‘Fast and Furious’ në rrugët e Tiranës, e pësojnë keq 11 shoferë
Policia Rrugore ka mundur të parandalojë një garë shpejtësie në aksin Tiranë-Mullet ku ishin planifikuar të merrnin pjesë 11 automjete.
Forcat e policisë kanë ndërhyrë duke mos lejuar që gara të zhvillohej, pas thirrjeve që ishin bërë në rrjetet sociale.
Ndërkohë që janë vendosur vendosur gjoba dhe penalitete për 11 drejtuesit e mjeteve.
Njoftimi i policisë:
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë, në vijim të punës për ndëshkimi e të gjitha shkeljeve të qarkullimit rrugor, që bëhen rrezik potencial për përdoruesit e rrugës, pas konstatimit në rrjete sociale, të disa thirrjeve për gara shpejtësie për automjete tip “Benz”, në rrugën Tiranë-Elbasan, në Mullet, kanë organizuar punën për identifikimin dhe shoqërimin e drejtuesve të automjeteve.
Për 11 drejtuesit e automjeteve të konstatuar duke bërë gara shpejtësie u vendosën masa administrative nga 15 000 deri në 40 000 lekë të rinj, parashikuar nga neni 9, i Ligjit Nr. 8378, datë 22.07.1998, të Kodit Rrugor.
Krahas masave administrative për gara shpejtësie, për tre prej tyre, u vendosën masa dhe për xhamat e zinj të errësuar.