Fatlum Hajredini, një emër i ri në shkencën botërore
Lulzim Sahiti
Vullneti për të fituar njohuri e dije të avancuar është sfidë në vete për secilin studentë. Mirëpo për të kapërcyer barrierat gjatë rrugës, njeriu duhet të jetë gjithmonë këmbëngulës në realizimin e ëndrrës që ka synim para vetës. Një rast të tillë kishte edhe ish-studenti i Universitetit të Prishtinës, Fatlum Hajredini nga Shtimja, i cili në vitin 2010 kishte arritur me sukses të regjistrohet në Fakultetin e Mjekësisë për të ndjekur studimet në programin: Mjekësi e Përgjithshme. Gjatë studimeve, Fatlumi kishte treguar një interesim të jashtëzakonshëm për të fituar njohuri të përgjithshme për shkencat bazike, ku përshtypje të veçantë i kishte bërë biologjia molikulare.
Në Universitetin e Prishtinës ishte mundësia për ndërrimin e drejtimit nga Mjekësia e Përgjithshme për të studiuar në Fakultetin e Biologjisë, mirëpo duke ditur nivelin e arsimit në vendin tonë, Hajredini kishte zgjedhur Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai shprehet kam kontaktuar në Nju Jork me motrën time, Yllka Hajredini (tash auditorë në Citi Bank-New York), e cila atje studionte në Fakultetin Ekonomik për Kontabilitet. Ajo i kishte përshkruar hollësisht mundësitë e studimit me vetëfinancim. Pra duke punuar dhe njëherit duke paguar shkollimin. Hajredini nga vullneti i madh që kishte, në vitin 2012 menjëherë kishte bërë transferimin prej Universitetit të Prishtinës në City University of New York (CUNY). Me të shkuar atje, ai kishte pasur telashe ngase asnjë provim të lëndëve të dhëna nuk i ishin pranuar.
Domethënë dy vitet e përfunduara në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë atje nuk ishin marrë për bazë fare. Edhe pse kurrikula mësimore ka qenë e njëjtë me të Kosovës, megjithatë provimet nuk mi kanë njohur asnjë, tregon Hajredini. Me këtë rast, ai detyrohet sërish të fillon mësimet nga e para. Për katër vite rresht, Falum Hajredini kishte përfunduar me sukses studimet duke marrë titullin Baçelor i Biologjisë. Mandej, për të avancuar njohuritë e mëtutjeshme në lëndën e matematikës, shkenca kompjuterike dhe kimi kishte vazhduar edhe një vit të plotë në të njëjtin fakultet. Pastaj, në vitin 2017 ai ka vazhduar studimet postdiplomike në Center for Discovery and Inovation (CDI) The City College of New York (CCNY), ku aktualisht është në vitin e katërt të doktoraturës për Bio-Kimi. Në vitin e pestë, Fatlumi planifikon të përfundon studimet e doktoraturës (PhD).
Motivimin për punë e kam si rezultat i punës profesionali të profesorëve të Universitetit të Prishtinës, gjë që më ka ndihmuar shumë në Amerikë. Njëri nga ta që mund të veçoi është asistenti Mentor Sopjani, i cili më ka ndihmuar në pjesën laboratorike të biologjisë. Ai në Fakultetin e Mjekësisë ka ligjëruar si asistent për lëndët biologji me gjenetikë, biologji molekulare dhe biologji qelizore. Përdryshe ky ka qenë njëri ndër ata që më ka inspiruar më së shumti të dalë jashtë vendit për të bërë studime shkencore. Në të ardhmen, Fatlumi ka për synim të merret me projekte shkencore në Amerikë, kurse në Kosovë nëse i jepet mundësia në UP do të ligjëronte për qasjen në informatikë dhe se si shkruhet një përmbledhje shkencore duke bërë shqyrtimin e problemeve.
Krahas angazhimit në Qendrën për Zbulim dhe Inovacion në Kolegjin e qytetit të Nju Jorkut, Fatlumi ka bërë publikime në revistën shkencore: “Science Advances”. Në këtë revistë prestigjioze ka publikuar punimin shkencor me titull: “Long-range dynamic correlations regulate the catalytic activity of the bacterial tyrosine kinase Wzc”, Publikime tjera shkencore me grup autorësh, Fatlumi ka botuar edhe në revistat tjera shkencore: “Journal of molecular biology” dhe “Biophysical Journal”.
Gjatë vitit 2020, shkencëtari i ri kosovar, Fatlum Hajredini ka marrë ftesë për pjesëmarrje në Takimin e Lauratëve “Lindau Nobel”. Ai ishte në mesin e më shumë se 600 shkencëtarëve të rinj premtues të zgjedhur për Takimin e Laureatëve “Lindau Nobel” që mbahet për herë të 70-të në qytetin Lindau të Gjermanisë. Në këtë vend tradicionalisht mbahet takimi i disa prej mendjeve më premtuese shkencore të botës dhe gati 70 laureatëve të Nobelit në shkenca natyrore. Mirëpo shkaku i pandemisë Covid-19, takimi që parashihej të mbahej prej 28 qershorit e deri më 3 korrik 2020 është shtyrë për vitin 2021.
Bio-kimisti Hajredini, e fitoi biletën e tij për në Lindau pas një procesi shumë konkurrues të përzgjedhjes me dy nivele, tregon Hajredini. Ai kishte dalur në krye të klasës midis kolegëve të tij të nominuar nga Divizioni i Shkencës në City College dhe më pastaj kishte paraqitur një paketë të suksesshme aplikimi për organizatorët e Takimit në Lindau. Paketa përfshinte një ese, CV-në e tij, detaje të hulumtimit të tij dhe regjistrimet e botimeve të tij. Hulumtimi ndërdisiplinor i Hajredinit në Qendrën e Kolegjit të Qytetit për Zbulim dhe Inovacion (CDI) përfshin fushën e fizikës, kimisë dhe biologjisë.
Prandaj, mbajeni mend këtë emër. Ky është shkencëtari më i ri kosovar, shtimjani ynë, Fatlum Hajredini. Ky është krenaria e Shtimes, për të cilin kontribut të veçantë kanë prindërit e tij, mësuesja Lebibe dhe profesori i gjuhës dhe letërsisë shqipe, Abdyl Hajredini.