Fati i qeverisë është i lidhur ngushtë me dialogun Kosovë – Serbi
Nënkryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), po ashtu deputet i kësaj partie, Dukagjin Gorani, ka bërë me dije se fati i koalicionit qeverisës është i lidhur ngushtë me procesin e dialogut Kosovë – Serbi.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se vazhdimi i këtij procesi përbën edhe arsyen kryesore të formimit të këtij koalicioni.
Për këtë arsye, sipas tij, nuk duket të ketë ndonjë interesim real, as lokal e as ndërkombëtar për rrëzimin e këtij koalicioni.
Gorani ka treguar se opozita parapëlqen mundësinë që kjo qeveri ta përmbyllë këtë proces nga frika se rezultati i tij do të jetë i pakëndshëm për vendin, kurse qeveria përpiqet ta shohë të kundërtën.
Dukagjin Gorani ka theksuar se qeverisja aktuale paraqet version paksa më të banalizuar të traditës së qeverisjeve të deritashme
“Epoka e re”: Z. Gorani, të mërkurën PSD-ja ka shënuar njëvjetorin e riorganizimit të saj. Sa sfidues ishe ky vit për këtë subjekt?
Gorani: Nuk ishte periudhë e lehtë marrë parasysh ambientin publik që shpeshherë është i prirë ta gjykojë një veprim para se të jetë në gjendje ta kuptojë kontekstin e tij. Për mua, përpjekja që PSD-ja të riorganizohet në një subjekt bashkëkohor ishte dëshmi e një vullneti të pashoq të shumë miqve dhe bashkëpunëtorëve, burra e gra, që ta artikulojnë një vizion politik për vendin përkundër të gjitha vështirësive. Janë pikërisht vullneti për bashkëpunim dhe vizioni i përbashkët ato që mundësojnë organizimin politik. Besoj se njerëzit e mbledhur në PSD tashmë e dëshmuan këtë.
“Epoka e re”: Ky subjekt politik përfaqësohet në Kuvend me 12 deputetë dhe qeveris dy komuna, Prishtinën dhe Kamenicën. Çfarë e ka dalluar këtë subjekt politik nga të tjerat?
Gorani: Mendoj se ajo që e karakterizon PSD-në është përpjekja e vazhdueshme që të ofrojë zgjidhje të problemeve dhe vështirësive me të cilat përballet shoqëria jonë. Më specifikisht, të ofrojë zgjidhje që janë në frymë të programit tonë politik që promovon drejtësi sociale, solidaritet shoqëror dhe shtet funksional. Shembull, prej këmbënguljes sonë parlamentare për ta aprovuar Ligjin për Pagat, kundërshtimit të projekteve të dëmshme si ky i “Contour Global” për termocentralin e ri, formulimit të strukturës negociatore në procesin me Serbinë e deri te angazhimi aktual për ta ngritur vlerën e pagës minimale, PSD-ja përpiqet që në skenë politike ta promovojë përkufizimin e politikëbërjes si angazhim për zgjidhje të problemeve, e jo vetëm të konstatimit të tyre.
“Epoka e re”: Kritikat më të mëdha PSD-së i kanë ardhur nga dy subjektet opozitare, LDK-ja dhe LV-ja. Madje vazhdimisht ua përmendin edhe disa sondazhe, sipas të cilave, PSD-ja nuk del mirë. Pse ky agresivitet i opozitës ndaj një subjekti opozitar?
Gorani: Patjetër, burimi i këtyre kritikave ndërlidhet me ngjarjet që i paraprinë strukturimit të sotëm të PSD-së. Largimi nga Lëvizja Vetëvendosje, themelimi i një grupi të pavarur të deputetëve dhe, tutje, përbashkimi i tyre për vazhdim të angazhimit përmes rimendimit të një subjekti politik, shkaktuan reagime kritike në opinionin publik, përfshirë këtu edhe këto parti aktualisht opozitare. Jo rrallëherë këto reagime ishin panevojshëm të ashpra, të shkaktuara nga moskuptimi i kontekstit politik dhe, veçanërisht, nga keqinterpretimi i përpjekjeve tona që në politikë të insistojmë në efikasitet të veprimit, e jo vetëm në performancë kundërshtuese dhe opozitarizëm formal. PSD-ja është subjekt opozitar. Mirëpo, të jesh opozitë nuk nënkupton vetëm kundërshtim. Shkathtësi opozitare është ta gjesh mënyrën që ta detyrosh pushtetin që t’i pranojë dhe t’i zbatojë iniciativat e tua programore e shoqërore. Mendoj se kundërshtimi rutinor i një pushteti të ditës, pa ndonjë program apo qëllim, paraqet një formë të konformizmit politik: një qasje e tillë është reaktive dhe pasivizuese meqë nuk të detyron në angazhim dhe kreativitet të mendimit dhe të veprimit. PSD-ja përpiqet të promovojë opozitarizëm aktiv, duke imponuar agjendën e vet partiake përmes komunikimit dhe bashkëpunimit, e jo vetëm përmes mospjesëmarrjes dhe refuzimit. Mendoj se në vitet e fundit është shtrembëruar tej mase definicioni i opozitarizmit, duke u reduktuar vetëm në gatishmëri për konfrontime grupore dhe përplasje personale. Kjo nuk po i ndihmon debatit racional shoqëror meqë po e mirëmban përshtypjen se politika shtetërore s’është tjetër veçse fushëbetejë morale mes ‘të mirëve’ dhe ‘të këqijve’. Një qasje e tillë po e vazhdon iluzionin se një pushtet i ditës na qenka i imponuar dhunshëm, e jo i zgjedhur me votë. Sado e pakëndshme, e vërteta aritmetike është se qeveritë tona fitojnë pushtetin përmes votës së qytetarit. Ky fakt nuk mund të zhbëhet vetëm me përsëritje të frazave mbi ‘zaptimin e institucioneve’ dhe ‘kapjen e shtetit’. Pa dyshim, tradita e qeverisjes në Kosovë është ajo e korrupsionit, nepotizmit dhe klientelizmit, mirëpo kjo nuk zhbëhet dot vetëm përmes refuzimeve, vajtimeve e konfrontimeve. PSD-ja beson se vetëdija e përgjithshme shoqërore mund të avancohet edhe përmes zgjidhjeve adekuate qeverisëse. E ato duhet të imponohen vazhdimisht, pavarësisht asaj nëse jeni në pushtet apo në opozitë. Vetëm kësisoj, politika si përpjekje për të mirën e përgjithshme fiton kuptim.
“Epoka e re”: Qeveria aktuale po i bënë dy vjet. Cili është vlerësim juaj për qeverisjen e PAN-it?
Gorani: Mendoj se qeverisja aktuale paraqet version paksa më të banalizuar të traditës së qeverisjeve të deritashme, të përqendruara në pushtetëzim dhe pasurim të një grupi të vetëm shoqëror që përkufizohet rajonalisht, historikisht dhe kulturalisht. Asgjë e re kjo, për logjikën politike të pasluftës. Megjithatë, ndryshe prej koalicioneve të mëhershme qeverisëse, ky i sotmi është shumë më fragjil dhe më i varur nga përkrahja parlamentare. Kjo nënkupton se pjesa më e madhe e projekteve të dëmshme të tij mund të ndalohen relativisht lehtë përmes kundërshtimit parlamentar. Në anën tjetër, kjo mungesë e fuqisë për projekte ambicioze po e detyron që t’i shpërdorë skajshëm fushat e vetme që i kontrollon, si punësimet partiake në sektorin publik dhe malverzimet brenda tij. Mirëpo, edhe kjo po shkakton përplasje të vazhdueshme mes numrit tepër të madh të partnerëve të koalicionit, andaj mbijetesa e tij është sfidë e përditshme. Sidoqoftë, sado jostabil përbrenda dhe konfliktoz për së jashtmi, duket se fati i këtij koalicioni është i lidhur ngushtë me procesin politik në mes të Kosovës dhe Serbisë. Në fakt, vazhdimi i këtij procesi përbën edhe arsyen kryesore të formimit të tij, gati dy vjet më herët. Andaj, nuk duket të ketë ndonjë interesim real, as lokal e as ndërkombëtar për rrëzimin e tij. Kryesisht, opozita parapëlqen mundësinë që kjo qeveri të jetë ajo që e përmbyllë këtë proces, nga frika se rezultati i tij do të jetë i pakëndshëm për vendin. Në anën tjetër, qeveria përpiqet ta shohë të kundërtën: përmbyllja e procesit do t’ia mundësonte asaj rritjen e popullaritetit dhe, rrjedhimisht, vazhdimin e pushtetit. Në fakt, taktizimet e këtilla e sollën mbarë procesin në pikën ku ndodhet aktualisht: në paralizë të plotë, të brendshme dhe të jashtme. Pjesa më e madhe e opozitës i druan pjesëmarrjes në të, kurse pushteti i druan vendimmarrjes në të. Një situatë tipike për politikën kosovare.
“Epoka e re”: Ju jeni një nga anëtarët e ekipit negociator për bisedime me Serbinë. A ka ndryshuar diçka ky proces nga Samiti i Berlinit dhe cilat janë pritjet e juaja nga Samiti i Parisit, ku do të diskutohet vetëm për këtë çështje?
Gorani: Samiti i Berlinit u përpjek ta ripromovojë një qasje sa tradicionale për Evropën Perëndimore aq edhe bashkëkohore për Ballkanin e helmuar me nacionalizëm etnik: atë se kufijtë e shteteve nuk janë domosdoshmërisht kufij të kombeve etnike. Aty kjo u shpalos edhe si formë e kundërshtimit ndaj përsiatjeve gjeopolitike të vitit të kaluar që përqendroheshin në botëkuptimin e ‘zgjidhjes së thjeshtë’ për ‘problem të thjeshtë’, e që nënkuptonte shkëmbim territorial për popullata me qëndrime dhe histori antagoniste. Tash diçka tjetër është se deri në ç’masë synimet ambicioze të Samitit të Berlinit do të jenë të kuptueshme, të pranueshme dhe të zbatueshme brenda realiteteve politike e shoqërore të Kosovës dhe Serbisë. Kjo mbetet të shihet nga koha dhe mënyra se si do të rifillojë procesi i bisedimeve. Për aq sa po shoh, në këtë diskutim po mungojnë dy komponentët kryesorë që do ta mundësonin një përmbyllje të suksesshme: zotimi për njohje të shtetësisë së Kosovës nga ana e Serbisë dhe ai për perspektivë zgjeruese evropiane për rajonin, nga ana e BE-së. Nuk shoh shumë arsye për vazhdim kuptimplotë të procesit pa demonstrim formal të këtyre zotimeve.
“Epoka e re”: Nga Samiti i Berlinit u pa se Gjermania dhe Franca kanë marrë rol prijës në këtë proces. Po roli i ShBA-së, cili duhet të jetë?
Gorani: Edhe pse retorike, mendoj se kjo pyetje është e pavend. Roli i ShBA-së nuk mund të reduktohet e as të vendoset në kontekst të imagjinuar të një konfrontimi evroamerikan. Mendoj se pohimet e këtilla burojnë nga mosnjohja e thellë e qasjeve ndërkombëtare karshi çështjes së Ballkanit. Sikurse BE-ja, ashtu edhe ShBA-ja, po përpiqen të gjejnë zgjidhje përmbyllëse për një problem politik në Ballkan i cili po zgjat panevojshëm shumë, edhe pse me rëndësi tepër të vogël për botën. Ky proces duhet të përmbyllet patjetër meqë vazhdimi i ekzistimit të tij është i pakuptimtë dhe i paarsyetueshëm për botën e zhvilluar. Sipas tyre, duhet ndërprerë logjika e mirëmbajtjes së tensioneve etnike që prodhojnë qeverisje populiste, e të cilat, rrjedhimisht, plaçkitin shoqëritë e veta duke i dëmtuar ekonomikisht, kulturalisht dhe, madje, demografikisht. Çfarëdo zgjidhje që mund të arrihet përmes procesit negociator do të jetë e suksesshme vetëm nëse përkrahet dhe mbështetet nga instancat ndërkombëtare me fuqi vendimtare për rajonin. Këtu, roli i ShBA-së dhe i BE-së, është i pakontestueshëm.
Muhamet KOCI