Fatmir Limaj tregon prioritetet e tij si kryeministër
Kandidati për kryeministër i koalicionit Nisma-AKR-PD, Fatmir Limaj, ka qenë i ftuari i radhës nga Lëvizja Fol në kuadër të Forumit “Fol Hapur”, me kandidatë për kryeministër.
Limaj ka thënë se si kandidat për kryeministër ka disa prioritete për qeverinë e ardhshme pas 6 tetorit.
Ai ka përmendur si prioritete dialogun, politikën e jashtme, bujqësinë dhe zhvillimin ekonomik.
“Ka ardhur një moment ndoshta edhe i vonuar që Kosova të jetë me një qeveri reformatore. Funksionimi dhe ambiciet e vendit janë duke u rritur deri tek obligimeve tonë drejt integrimit të vendit. Kam disa prioritet, kryesori është dialogu dhe politika e jashtme, pastaj bujqësia për zhvillimin ekonomik të vendit si dhe mundësi për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme”, ka thënë Limaj.
Lideri i Nismës Socialdemokrate ka bërë me dije se një ndër prioritetet tjera të tij janë edhe paketat sociale, shtesat e fëmijëve dhe periudha e lehonisë.
Gjithashtu, ai ka përmendur edhe sigurimet shëndetësore. “Nuk mund te kemi një shëndetësi të mirë nëse nuk kemi sigurime shëndetësore”, ka thënë ai.
Limaj ka theksuar se do të punojë në zhbllokimin e dialogut me Serbinë. “Në tavolinën e time do të jetë zhbllokimi i dialogut me Serbinë. Të mos kthehemi në situatën qe kemi qenë. Të tregojmë seriozitetin tonë, që ne jemi të gatshëm. Kur është ngritur taksa është ngritur zhvillimi ekonomik i vendit. Duhet të kemi një negociatë me taksën për t’u zhvilluar dialogu”, ka thënë Limaj.