Familjet dhe bizneset në Shqipëri rrisin ndjeshëm depozitat
Kursimet e individëve e bizneseve u rritën me ritme të larta në muajin gusht, duke reflektuar jo vetëm efektet sezonale të lidhura me ardhjen e emigrantëve në verë, por edhe një shtim të ndjeshëm të depozitave të korporatave jo financiare.
Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, stoku i depozitave në vend arriti në 1.17 trilion lekë në fund të muajit gusht [rreth 9.6 miliardë euro], duke shënuar një tjetër nivel rekord të pas viteve 90-ta.
Në raport me muajin korrik, kursimet janë rritur me gati 2 për qind, ose 20.6 miliardë lekë (170 milionë euro) më shumë. Rritja në gusht erdhi tërësisht nga shtimi i kursimeve në valutë, ndërsa në monedhën vendase tendenca ishte në rënie.
Stoku i depozitave në valutë në fund të gushtit arriti në 648 miliardë lekë, me një rritje prej 4 për qind (+25 miliardë lekë) në krahasim me muajin e mëparshëm. Efektin kryesor e ka dhënë zgjerimi i depozitave të korporatave jo financiare (bizneseve) që u shtuan me 10 për qind. Edhe ecuria e kursimeve të individëve në valutë ishte pozitive, duke reflektuar ecurinë tradicionale të ardhjes së emigrantëve në verë, të cilët sjellin kursimet pranë familjeve të tyre.
Ndryshe nga valuta, kursimet në lekë shënuan rënie në gusht, me gati 1 për qind, të ndikuara nga ecuria e individëve. Me bazë vjetore, depozitat në total janë rritur me gati 10 për qind ose rreth 860 milionë euro më shumë. Gati 70 për qind e rritjes vjetore ka ardhur nga valuta. E ndryshme ishte tendenca në 2020-n, kur për shkak të pandemisë COVID-19, që kufizoi lëvizjet dhe blerjet e mëdha ishin kursimet në lekë ato u rritën me ritme më të larta.
Ndërsa këtë vit, për shkak të rritjes më të shpejtë të kursimeve në euro, pesha e depozitave në valutë arriti në gusht në 55.1 për qind të totalit nga 54 për qind në të njëjtin muaj të një viti më parë. /Monitor.al