Fashizmi dhe racizmi i LDK-së si dhe oportunizmi klientelist i Shoqatës së të Burgosurve Politikë

15 gusht 2018 | 10:13

Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA

A mund të zhvishet nga morali, i pamoralshmi: Me shuarjen e Bacës Adem Demaçi u kompletua trekëndëshi i mendjes, shpirtit, zemrës, identitetit kombëtar, DNK-së shqiptare dhe përpjekjeve shekullore për liri, pavarësi dhe bashkim kombëtar, ai i Gjergj Kastriotit- Skënderbeut, komandantit legjendar Adem Jasharit dhe atij që i dha kuptim njerëzimit në përgjithësi dhe shqiptarëve në veçanti, Bacës Adem Demaçi. Këto tri personalitete janë dhe do të mbesin të papërsëritshme dhe amshimi i tyre nuk peshohet me kohë, janë të pavdekshëm dhe, me kalimin e kohës, vetëm sa do të rritet pesha e tyre njerëzore dhe kombëtare. Pas këtyre personaliteteve ishin edhe ushtarët besnikë që u sakrifikuan deri në vetëflijim në përmbushje të idealeve të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, komandantit legjendar Adem Jashari dhe Bacës së Madh, Adem Demaçi.

Në mungesë të hapësirës po përmendi vetëm disa duke pasur respekt deri në përkulje për të gjithë ata që u flijuan për liri: Gjon Serreçi, Imer Berisha, Marie Shllaku, Azem dhe Shotë Galica, Shaban Polluzha dhe Mehmet Gradica, Fazli Grajçevci dhe Shaban Shala, Tahir dhe Nebih Mehaj, Fehmi dhe Xhevë Lladrovci, Luan dhe Shkëlzen Haradinaj, Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu, Bahri dhe Fahri Fazliu, Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha, Shaban dhe Hamëz Jashari, Agim Ramdani dhe Salih Çekaj, Hafir Shala dhe Xhavit Haziri dhe një armatë e tërë e ushtarëve dhe udhëtarëve në rrugën e gjatë shekullore për liri, pavarësi dhe bashkim kombëtar.

Dihet fare mirë se proceset historike i kanë lëvizur personalitete që, me një pakicë përkrahësish kanë krijuar masën kritike dhe se, zakonisht nga shumica oportuniste janë shpërfillur sikur që ka ndodhur me tri pikat identifikuese gjenetike të kombit shqiptar, Skënderbeut, komandantit legjendar Adem Jashari dhe Bacës së Madh, Adem Demaçi. Edhe sot sulmohet Gjergj Kastrioti nga pozicionet antinjerëzore dhe antishqiptare sikur që është sulmuar dhe po sulmohen Adem Jashari dhe Baca i Madh, Adem Demaçi. Në Prishtinë nuk u gjend një vend për shtatoren e komandantit legjendar Adem Jashari dhe një shesh i trashëgimisë komuniste dhe të dhunshme ndaj shqiptarëve që e donin lirinë u emërtua me emrin e komandantit legjendar Adem Jashari.

Në vend se aty të vendosej shtatorja e Adem Jasharit, aty mbeti një simbol i komunizmit dhe dhunës ndaj shqiptarëve. Duhet të jesh, së paku idiot me letra dhe ta arsyetosh këtë veprim dhe këtë vendim.

Institucionet e Kosovës, këto që janë dhe si të tilla që janë, e morën mbi vete ceremoninë mortore për Bacën Adem Demaçi. Presidenca e Kosovës, përkatësisht Shkëlqesia e tij, kuku për mua, Shkëlqesia e Tij, presidenti Hashim Thaçi, e bëri punën që i takoi sikur edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli. U mbajt mbledhja komemorative në Kuvendin e Kosovës ku u bënë edhe homazhet. Përcjellja deri në vendin e amshimit u bë me ceremoni ushtarake ashtu siç e meriton një ushtar i përjetshëm për liri dhe pavarësi si dhe bashkim kombëtar, Baca Adem Demaçi. E pamja, ndonëse nuk ishte pjesë e protokollit shtetëror, u bë në Teatrin Kombëtar dhe e përkrahur nga Presidenca, Zyra e Kryeministrit dhe kryetari i Kuvendit.

Ishte koincidencë që gjatë të pamës u shua edhe një kolos i kulturës siç ishte Bekim Lumi. Gjatë të pamës, në mënyrë të organizuar shprehën ngushëllime të gjitha subjektet politike, kurse të pamet i bojkotoi 100 % vetëm Partia Komuniste e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Për ngushëllime ishin edhe mijëra dhe mijëra qytetarë nga Kosova, Maqedonia, Lugina e Preshevës, Mali i Zi, nga shtetet evropiane si dhe nga ShBA-ja. Vetëm Vlora Dumoshi ishte në të gjitha fazat e ceremonisë mortore për Bacën, jo si anëtare e LDK-së, por si familjare e një familjeje sakrifikuese për komb dhe shtet sikur që ishte familja Dumoshi. Bojkotimi i LDK-së ishte jonjerëzor, i pamoralshëm, hakmarrës dhe i organizuar, sikur në kohën e ish-Jugosllavisë dhe Serbisë kur një pjesë e këtyre që e organizuan bojkotimin u shërbenin qençe armiqve të shqiptarëve dhe duket se mendësia jugosllave dhe serbe e një pjese të LDK-së është ashtëzuar deri në atë masë që janë bërë të pashpresë dhe se reagojnë në mënyrë refleksive dhe automatike gjithmonë kur duhet të veprojnë kundër interesave kombëtare dhe shtetërore.

Nuk mund të kuptohet mungesa e respektit për 28 vjetët burg të Bacës Adem Demaçi dhe gatishmërisë për t’u sakrifikuar edhe për lirinë e këtyre krijesave që e kanë vetëm formën njerëzore dhe që nuk kanë asnjë gram të përmbajtjes njerëzore. Baca Adem ka pasur shumë miq edhe në LDK dhe nuk ka pasur asnjë armiqësi, as ndaj Rugovës e as ndaj LDK-së. Të gjithë të burgosurit politikë në llogoren e Stara Gradishkës, mbi 50 sa ishin në vitin 1990, janë dëshmitarë të udhëzimit të Bacës Adem që të përkrahet Ibrahim Rugova sepse, siç mendonte Baca, Rugova në atë kohë ishte zëri i vërtetë i të gjithë shqiptarëve.

Për më tepër, Baca na këshillonte që të mos bëhemi pjesë e LDK-së shkaku se si të dënuar politikë vetëm do t’i shkaktonim probleme kësaj lëvizjeje për të cilën mendonim se e kanë përnjëmend dhe se procesin politik do ta përfundojnë ashtu siç donim dhe për çka ishim dënuar për vepra kundër Jugosllavisë. Baca atëherë i mbushi plot 28 vjet burg në llogoret e ish-Jugosllavisë dhe Serbisë, në kushte jashtëzakonisht të rënda. Kur sot krahasohen kushtet e burgut të Nelson Mendelës, në Afrikën e Jugut dhe të Adem Demaçit në llogore në ish-Jugosllavi, atëherë e kemi një përfundim se burgu i Mendelës ka qenë hotel krahasuar me llogoret ku është mbajtur Bacë Adem Demaçi.

Baca votoi në Amerikë për Ibrahim Rugovën sikur që i dha përkrahje deri në çastin kur u bind se Rugova nuk është në gjendje dhe nuk kishte vullnet për të marrë përgjegjësi dhe se lirinë dhe pavarësinë e Kosovës i shihte si një projekt artistik dhe filozofik, pa bërë gjë dhe pa sakrifikuar asgjë, përballë një ish-Jugosllavie dhe Serbie kriminale. Po ta merrte përgjegjësinë Ibrahim Rugova siç e morën Alia Izetbegoviq në Bosnje dhe Franjo Tuxhman në Kroaci, Baca jo që do të dilte kundër Rugovës, por do të bëhej përkrahësi kryesor i tij.

Rugova ishte intelektual me një natyrë të ndjeshme, nuk ishte i sakrificës dhe, sa për të dhe pjesën komuniste të LDK-së, në Kosovë kurrë nuk do të bëhej luftë. Ata më parë do ta pranonin dorëzimin dhe nënshtrimin, se sakrifikimin personal dhe rehatinë familjare. Ashtu siç edhe e pranuan, duke mos rezistuar me asgjë. Pjesa kombëtare e LDK-së iu bashkua UÇK-së, luftuan dhe u martirizuan me siglën e UÇK-së, kurse pjesa kapitulluese qëndronte në Shqipëri ku ndanin mirënjohje dhe dekorata për ata që e tradhtuan luftën duke dorëzuar armët siç ndodhi vetëm në rajonin e Dukagjinit nga një “kolonel” i UDB-së dhe KOS-t, deri në vdekje në shërbim të Serbisë. Të gjithë ne kemi dëshiruar që Rugova të merrte përgjegjësi të cilat kurrë nuk i mori. Dihet mirëfilli se intelektualët nuk janë të luftës, me përjashtime të rralla siç ishin Hasan Prishtina, Luigj Gurakuqi, Adem Demaçi, Agim Ramadani, Sali Çekaj etj.

Këta titistë të Lidhjes Komuniste të LDK-së kurrë nuk e kanë dashur Rugovën dhe emrin e tij e përdorin vetëm për të ardhur në pushtet dhe për të mbetur në pushtet. Këtu është “rezistenca” dhe kundërshtimi ndaj Bacës Adem Demaçi. Në fund të fundit, me këtë veprim e kanë treguar pafytyrën e tyre, kurse e kanë nderuar veprën dhe jetën e Bacës Adem Demaçi, me bojkotimin e tyre në ceremoninë mortore. Kam menduar dhe besuar se Isa Mustafa dhe disa kryetarë të tjerë të LDK-së (LDK ka shumë kryetarë) do të tregohen më të njerëzishëm për këtë rast, por u dëshmua se pleshti kurrë nuk mund të bëhet buall.

Sa për ilustrim të asaj se Baca nuk ka qenë kundër Rugovës jua tregoj një rast kur një zyrtar i lartë i LDK-së, në pranverë të vitit 1999 erdhi në banesën ku bashkëjetonte Baca për një kohë me Dritën dhe iu drejtua me fjalët: “Bacë, na duhet ndihma jote ta heqim qafe këtë pijanec dhe frikacak që na mori në qafë… (mendonte për Rugovën)”. Baca iu përgjigj: “Është kryetari juaj që vetë e keni zgjedhur dhe nuk është puna ime të ngatërrohem në këtë punë…”.

I njëjti person erdhi pas dy ditëve me të njëjtin propozim dhe mori të njëjtën përgjigje nga Baca dhe më nuk erdhi. Edhe sot ky person mbanë pozitë të lartë dhe “vajton” për Rugovën.

Kësaj radhe nuk po ia përmendi emrin por, nëse e lexon këtë shkrim, lehtësisht e gjen veten sikur që e ul kokën sa herë që takohemi në rrugë! Këta janë të pamoralshëm, të tillë nuk ishin as Rugova e as Baca Adem. Prandaj edhe e nderuan Bacën Adem, familjen e Bacës dhe miqtë e vërtetë të Bacës që nuk u dukën andejpari. Ishte e pështirë kur elita intelektuale e pjesës komuniste të LDK-së, erdhën për ta nderuar Bekim Lumin duke qëndruar para dyerve të Teatrit Kombëtar dhe duke u zgërdhirë para atyre që pritnin në radhë për ta nderuar familjen e Bacës, bashkëvuajtësit e Bacës dhe miqtë. Nuk ka logjikë që dikush që mundohet ta nënçmojë Bacën Adem Demaçi, të tillët si të pafytyrë që janë do ta nderojnë veprën dhe jetën e artistit shembullor, Bekim Lumi.

Arsyeja e dytë e pjesës komuniste të LDK-së për bojkotim të ceremonisë mortore për Bacën Adem Demaçi ishte, sipas vëllait të Boro Vukmiroviqit, me emrin Ramiz e që del të jetë në mesin e të fortëve të pjesës komuniste të LDK-së , ishte se Baca paska deklaruar se “koloneli” i UDB-së dhe KOS-it qenka dënuar për trafikim droge dhe hajt demantojeni këtë me edhe vetëm një fakt të vetëm nëse mundeni.

Në kohën kur grupi i trafikantëve të drogës që udhëhiqej nga Daut Kadriovski, ku bënte pjesë edhe “koloneli” dhe disa llapjanë të mijë, isha në vuajtje të dënimit dhe informoheshim nga shtypi i atëhershëm serb, kroat, slloven dhe gazetën e Lidhjes Socialiste të Popullit Punonjës të Jugosllavisë që botohej në gjuhën shqipe. Tash nuk dilet kundër fakteve, edhe në rast se nuk të pëlqejnë. Demantojeni se “koloneli” nuk ka qenë i dënuar për trafik droge, se nuk ka qenë udhëheqës i njësive speciale policore në Hajvali dhe se nuk ka marrë pjesë në vrasje të Rexhep Malës, Nuhi Berishës dhe shumë aktivistëve politikë në Kosovë dhe shtetet perëndimore.

Dëshmojeni se nuk ka marrë pjesë në montimin e proceseve gjyqësore kundër shqiptarëve në ish-APJ (nuk kemi fakte se ka gisht në vrasjen e ushtarëve shqiptarë në ish-APJ). Dëshmojeni se nuk ka qenë pjesë aktive e qarqeve kriminale në Gjermani derisa është plagosur në këmbë. Dëshmojeni se nuk ka dezertuar nga lufta pas Betejës së Loxhës dhe se nuk e ka lënë Ramush Haradinajn me vetëm 25-30 ushtarë dhe se nuk ka ikur për Shqipëri, si dezertor i luftës dhe se, në vend se të dënohet për dezertim dhe sabotim të luftës, ishte dekoruar nga Ahmet Krasniqi. Dëshmojeni se pas dezertimit kurrë më nuk është kthyer në Kosovë, derisa ka përfunduar lufta. Dëshmojeni se nuk i ka dorëzuar armët të cilat ushtria dhe policia serbe, pas dekonspirimit, i ka “gjetur” vetëm në Dukagjin. Nuk po hyj në jetën familjare se me kë ka qenë i martuar shkaku se do të bija shumë ulët me këto goditje, për mendimin tim, të ulëta. Dhe, merreni me mend, një pjesë komuniste e LDK-së, me shantazh e ka detyruar një pjesë kriminale të ish-UÇK-së që, në pako ta shpallin hero të Kosovës së bashku me legjendarin Fehmi Lladrovci.

Ky ka qenë veprim kriminal i një kategorie kriminale të një pjese të udhëheqjes politike dhe për habinë time këtë e ka lejuar dhe e ka pranuar edhe familja e legjendarit Fehmi Lladrovci, i cili, si ushtar besnik dhe i denjë i komandantëve Skënderbe, Adem Jashari dhe Adem Demaçi, së bashku me legjendaren Xhevë Krasniqi-Lladrovci u shndërruan në yje të përjetshme të lirisë dhe bashkimit kombëtar. Baca Adem e pati thënë vetëm një të vërtetë për “kolonelin” e UDB-së dhe KOS-it prandaj e morën si pretekst për bojkotim të ceremonisë mortore. Në fund të fundit, çfarë nderi të bëjnë këta që kokën e kanë në Paraqin dhe Pozharevc kurse trupin në Prishtinë. Faleminderit që nuk erdhët. Baca Adem ishte i pakompromis kundër një pjese të krahut të luftës që, sipas Bacës, kishin hyrë thellë lakrave dhe për të cilët thoshte se do të vijë një kohë që askush nga ta nuk do të mbetej pa u koritur dhe se do të na dhimbsen në çfarë gjendje do të vijnë.

Ashtu ndodhi. Baca Adem menjëherë dha dorëheqje nga përfaqësuesi politik i UÇK-së kur ata ia dredhën fjalët sikur që gjithashtu, menjëherë dha dorëheqje nga kryetari i Bordit të RTK-së kur kjo shtëpi e prostitucionit informativ e censuroi pasi, në një ceremoni në Sallën e Kuqe, i shigjetoi disa politikanë profiterë të dalë nga lufta që e bënin vram pasurinë e Kosovës duke e përvetësuar në mënyrë më të paskrupullt. Baca Adem, me propozimin e Bleron Baraliut hyri në garë për kryetar të Kosovës pasi vlerësonte se Pacolli paraqet rrezik të madh për Kosovën. Të jem i sinqertë se për këtë garë e kishte përkrahjen e një pjese të madhe të LDK-së që nuk e donin Pacollin fare në skenën politike dhe AAK-së sikur që e kishte përkrahjen “unanime” të PDK-së dhe LV-së. Realisht, pjesa e kompromituar dhe e korruptuar e disa ish-udhëheqësve të UÇK-së ishte në gjendje ta vrisnin 100 herë Bacën Adem Demaçi vetëm që të mos bëhej kryetar i Kosovës dhe ta bënin Behgjet Pacollin, kryetar të Kosovës siç edhe e bënë. Behgjet Pacolli është jaran i shpirtit, ortak në biznes, bashkëmendimtar dhe bashkëpatriot me presidentin aktual sepse idealet kombëtare i kanë të njëjta.

Jam dëshmitar për këtë ngjarje dhe për shumë ngjarje të tjera për të cilat do të shkruaj më vonë. Baca Adem e ruajti unitetin politik të shqiptarëve pas daljes nga burgu sepse, po të kishte qëllime karrieriste, me karizmin dhe kapitalin politik që e kishte ai dhe ish të burgosurit politikë, keq do ta ndanin lëvizjen politike që ishte emërtuar LDK dhe e cila ishte trashëgimtare e Lidhjes Socialiste të Popullit Punonjës të Jugosllavisë dhe se as dreqi nuk e dinte kush dhe pse e formoi LDK-në. E përkrahëm LDK-në deri në momentin kur komunistët e ish-Jugosllavisë dhe Serbisë u bënë mbizotërues në këtë lëvizje.

Pjesa komuniste e LDK-së është e frustruar sepse gjithmonë ishte dhe mbeti në bisht të proceseve politike; luftën e UÇK-së dhe UÇK-në e llogarisnin si pjellë të Serbisë, në Rambuje nuk pyetej për asgjë, e pranonin një autonomi brenda Serbisë, u bindeshin popave të Shën Exhidios për një autonomi kulturore përmes marrëveshjes për arsim, i fitonin zgjedhjet, por mbetnin pa pushtet, krahu i luftës i shndërroi në Kama Sutra duke i eksploatuar politikisht nga dhe në të gjitha pozitat, nuk votuan për Ushtrinë e Kosovës, mbetën jashtë procesit të liberalizimit të vizave si faktor përcaktues etj. Tash duan zgjedhje të cilat nuk do t’i kenë duke menduar se do ta marrin pushtetin. Edhe nëse i fitojnë zgjedhjet, për shkak të disa posteve dhe pushtetit, do të dhunohen politikisht nga mujsharët të cilëve u nënshtrohen gjithmonë në mënyrë pasionante dhe mazohiste.

Shoqata e të Burgosurve Politikë e PDK-së: Në çdo vend dhe shtet ku ka pasur dhunë ndaj atyre që e donin lirinë duke mos ua shkelur këtë liri të tjerëve, ka të burgosur politikë që janë ndërgjegjja e kombit dhe frymëzues për të rinjtë si dhe mbrojtës të të gjitha vlerave që e karakterizojnë lirinë dhe zhvillimin njerëzor. Kosova kishte shumë të burgosur politikë, me mijëra e dhjetëra mijëra, që nga okupimi nga Serbia e deri në ditët tona. Është vlerë dhe rregull që të burgosurit politikë të mos kenë ngjyrime partiake sepse nuk angazhohen vetëm për një parti dhe nuk i përkasin vetëm një partie. Në Kosovë është e kundërta e saj, Shoqata e të Burgosurve Politikë ka qenë një organizim impotent, joveprues, nënshtrues ndaj një partie të vetme ndonëse të dënuar politikisht ishin anëtarë të të gjitha orientimeve dhe bindjeve politike, nga e majta ekstreme që realisht e bën luftën deri tek e djathta ekstreme që pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore me armë në duar e kundërshtuan mbetjen nën Jugosllavi dhe ishin kundër komunizmit dhe që ishin ndërgjegjja dhe vetëdija e vërtetë kombëtare shqiptare. Shoqata për të Burgosur Politikë në Kosovë kryesisht është udhëhequr nga persona të servilosur ndaj disa ish-udhëheqësve (edhe të kriminalizuar) të ish-UÇK-së dhe thuaja asgjë nuk kanë bërë për ish të burgosurit politikë, krahasuar me vendet e rajonit.

Po ta kishim një Shoqatë për të Burgosur Politikë të pavarur dhe të vendosur sikur edhe po t’i kishim organizatat e dala nga lufta në shërbim të idealeve për çka kanë luftuar dhe jo të manipuluara për qëllime dhe përfitime të personave të fuqishëm dhe të kriminalizuar, asnjë proces në Kosovë nuk do të ndodhte pa pëlqimin e tyre dhe askush nuk do të kishte guxim t’i fyejë apo përqeshë vlerat e luftës çlirimtare. Baca Adem Demaçi ishte mbi të gjitha partitë, nuk ishte i asnjë partie, prandaj kurrë nuk pranoi ta udhëheqë Shoqatën e të Burgosurve Politikë. Pas shkuarjes në amshim të Bacës Adem, ShBP bëri përpjekje ta fragmentarizojë rolin e Bacës duke i bërë të pamën në selinë e kësaj shoqate e që nuk do të kishte kuptim për faktin se Baca Adem Demaçi ishte dhe mbeti vlerë universale njerëzore dhe kombëtare. Disa shokë të Bacës e kundërshtuan këtë dhe kërkuan që e pamja të bëhet në Teatrin Kombëtar që edhe u realizua. Vlen të theksohet edhe këmbëngulja e këshilltarit të kryeministrit Haradinaj, z. Jahja Lluka i cili insistonte që e pamja për Bacën të bëhet në përputhje me peshën njerëzore, kombëtare dhe politike të Bacës dhe i cili e përshpejtoi procedurën që e pamja të bëhet në Teatrin Kombëtar. E pamja shkoi si më së miri, përjashtuar këtu qëndrimin fashist dhe racist të LDK-së e cila e bojkotoi tërë ceremoninë mortore, kurse çdo herë kur ka nevojë Hashim Thaçi për të, paloset si kurtizane dhe prostitutë e ishullit Shën Elena ku u mbajt i syrgjynosur Napoleoni. (Vijon)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këngëtarja Rita Ora, e cila është nominuar në dy kategori…