Familjet e dëshmorëve shumë shpejt pritet të lirohen nga pagesat doganore
Shumë qytetarë në Republikën e Kosovës vazhdojnë që veturat e tyre personale t’i importojnë nga vendet evropiane. Por sfida kryesore mbetet akciza e lartë e cila në shumë raste mbërrin gjysmën e kostos së një veture të blerë që duhet paguar për to e që është një detyrim ligjor i nxjerrë nga organet shtetërore.
Ndërkaq edhe pse në ligjin për vlerat e luftës është paraparë që të lirohen nga kjo takse kategoritë si veteranet dhe invalidët e luftës kjo nuk ka ndodhur edhe për familjet e dëshmorëve edhe pse Kuvendi i Kosovës i ka dhënë dritën jeshile këtij ligji.
Në një prononcim për “Indeksonline”, kryetari i Shoqatës së Familjarëve të Dëshmorëve, Xhavit Jashari ka shpjeguar rreth këtij procesi i cili pritet të vendoset së shpejti.
“Implementimi i ligjit varet tash prej Qeverisë së Kosovës. Në ligjin për vlerat e luftës parashihet që familjet e dëshmorëve të lirohen nga doganat, kuptohet familja e ngushtë. Megjithatë ende nuk ka lëvizje konkrete në këtë drejtim”, ka thënë Jashari.
Sipas tij qeveritë deri më tani janë arsyetuar se ky ligj ka pasur implikime buxhetore.
Tutje Jashari ka theksuar se kërkesat e tyre janë të përditshme që të filloj zbatueshmeria komplete e ligjit ashtu si ka kaluar në Parlamentin e Kosovës.
“Deri më tani arsyet e Qeverive kanë qenë për shkak të implikimeve buxhetore, megjithatë ne kemi bërë kërkesë dhe presim shumë shpejt të realizojmë një takim dhe të shohim se kur do të fillojnë të bëhet implementimi i kësaj pjese të ligjit në përputhje me aprovimin e ligjit në parlamentin e Kosovës”, ka thënë Jashari.