Fati i autorit dhe i kombit në vargjet e vetmisë

11 nëntor 2024 | 15:18

Berat Armagedoni

Bedri Zyberaj, magjistër i letërsisë, nuk ka shkruar shumë libra me poezi dhe studime. Angazhimin ndër vite, për fatin e popullit dhe të kombit, e ka pasur qëllim jetësor në aktivitetin fizik dhe intelektual. Megjithatë, ato pak poezi që i ka shkruar, i ka shkruar bukur në gjuhën shqipe dhe, falë mikut të tij Iliaz Bobaj, me përkushtim të madh dhe kujdes të veçantë, iu për­kthyen në gjuhën greke.

Po çfarë është ky libër?

Është një përmbledhje pas një përzgjedhjeje poezish nga përkthyesi. Është botim paralel në gjuhën shqipe dhe greke. Është një botim që para lexuesve mat shijen e përzgjedhësit të poezive, gjithashtu mat njohurinë e tij për përkthim nga shqipja në greqishte. Dhe ata që i njohin këto dy gjuhë, duke i lexuar paralelisht pozitë në shqipe dhe greqishte, do të mund të bëjnë interpre­time të përkthimit dhe të bukurkëngëtimit, duke shtruar pyetjet se a ka përkthyer apo ka përshtatur poezi Bobaj dhe a u ka ofruar lexuesve grekë një poet shqiptar që ka vlerë.

Vlerat e poezive të këtij libri janë matur në Kosovë, në Shqipëri, në Maqedoni të Veriut, në diasporë dhe kudo tjetër që flitet shqip, por edhe në anglisht, itali­sht, rumanisht dhe arabisht përmes ndonjë cikli të veçantë botuar në portale që merren me letërsi, arte dhe kulturë. Por, deri më tani, përgjithësisht ato janë matur dhe vlerësuar vetëm në gjuhën shqipe. Zyberaj shumë prej poezive të këtij libri i ka lexuar në orë let­rare, shumë prej tyre i ka botuar në revista, gazeta, medie elektronike dhe i ka përmbledhur në librat Dromca vitesh (1998) dhe Vdekje më të mirë nuk dua (2018) të botuara në Kosovë. Për disa prej tyre ka marrë çmime, për disa të tjera lëvdata. Rrugëtimi i tij prej poeti, ashtu si në fushën e studimeve, është pritur mjaft mirë, sa për shkak të motiveve dhe temave që ka trajtuar, po aq për shkak të sintaksës, semantikës, leksikologjisë…

Me qëllim, në fjalinë e parë të kësaj parathënie, kam shkruar se qëllim jetësor në aktivitetin fizik dhe inte­lektual Zyberaj ka pasur popullin dhe kombin. Kombi, populli i tij dhe fati i tij janë kudo në vargjet e këtij libri. Në këtë libër është edhe familja e tij. Është edhe shoqëria e tij e hershme dhe e vonë. E gjejmë edhe lirinë e një populli e të një kombi munguar kohë të gjatë, arri­tur me mund të madh dhe sakrifica të shumta. Gjejmë, përkrah lirisë, përkrah krenarisë dhe dashurisë për atdhe­un, thyerjen shpirtërore të poetit: Tani / Edhe me liri u ngimë, një lloj dëshpërimi i butë që ka peshë të madhe pas luftës, pasi që atë e përjeton një epror ushtrie në kohë lufte, që bëhet poet sapo heshtin armët pas luf­tës. Pavarësisht prej kalimit nga një gjendje emocio­nale në një tjetër, pas një realiteti të egër (robërisë) në një tjetër (demokracisë), e pas ëndrrave të bëra zhgjën­drra (lirisë) e çapitjeve për punë të mbara nga udhë­heqësit e shtetit, Zyberaj poezive nuk u ngjet “dhëmbë” për kafshim të politikanëve, as nuk i bënë vargjet zin­xhir për mbërthim të tyre. Ai, në këtë regjistër letrar poetik, vetëm i regjistron premtimet dhe dobësitë e tyre duke ua kujtuar përherë vuajtjen e gjatë të ideali­stëve të lirisë. Me këtë frymë duhet t’i lexoni poezitë e tij, me motive dhe tema për atdheun dhe kombin, për lirinë dhe robërinë, për ta kuptuar më mirë autorin, gjithashtu edhe Shën Pjetrat e brezit të tij.

Së këndejmi, kjo përmbledhje nuk ka vetëm vargje për atdheun. Me dashuri të madhe autori shkruan edhe për nënën, për miqtë, për mikeshat, veçan për ndonjë të dashur e për puthjet, për përqafimet, për miklimet, për shtrëngimet e për takimet me to.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas vdekjes tragjike të një pjesëtari të FSK-së, të shtunën…