Fatmir Humolli jep dorëheqje nga AAK-ja
Ish-kandidati i AAK-së për kryetar të Podujevës, Fatmir Humolli, ka dhënë dorëheqje nga partia e Ramush Haradinajt.
Humolli ka shkruar në llogarinë e vet në Facebook, se po ndjehet i tradhtuar nga premtimet e pambajtura të Haradinajt dhe AAK-së si dhe nga paqëndrueshmëria e tyre.
E, kjo e ka çuar atë në dorëheqjen nga partia.
Ky është shkrimi i plotë Humollit:
Të nderuar qytetarë, bashkpunëtorë e miq,
Vite më parë Aleancës iu bashkova duke e parë si parti me potencial për të ndryshuar gjërat në vend, duke besuar se ka guximin dhe qëndrueshmërinë e duhur për t’i çuar përpara proceset e mëdha, pashë në të mundësinë e ndikimit tim dhe frymës që unë me rrethin tim përfaqësojmë.
Ishim bashkë kundër keqqeverisjes së vendit, ishim bashkë në formacione të ndryshme opozitare e protestuese, bashkë me shumë qytetarë ishim për kundërshtimin e dy temave më të rëndësishme e më të përfolura viteve të fundit, atë të Asociacionit dhe të Demarkacionit në veçanti.
Lobuam kundër kësaj marrëveshjeje (duke e ditur se sa e dëmshme është) dhe u thirrëm në të edhe gjatë fushatës zgjedhore, premtuam se kjo marrëveshje do të rrezohet në Kuvendin e Republikës dhe se nuk do t’i nënshtrohemi presioneve dhe shantazheve të askujt, pa përjashtime, në ndalimin e kësaj të keqe qe po i kanosej Kosovës.
Premtuam se kufiri do të vendoset në Kullë e në Qakorr, premtuam se do të ketë qeverisje ndryshe nga ajo që kemi parë deri tani.
Pikërisht për këto veprime dhe premtime që ne i bëmë, sot Aleanca është në krye të Qeverisjes.
Pikërisht për këto premtime të pa mbajtura dhe veprimet e tanishme të Aleancës dhe kryetarit Ramush Haradinaj që janë në kundërshtim direkt me veprimet sa ishim bashkë në opozitë dhe në koalicion me qytetarët e vendit, për shkak të kësaj paqëndrueshmërie politike dhe tjetersimin e partiseë duke u shndërruar në një subjekt labil politik, une sot ndihem i tradhëtuar ashtu siç ndihen shumë votues të AAK-së, e veçanërisht votuesit të cilët i përfaqësoj unë!
Prandaj, me anë të kësaj letre dua të ju njoftoj për dorëheqjen time nga të gjitha pozitat në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.
Dorëheqja ime është e matur mirë dhe paraqet hapin e fundit të parevokueshëm pas një serë hapash të tjerë, kritikash dhe paralajmerimeve drejtuar kryetarit të Aleancës!