Fati i Shqipërisë dhe Maqedonisë Veriore në duart e Holandës
Nëse Shqipëria dhe Maqedonia Veriore do të fillojnë bisedimet e pranimit me Bashkimin Evropian varet nga parlamenti holandez, shkruan portali holandez “NOS”.
Dhoma e Ulët e parlamentit holandez po debaton sot rreth zgjerimit të Bashkimit Evropian me Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore.
Të dy vendet kanë punuar së bashku për vite të tëra për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, por deri tani gjithmonë janë lënë në pritje. Në mënyrë të veçantë Holanda është e mendimit se vendet – veçanërisht Shqipëria – nuk janë ende të gatshme për t’u anëtarësuar.
Më parë, Gjermania ishte gjithashtu kundër fillimit të negociatave të pranimit, por parlamenti gjerman kohët e fundit vendosi të pajtohej për bisedimet. Bundestagu gjerman kërkon që Shqipëria dhe Maqedonia Veriore të plotësojnë një numër kushtesh, të tilla si përmirësimi i funksionimit të gjykatave dhe trajtimi i krimit të organizuar.
Sipas Bert van Slooten, korrespodent në Bruksel, këto janë të njëjtat kushte që përcakton Holanda. Megjithatë ai nuk e di nëse debati sot do të çojë në të njëjtin përfundim. “Është sigurisht një hap i madh për Holandën që papritur të bie dakord për bisedimet e pranimit.”
Korrupsioni dhe krimi
Argumenti më i rëndësishëm i Holandës për mospajtimin në çeljen e bisedimeve është korrupsioni dhe krimi i organizuar në Shqipëri dhe Maqedoninë Veriore.
“Supozoni se një kompani holandeze investon në ato vende, padyshim që nuk dëshiron të përballesh me ryshfet,” shpjegon Van Slooten.
Përkrahësit e hapjes së negociatave – të tilla si Italia, Austria dhe shumë vende të Evropës Lindore – besojnë se ata mund të drejtojnë më mirë Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore nëse janë anëtare të Bashkimit Evropian.
Përveç kësaj, përkrahësit kanë frikë edhe nga sferat e ndikimit rus, shpjegon Van Slooten.
“Rusia po investon shumë para në këto vende. Vendet anëtare të BE kanë frikë se rusët do të marrin gjithnjë e më shumë ndikim dhe destabilizojnë gjërat.”
Për të kufizuar atë ndikim rus, përkrahësit dëshirojnë të tërheqin Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore në Bashkimin Evropian.
Salla e pritjes së përjetshme të BE-së
Për momentin, Shqipëria dhe Maqedonia Veriore janë në dhomën e pritjes së BE-së. Dhe ato nuk janë vetëm:
Turqia është vend kandidat që nga viti 1999 dhe filloi negociatat në 2005.
Mali i Zi vend kandidat që nga viti 2010 dhe ka negociuar që nga 2012.
Serbia vend kandidat që nga 2012 dhe filloi negociatat në vitin 2014.
Bosnja dhe Hercegovina dhe Kosova janë ende në pritje të statusit të kandidatit.
Si Shqipëria ashtu dhe Maqedonia Veriore janë duke punuar shumë për të përmbushur kërkesat e BE-së.
Në veçanti, Maqedonia Veriore po përparon mirë. Vendi ndryshoi emrin e Maqedonisë në Republikën e Maqedonisë Veriore në fillim të këtij viti. Ky ishte një kompromis që i dha fund konfliktit me Greqinë, e cila insistonte për një emër të ri sepse një krahinë në Greqinë veriore quhet gjithashtu Maqedoni. Ky ndryshim i emrit ishte një kusht i rëndësishëm për anëtarësimin në BE. Për më tepër, vendi po lufton korrupsionin.
Qeveria shqiptare po merret me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Për shembull, muajt e fundit qeveria hetoi të gjithë gjyqtarët në vend. Ata duhej të tregonin llogaritë e tyre bankare dhe të hiqnin dorë nga pasuria e tyre e paluajtshme.
Gjyqtarët të cilët nuk mund të shpjegonin pse kishin shuma të mëdha në llogaritë e tyre ose zotëronin disa shtëpi u larguan nga sistemi.
Ndërkohë, dyqind gjyqtarë janë dënuar derisa gati gjashtëdhjetë për qind e tyre nuk do të kthehen në gjykatë për korrupsion në të kaluarën.
Pas debatit të sotëm, Stef Blok, Ministri i Jashtëm, do të shprehë mendimin holandez në takimin e BE në Luksemburg këtë fundjavë. Vetëm atëherë do të merret një vendim zyrtar për pranimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë Veriore në Bashkimin Evropian./oranws/