
FAMULLITARI DOM SHTJEFNI: NËNA STANE – NËNA E USHTARËVE TË UÇK-së
Në historinë e popullit shqiptar, figura e nënës ka zënë gjithmonë një vend të shenjtë, duke mishëruar forcën, qëndresën dhe dashurinë e pakushtëzuar për atdheun dhe familjen. Ndihemi krenarë që Nëna Stane, anëtare e famullisë son “Shën Sebastiani” në Peshter-Brus, është një ndër ato figura që mishëron këto virtyte në mënyrë të jashtëzakonshme.
Ajo ka lënë një gjurmë të pashlyeshme në zemrat e atyre që e njohën dhe në historinë e lavdishme të luftës për liri.
Kur populli shqiptar në Kosovë u ngrit për të mbrojtur të drejtat dhe lirinë e tij, Nëna Stane u bë një shtyllë e fortë e qëndresës kombëtare. Shtëpia e saj – me bashkëshortin e saj Ndue Gashin, u shndërrua në një fortesë të heshtur, ku mikpritja dhe mbështetja për luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u bënë një mision i përditshëm.
Brenda mureve të asaj shtëpie, shpesh të rrethuar nga rreziqet e forcave armike, ajo strehoi dhe ushqeu qindra luftëtarë të lirisë, përfshirë tre komandantë të zonave operative.
Në atë hapësirë të vogël, zemra e saj e madhe u bë burim shprese dhe force për ata që luftonin në vijën e parë të frontit.
Nga duart e saj, të mbushura me dashuri dhe besim në idealin e lirisë, kaluan gjashtë dëshmorë të kombit. Këta trima e të reja që dhanë jetën për Kosovën nuk ishin vetëm ushtarë për të; ata ishin bij të një familjeje të madhe që Nëna Stane e konsideronte të shenjtë. Me përvujtëri të thellë dhe forcë të pashtershme, ajo i përcolli ata në rrugën e tyre drejt pavdekësisë, duke mbajtur mbi supe dhimbjen e humbjes dhe krenarinë e qëndresës.
Por ajo që e bën Nënën Stanë një heroinë të gjallë nuk janë vetëm aktet e saj konkrete të mbështetjes, por edhe fryma që përçoi te të gjithë ata që e rrethonin. Ajo është një shembull i sakrificës së heshtur, që buron nga një dashuri e pakushtëzuar për atdheun dhe nga një besim i madh në Zot dhe drejtësinë e kauzës për të cilën luftohej.
Nëna Stane është një shtyllë e gjallë e besimit të krishterë dhe një dëshmi e lidhjes së thellë ndërmjet fesë dhe atdhedashurisë.
Për famullinë e Shën Sebastianit në Peshter-Brus, ku ajo jeton, Nëna Stane është më shumë se një figurë historike.
Ajo është një simbol i asaj se si feja dhe atdheu ndërthuren për të na frymëzuar drejt së mirës së përbashkët.
Për të gjithë ata që e njohin, ajo është një burim drite dhe një shembull se si dashuria për Zotin dhe për njerëzit mund të ndërtojnë ura shprese në kohë të vështira.
Le të shërbejë edhe kjo ngjarje si një thirrje për mirënjohje për Nënën Stanë dhe lutje për të gjitha nënat që kanë sakrifikuar gjithçka për lirinë e atdheut.
Përmes jetës dhe veprës së saj, ajo mbetet një frymëzim për brezat e sotëm dhe të ardhshëm, duke na kujtuar se liria nuk është vetëm një e drejtë, por edhe një përgjegjësi që kërkon sakrificë dhe dashuri të thellë.
Të paçim Nëna Stane, Zoti të dhashtë shëndet e jetë të gjatë!
Lavdi të gjithë atyre që, me guxim dhe besim, i shërbyen të mirës së përbashkët.
Zoti e bekoftë Nënën Stanë dhe kombin tonë!
Dom Shtjefën,
Famullitar
(Faleminderit Alban Hyseni për fotografitë)