Familjari i shoferit të vrarë në Gllogjan: Ganiu nuk kishte probleme me linjat e autobusëve
Afrim Gjokaj, familjari i Gani Gjokajt, që ishte shofer i autobusit në natën kur u vra në mënyrë të mistershme në Gllogjan, thotë se kushëriri i tij nuk kishte probleme në lidhje me bizneset.
Gjokaj thotë se me sa ka dijeni djali i axhës Ganiu nuk ka pasur problem me askënd.
“Nuk ka pasur probleme me linjën e autobusëve. Ai me thënë të drejtën madje nuk ka pasur as konkurrencë për këtë linjë”, tha ai.
Ai thotë se bashkë me familjarët tjerë janë pyetur nga hetuesit policor për njohjen me persona të caktuar por nuk kanë ndonjë informacion më shumë.
“Më kanë treguar fotografitë e disa personave nëse e njoh këtë apo atë”, rrëfen familjari i shoferit të vrarë në Debat Plus.
Afrim Gjokaj thotë se ka qenë një person shumë i besuar i tashmë të ndjerit Gani Gjokaj, dhe sipas tij ai nuk i ka shprehur ndonjë shqetësim se ka pasur ndonjë problem me ndonjë person për çështje linjash.
“Besoj se mua do të më kishte thënë pasi kam qenë person shumë i afërt me të. Pos ndonjë zënke të vogël për vonesa 5-minutëshe ai asnjë problem nuk ka pasur”.
Afrimi thotë se Gani gjokja një pjesë të nxënësve i ka vozitur edhe pa pagesë për shkak të gjendjes financiare.
“Ai atë linjë e ka pasur edhe si çështje humanitare”, tregon tutje familjari i shoferit të vrarë në Gllogjan.