Faruk Statovci emërohet trajner i Flamurtarit
Flamurtari është bërë me trajner të ri. Pas largimit të Liridon Lecit, klubi nga kryeqyteti ka njoftuar angazhimin e Faruk Statovcit si shef i shtabit teknik. Statovci vjen pas aventurës së hidhur në edicionin e kaluar me klubin e Phoenixit në Ligën e Parë, me të cilin e mbylli sezonin në pozitën e fundit. E klubi i Flamurtarit e njoftoi emërimin e Statovcit përmes një postimi në “Facebook”, ku edhe njoftoi se në fillim të javës së ardhshme nis faza përgatitore.
“Klubi Futbollistik Flamurtari komunikon arritjen e bashkëpunimit me Faruk Statovcin për sezonin vijues. Emërimi i Statovcit si shef i shtabit teknik vjen si proces i nismës së projektit për rikthimin e klubit në nivelet më të larta sportive dhe puna e suksesshme ndër vite është vlerësuesi më i mirë për teknikun Statovci.
Fillimi i fazës përgatitore në fillim të javës që po vjen shënon edhe fillimin e etapës së Statovcit në klub. Të gjithë në KF Flamurtari i urojnë mirëseardhje Statovcit dhe stafit të tij, duke u dëshiruar njëherit shumë suksese”, thuhet në njoftimin Flamurtarit.