Faruk Mujka i VV-së e krahason KTV-në me Sputnikun rus
04 dhjetor 2024
| 21:43
Zyrtari i Vetëvendosjes, Faruk Mujka, me një krahasim jashtëzakonisht kontraverz, sulmoi gazetaren e KTV-së, Mimoza Koprani Muçaj rreth çështjes së Ibër Lepencit dhe infrastrukturës së saj, në dritën e sulmit në kanalin e këtij sistemi më 29 nëntor.
Nëpërmjet një reagimi në Facebook, Mujka përdori një gjuhë tejet të vrazhdë ndaj gazetareses ndërsa ballafaqonte disa nga pohimet e saj.
“Kjo është skajshmërisht e poshtër dhe keqpërdorim ekstrem i mediumit publik me qëllim të përhapjes së gënjeshtrave dhe denigrimin e personave që ju pengojnë qëllimeve të tyre, pra qëllimeve të grupit të Stanishiqit. Kur ke këso media nuk të duhet fare Sputnik dhe Rusia Today. Ka kush kryen punën e tyre.” – tha ai ndër të tjera.
Postimi i plotë:
REAGIM
Sonte në KTV në emisionin KONFRONT, gazetarja Mimoza Koprani Muçaj tha shumë pasaktësi dhe të pavërteta rreth Ibër Lepencit dhe infrastrukturës së saj.
Por mbi të gjitha e tha një Gënjeshtër të madhe mbi të cilën mandej deshti të bazonte dyshimin mbi integritetin tim moral e për të cilën ajo është e fundit që thirret ta bëj.
Ajo tha se unë pasna deklaruar se riparimi i dëmit të shkaktuar pas eksplodimit në Varage do të kushtoj 1 mln€ dhe se kështu unë do të provoj të përfitoj diçka.
Realisht unë kam thënë kujtdo që më ka pyet se vlerësimi i dëmit nuk mund të bëhet derisa aquadukti është nën regjim të ujit. Pra vetëm kur të zbrazet uji nga aquadukti mund të bëhet vlerësimi.
Pas insistimeve të shumta vetëm kam thënë se një aquadukt me përmasa dhe gjatësi të tillë nëse ndërtohet nga fillimi kushton rreth 1 mln €. Dhe kjo mund të vërtetohet lehtë sepse deklaratat janë dhënë në këto 2 ditë të fundit.
Moderatorja me ngulm e ngushtonte Ministren duke thënë se unë e kam vlerësuar dëmin 1 mln pa asnjë ekspertizë.
Kjo është skajshmërisht e poshtër dhe keqpërdorim ekstrem i mediumit publik me qëllim të përhapjes së gënjeshtrave dhe denigrimin e personave që ju pengojnë qëllimeve të tyre, pra qëllimeve të grupit të Stanishiqit.
I pëlqeu ose jo me intervenimin tonë rekord ia kemi shpëtuar shtetit tonë 2.2-2.5 mln € në ditë për import të rrymës.
Kur ke këso media nuk të duhet fare Sputnik dhe Rusia Today. Ka kush kryen punën e tyre.