Familjarët thonë se turqit e ndaluar ende nuk janë deportuar në Turqi
Familjarët e zyrtarëve të arrestuar të kolegjit “Mehmet Akif” janë duke protestuar para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës në shenjë pakënaqësie ndaj arrestimit të gjashtë zyrtarëve turq.
Ndërsa sipas një njoftimi të kolegjit “Mehmet Akif”, avokatët dhe familjarët e personave të ndaluar dje dhe të deportuar në Turqi besojnë se ata ende gjenden në Kosovë.
“Sipas disa informacioneve të ardhura z. Mustafa Erdem dhe z. Yusuf Karabina po mbahen ende në ambasadën turke në Prishtinë, ndërsa z. Hasan Huseyin Gunakan, z. Kahraman Demirez dhe z. Cihan Ozkan mbahen ende të fshehur në aeroportin ‘Adem Jashari’ ndërsa për doktorin Osman Karakaya nuk dihet fati i tij”, është thënë në njoftimin e kolegjit “Mehmet Akif”.
Ata u kanë bërë thirrje institucioneve, medieve dhe shoqërinë civile që të kërkojnë llogari nga institucionet në fjalë të bllokojnë urgjent deportimin e tyre duke vepruar menjëherë, pasi sipas tyre në çdo çast pritet deportimi i tyre në rrugë të fshehura.