Familjet e kategorive të UÇK-së në Malishevë: Jemi krenare me luftën e UÇK-së
Komiteti për Familjet e Dëshmorëve, Invalidëve, Veteranëve dhe Martirëve të luftës së UÇK-së në Komunën e Malishevës, ka mbajtur të premten mbledhje nën drejtimin e kryesueses, Vlora Manaj- Krasniqi.
Anëtarët e Komitetit të kategorive të dala nga lufta e UÇK-së pas kësaj mbledhje dolën me një reagim ndaj aktakuzave të ngritura nga Dhomat e Specializuar për ish-krerët e UÇK-së
“Komiteti për familjet e kategorive të dala nga lufta e UÇK-së, në Komunën e Malishevës, ka përcjellë me shqetësim zhvillimet e fundit në Kosovë, e sidomos zhvillimet pas ngritjes së aktakuzave ndaj krerëve të UÇK-së. Aktakuzat e ngritura nga kjo gjykatë dhe cilësimi i disa prej akterëve të UÇK-së, si ‘Ndërmarrje e përbashkët kriminale’, përveçse janë fyese e denigruese, mbi të gjitha këto aktakuza janë raciste dhe si të tilla të padrejta ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe popullit shqiptar në përgjithësi”, thuhet në reagim.
Më tej në reagim theksohet se tendenca për ta njollosur luftën çlirimtare dhe të drejt të UÇK-së dhe përpjekjen e popullit shqiptar për liri është padrejtësia e radhës që po i bëhet popullit shqiptar.
“Është padrejtësi ndaj dëshmorëve të rënë dhe mijëra civilëve të vrarë e të masakruar, është padrejtësi ndaj mijëra grave të dhunuara dhe qindra e mijëra shqiptarëve tjerë të dëbuar nga atdheu i tyre. Prandaj i gjithë kombi shqiptar dhe e gjithë bota e civilizuar e demokratike e dinë fare mirë se ‘Ndërmarrje e organizuar kriminale’ ishte makineria ushtarake dhe policore e Serbisë, të cilët vranë, masakruan, dhunuan, terrorizuan dhe bënë gjenocid në Kosovë. Ne gjithashtu shprehim pakënaqësinë tonë edhe njëherë dhe nuk harrojmë se kjo padrejtësi e madhe ndaj shqiptarëve mjerisht ka marrë mbështetjen e një grupi të deputetëve shkurtpamës të cilët në vitin 2015 votuan në Kuvend këtë gjykatë speciale, pasojat e të cilës po i bartim tani si qytetarë të Republikës së Kosovës. Megjithatë jemi të bindur në pastërtinë e luftës së UÇK-së dhe jemi krenar me ekzistencën dhe historinë e saj, ndaj çdo përpjekje që ka për qëllim për ta njollosur sakrificën e popullit shqiptar për liri, si e tillë është e padrejtë dhe e papranueshëm për mbarë kombin shqiptar”, përfundon reagimi i KFDIVM-së.