Familjet e shtetasve turq të deportuar kanë paditur Qeverinë
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, duke komentuar të gjeturat rreth deportimit të gjashtë shtetasve turq nga Kosova, ka thënë se familjet e të deportuarve kanë paditur Qeverinë e Kosovës për mosrespektim të të drejtave të njeriut.
Edhe pse Haradinaj ka thënë se kanë filluar një hetim të brendshëm për atë ngjarje, shumica e materialit nuk bëhet publike.
Ndërsa, për fillimin e hetimeve nga Prokuroria Speciale ndaj pesë ish-ministrave, ku tre prej tyre janë ministra të kabinetit qeverisës aktuale lidhur me katër hidrocentrale në privatizimin e distribucionit të energjisë nga KEDS-i, Haradinaj ka pranuar se ka hetime të tilla, por ka theksuar se ky hetim nuk ka të bëjë për keqpërdorime gjatë punës së kësaj qeverie, mirëpo, siç tha ai, janë vepra të së kaluarës.
Megjithatë, ai ka thënë se është i hapur për çdo hetim ndaj çdo kujt dhe presin epilogun e këtij hetimi nga sistemi i drejtësisë.
Më tutje, Haradinaj ka komentuar edhe vendimin e Gjykatës së Arbitrazhit për rastin e PTK-së, të cilin e ka quajtur lajm të mirë për Kosovën.