtarit të UÇK-së ka kaluar nga Prokuroria Themelore në Pejë në Prokurorinë Speciale. Në këtë institucion nuk treguan se në çfarë faze janë hetimet.
E Blerim Muriqi, bashkëveprimtar i të ndjerit, kërkoi nga prokurorët vullnet dhe guxim për ta zbardhur rastin.
“Unë si prokuror nuk kisha nejtë shumë në atë zyre, ku nuk kisha mujtë me kry punë. Kisha lëshu rrugë. Nuk muj. Një prokuror tjetër, dikush e bën. Vendi ynë ka me prodhu drejtësi. Kështu që besoj që prokurorët duhet me qenë më kërkues”, ka thënë Muriqi.
Qerim Kelmendi ishte një prej pjesëtarëve të parë të UÇK-së. Trupi i pajetë i Kelmendit u gjet i djegur më 27 shkurt 2020 bashkë me veturën e tij, në fshatin Zahaq të Pejës, e identiteti i tij u konfirmua pas përsëritjes tri herë të ekspertizës së Mjekësisë Ligjore.