FARSA E DORËHEQJEVE

21 shkurt 2021 | 13:08

Shkruan: Haxhi Kamberi

(Në 32 vjetorin e grevave të minatorëve dhe studentëve)

Tridhjetë e dy vite më parë nacionalizmi dhe shovenizmi serb po arrinte kulmin në shtetin e Jugosllavisë. Pas organizimit të protestave të serbëve në Fushë Kosovë dhe “Jogurt revolucionit” në Vojvodinë dhe Mal të Zi, Serbia po përgatitej të bëjë mësymjen përfundimtare mbi popullin shqiptar në Kosovë. Në këto rrethana të mësymjes për të rrënuar edhe atë autonomi që kishte Kosova, disa nga udhëheqësit komunistë (shqiptarë) të Kosovës jo vetëm që nuk përpiqeshin të mbronin popullin e Kosovës nga shovinizmi serb, por përkundrazi ishin bërë instrument në dorën e tyre për të goditur popullin tonë. Në këto rrethana, duke e ndjerë rrezikun që po i kanosej Kosovës rreth 1300 minatorë të Trepçës u ngujuan në grevë në horizontin e tetë më 20. 02. 1989, e menjëherë pas tyre në grevë u futën edhe minatorët e Goleshit dhe Novobërdës, ndërsa mbi 10.000 studentë të Universitetit të Prishtinës hynë në grevë në Palestrën e Sporteve (sot “1 Tetori”, në atë kohë “25 maj”).

Grevistët minatorë hartuan kërkesat e tyre të cilat kryesisht kishin të bënin me ruajtjen e autonomisë së Kosovës dhe ruajtjen e qenies tonë kombëtare, duke kërkuar dorëheqjen e udhëheqësve komunist të asaj kohe që ishin bërë shërbëtorë të plotë të pushtetit të Beogradit: Ali Shukrisë, Rrahman Morinës, Hysamedin Azemit etj.

Menjëherë pasi ne studentët hymë në grevë urie, Shoqata e Shkrimtarëve të Kosovës dhe shumica e intelektualëve të asaj kohe jo vetëm që e përkrahën grevën, por morën qëndrim që në shenjë solidariteti të vijnë menjëherë dhe të qëndronin në grevë bashkë me ne studentët. Ardhja e tyre në sallë nxiti entuziazëm të madh tek ne studentët. Në palestër erdhën dhe qëndruan me ne, duke biseduar, duke na mbështetur e motivuar, shkrimtarë, profesorë, gazetarë e intelektualë të kohës. Në kujtesën time ka mbetur e freskët pamja kur Dr. Ibrahim Rugova, atëherë kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, ishte ulur këmbëkryq në parketin e sallës dhe na fliste neve studentëve për çështjen kombëtare, për zhvillimet aktuale dhe rrjedhat e mundshme, ndërsa ne studentët e mbledhur në grevë e kishim rrethuar dhe e dëgjonin me vëmendje. Studentët lëviznin në sallë nga grupi në grup duke dëgjuar me vëmendje të pranishmit si Qosjen, Canën, Aliun, e dhjetëra profesorë, gazetarë dhe intelektualë të tjerë që po solidarizoheshin me ne.
Masiviteti dhe përkrahja e grevës nga të gjithë, si dhe vendosmëria e grevistëve pati jehonë të madhe brenda dhe jashtë vendit. Kjo e shqetësoi shumë regjimin e Beogradit dhe Partinë Komuniste të asaj kohe dhe për këtë arsye filluan të përdoren metoda të ndryshme, për të thyer grevën. Më 24 shkurt 1989, ditën e pestë të grevës në minierën e Trepçës në Mitrovicë, madje erdhi edhe Stipe Shuvari, ish kryetar i Kryesisë së Komiteti Qendror të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë, me qëllim që të bindte minatorët që të ndërpresin grevën dhe të dalin nga galeritë e nëntokës. Ardhja e tij dhe biseda me minatorët jehoi edhe më shumë në gjithë botën, sepse ai shoqërohej nga gazetarë të shumtë nga Jugosllavia dhe gazetarë të jashtëm, të cilët raportuan dhe e prezentuan nga vendi i ngjarjes, bisedën e Shuvarit me minatorë, bisedë e cila përfundoi pa sukses. Edhe pse u bënë premtime të ndryshme nga Shuvari, minatorët refuzuan me vendosmëri të ndërpresin grevën pa u përmbushur në tërësi kërkesat e tyre.

Kërkesat e drejta të minatorëve dhe vendosmëria në realizimin e tyre krijoi një lidhshmëri të fuqishme emocionale në mes neve studentëve e minatorëve, dhe popullit shqiptar të Kosovës në përgjithësi. Madje për të koordinuar më mirë grevën u bënë disa vizita nga studentët në galeritë e minatorëve, e gjithashtu edhe minatorët erdhën tek ne në Sallën e Sporteve.

Populli i Kosovës u solidarizua plotësisht me grevat dhe kërkesat e minatorëve dhe studentëve, dhe përkrahja dhe ndihma vinin nga të gjitha anët. Qëndrimi i gjatë në nëntokë dhe kushtet të cilat ishin atje bënë që jeta e minatorëve të rrezikohej seriozisht, megjithatë ata ishin të vendosur të shkonin deri në fund në realizimin e kërkesave të tyre, madje edhe deri në vetëflijim. Krahas zgjatjes së grevës, rriteshin përpjekjet e pushtetit komunist, për të gjetur forma të ndryshme për të thyer grevën, dhe madje u ofrua publikisht edhe dorëheqja e udhëheqësisë komuniste të Kosovës. Por minatorët dhe studentët nuk u bindën të ndërpresin grevën pa ua dërguar në formë të shkruar, dorëheqjen e tyre.
I gjendur përballë një vendosmërie të paparë të minatorëve dhe studentëve, solidaritetit të plotë popullor në Kosovë, rritjes së presionit edhe nga opinioni i brendshëm në disa pjesë të Jugosllavisë (edhe në Lubjanë në atë kohë u mbajt një tubim në përkrahje të grevave të minatorëve), si dhe rritjes së interesimit ndërkombëtar për këto zhvillime, pushteti i asaj kohe në fund u detyrua të ofrojë dorëheqjen e Ali Shukrisë, Rrahman Morinës dhe Hysamedin Azemit. Madje u tha se kjo dorëheqje iu dorëzua me shkrim dhe me tri vula minatorëve. Pas këtyre dorëheqjeve, pas tetë ditë qëndrimi në galeritë e nëntokës minatorët e Trepçës e ndërprenë grevën e urisë dhe dolën në sipërfaqen e tokës. Ne studentët grevistë menjëherë e morëm lajmin për ndërprerjen e grevës së minatorëve, por ne sikur ja kishim ndjerë erën tradhtisë dhe nuk pranuam të ndërprisnim grevën, edhe pse ishim të rrethuar nga kordonët e policisë serbe. Duke konsideruar se kështu po rrezikoheshin jetët tona, minatorët nga Mitrovica menjëherë dërguan një delegacion në Sallën e Sporteve, i cili na u drejtua në emër të të gjithë minatorëve duke kërkuar me lutje që edhe ne të ndërprisnim grevën për të ruajtur jetët tona. Pas shumë hezitimesh edhe ne studentët e ndërpremë grevën e urisë dhe filluam të dalim nga Salla e Sportit në mbrëmjen e 28 shkurtit të vitit 1989, kur terri kishte rënë mbi Prishtinë, Salla e Sportit ishte rrethuar nga kordoni i policisë serbe, ndërsa nga drejtimi i Dragodanit po dëgjoheshin zhurmët e zingjirëve të tankseve serbe, të cilët po futeshin në Prishtinë.

E nesërmja e përfundimit të grevës, Prishtinën dhe Kosovën e gjeti nën zingjirët e tankseve, ndërsa kërkesat e minatorëve jo vetëm që nuk u realizuan, por edhe dorëheqjet e Ali Shukrisë, Rrahman Morinës dhe Hysamedin Azemit dolën të ishin farsë, sepse ato u tërhoqën dhe ata vazhduan veprimtarinë e tyre në shërbim të Beogradit, që tashmë po i përshkallëzonte masat represive e shtypëse mbi popullin e Kosovës.

Në këto rrethana, ne studentët për të realizuar apelin e minatorëve të dalur nga galeritë e nëntokës për pajtimin e gjaqeve, u bashkuam në karvanin e pajtimtarëve nën drejtimin e profesor Anton Çetës dhe Zekeria Canës për të realizuar Pajtimin e Madh të Popullit të Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dyshimet se Lista Serbe e ka rritur iniciativën e Adriana…