FATI SIPAS MËNYRËS SARAJEVASE

20 gusht 2019 | 11:16

IZET SARAJLIQ

 

FATI SIPAS MËNYRËS SARAJEVASE

Në Sarajevë
në beharin e 1992-shit
gjithçka është e mundur;
pret në radhë për bukë,
përfundon këmbëprerë
në traumatologji.

E thua se
kishe fat.

MIQVE NGA JUGOSLLAVIA E DIKURSHME

Çfarë ndodhi miq, kështu brenda natës?

Nuk e di
çka punoni.

Çka shkruani.
Me cilin pini.

Çfarë librash lexoni.

Madje, nuk e di
a jemi më miq.

 MOTRAT

Esenini i kishte
Shurën dhe Kaçën.

Majakovski i kishte
Ludmillën dhe Olën.

Unë i kisha
Ninën e Razën.

Dhe – të gjitha vdiqën.
Raza e Nina
në distancë prej pesëdhjetë ditësh.

Vdiqën
ose i vranë pa plumba?

Tani patjetër
të kërkoj diku një motër të re.

Nuk mundem assesi
mos me qenë vëlla.

DJEGIA E LIBRAVE
Eso Ramadanoviqit

Në shenjë proteste kundër indiferencës
së opinionit publik të botës
disa anëtarë të Shoqatës së Shkrimtarëve
paralajmëruan për sot
djegien publike të librave.

Në kumtesë, lexoj,
qenka dhe emri im.

Kuptohet

shpirti im është në çdo protestë
kundër indiferencës së botës,

por kurrë
s’do t’i djeg librat.

Së pari, se i dua,
së dyti, më mirë se sa ta djeg
do t’ia fal librin Ismarës,
farmacistes së ardhshme zvicerane,
për ta kujtuar ditën
kur në kulmin tim
mbushte me to gropat e hapura prej granatave.

IZET SARAJLIQI

Izet Sarajliqi lindi në Sarajevë më 1930, kurse ndërroi jetë më 2002. Pas studimeve në Fakultetin Filozofik në Sarajevë, pjesën më të madhe të jetës e kaloi në Shtëpinë Botuese Veselin Maslesha të Sarajevës. Ka botuar disa përmbledhje me poezi. Librin e parë Fundjavë gri e botoi në vitin 1949. Më 1954 krijoi Grupin 54, i cili u dha shtysë rrymave të reja poetike në Bosnjë dhe Hercegovinë. Më 1953 u përjashtua nga Lidhja e Shkrimtarëve e Bosnjës dhe Hercegovinës për shkak të mendimeve disidente. Sarajliqi ka qenë anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Bosnje dhe Hercegovinës dhe 17 ditë kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Jugosllavisë. Është konsideruar një prej autorëve kryesorë të Evropës Lindore, i kandiduar edhe për çmimin Nobel për letërsi. Në vitin 1978 ndërmarrja botuese Rilindja në Prishtinë i botoi librin Kërkoj rrufë për emrin tim të përkthyer nga Azem Shkreli, Enver Gjerqeku, Qerim Ujkani, Ali Podrimja, kurse në vitin 2017, nga shtëpia botuese Armagedoni, po në gjuhën shqipe i është botuar libri Përmbledhja sarajevase e luftës, përkthyer nga Salajdin Salihu. Poezitë e Izet Sarajliqit janë përkthyer dhe botuar në: italisht, frëngjisht, holandisht, gjermanisht, shqip, sllovenisht, rusisht, lituanisht, anglisht, turqisht, maqedonisht, spanjisht, në gjuhën polake e në disa gjuhë të tjera të botës.

(Përktheu nga boshnjakishtja: Salajdin Salihu. Marrë nga numri i parë i revistës “Akademia”)

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dëshirojmë te informojmë publikun se fluturimet e parapara nga ora…