Fatmir Limaj prezanton kandidatin për deputet, Gani Bajraktarin
Lideri i NISMA-s, Fatmir Limaj ka prezantuar kandidatin e radhës për deputet, Gani Bajraktari.
Ai në Facebook njoftoi se Bajraktari është doktor dhe profesor.
Postimi i plotë:
Kam nderin dhe knaqësinë që ta prezantoj para jush, kandidatin e radhës për deputet nga NISMA Socialdemokrate, z. Gani Bajraktari.
Prof. Bajraktari u diplomua në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës në vitin 1990. Ai ka mbaruar specializimin në Mjekësi Interne – Kardiologji në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (Tiranë, Shqiperi) në vitin 1997.
Ka mbaruar shumë trajnime në Kardiologjinë Klinike dhe Ekokardiografi në Itali (Spitalin Publik në Bassano del Grappa, Spitalin Publik në Magenta dhe “Niguarda CaʹGranda Hospital”-Milano), Francë (Spitali Publik i Annemasse) dhe në Zagreb (Qendra Klinike Rebro). Ai gjithashtu ka mbaruar Kursin e Kardiologjisë Intervente në Qendrën Silesiane për Sëmundje të Zemrës në Zabrze, Poloni.
Ai ka mbaruar Studimet Pasuniveristare dhe ka mbrojtur Tezën e Magjistraturës (në Fakultetin e Mjekësisë, Universiteti i Zagrebit, Kroaci), në fushën e stres-ekokardiografisë.
Ai ka mbrojtur tri doktoratura në fushën e Kardiologjisë Klinike: në Fakultetin e Mjekësisë, Universiteti i Prishtinës (2002), në Semmelweis University në Budapest, Hungari (2006), dhe në Umea University, Umea, Suedi (2014).
Aktualisht, ai është Profesor i Rregullt për Mjekësi Interne – Kardiologji në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës, Kryetar i Shoqatës së Kardiologëve të Kosovës, Kryesues i Grupit Punues për Pamjaftueshmëri të Zemrës (Shoqata e Kardiologëve të Kosovës), si dhe është emëruar Profesor në Deparatmentin për Shëndetësi Publike dhe Mjekësi Klinike (Umea University, Suedi).
Profesor Bajraktari ishte Dekan i Fakultit të Mjekësisë, Universiti i Prishtinës, nga 2009 deri 2011. Ai ishte Drejtor i Klinikës Interne në dy mandate, si dhe Drejtor i Klinikës së Kardiologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Ai ishte Shef i Katedrës së Mjekësisë Interne, në Fakultetin e Mjekësisë, Universiteti i Prishtinës nga viti 2012-2017.
Pjesëmarrja e prof. Bajraktarit në listën tonë është vlerë e shtuar për subjektin tonë politik.
Urime e suksese të përbashkëta miku im Gani!