Faruk Mujka dhe Hysen Muzliukaj dërgohen në mbajtje

14 korrik 2023 | 16:27

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës të premten ka ndaluar Faruk Mujkën dhe Hysen Muzliukajn, si të dyshuar për korrupsion gjatë kohës sa ushtronin detyra në Komunën e Mitrovicës së Jugut më 2021.

Me aktvendim të Prokurorisë Speciale, të njëjtit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

Prokuroria Speciale ka njoftuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë se dy personat të ndaluar, të pandehurit Mujka dhe Muzliukaj, “në cilësi të personave zyrtarë, me dashje kanë shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar me qëllim të përfitimit të dobisë së kundërligjshme pasurore për vete apo për tjetrin, kanë tejkaluar kompetencat e tyre zyrtare dhe nuk i kanë respektuar detyrat dhe përgjegjësitë e tyre që të ushtrojnë funksionin e tyre në bazë të ligjit”.

“Me këto veprime të njëjtit dyshohet se janë përfshirë në kryerjen e veprës penale ’Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar’, e sanksionuar me nenin 414 të Kodit Penal të Republikë së Kosovës”, ka njoftuar PSRK-ja.

Po ashtu, nën mbikëqyrjen e Prokurorisë Speciale, Policia e Kosovës, Njësia e Veçantë e Hetimeve, ka kryer bastisje në  dy lokacione, pronë e dy të dyshuarve F.M dhe H.M. Gjatë bastisjes në njërin lokacion, ndër të tjera janë gjetur dhe sekuestruar shuma e të hollave prej 60 mijë eurove.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Organizatat e dala nga lufta e UÇK-së e mbështesin dhe…