Fatmir Mediu tregon si qëndron e vërteta rreth dorëzimit të mandatit
Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, ka sqaruar për ”Ora News” të vërtetën në lidhje me dorëzimin e mandatit të deputetit.
Mediu tha se ndodhet në Vjenë dhe sapo të kthehet në Tiranë, do të firmosë dokumentin njësoj si deputetët e tjerë të opozitës.
Pjesë nga intervista:
Është përfolur në media se ju nuk keni dorëzuar mandatin tuaj?
Unë kam dy ditë në Vjenë. Kjo është qesharake. Unë kam bërë një deklaratë si deputetët e tjerë të opozitës. Mandati im është mandati i qytetarëve demokratë. Nuk është vënë ndonjëherë në diskutim ajo çka kërkojnë dhe vendosin qytetarët. Unë nuk kam mandat. Në momentin e parë që do të jem në Tiranë do të kryej të gjitha aktet formale për ta bërë. E kam bërë deklarative publike dhe do formalizojë.
Nuk ka mundësi që nga Vjena për ta bërë, sepse ligjërisht nuk do të ishte e qëndrueshme. Jam këtu për të përfaqësuar zërin e opozitës dhe të qytetarëve dhe sa të kthehem do të bëj të njëjtin veprim si kolegët e mi. Vendimi im është i koordinuar me z.Basha.
Vetëm pak minuta më parë DASH ka bërë një deklaratë për mos lënien e mandateve. Ju si e shihni?
Ka një shqetësim ndërkombëtar sepse Parlamentin futet në ngërç, por ngërçi i parë është kur Parlamenti është i manipuluar dhe jo i dalë nga zgjedhjet e lira. Nuk mendoj se qytetarët shqiptarë duan një Parlament fasadë, i cili u shërben interesave korruptive dhe kriminale por një Parlament i zgjedhur nga qytetarët. Kemi prova të qarta edhe nga Zëri i Amerikës edhe nga Prokuroria, edhe nga ndërkombëtarët, blerjen masive të votave.
Unë nuk mendoj se ka dëshmi më të qartë se kaq për të kuptuar që Parlamenti ka prodhuar qeverisje ilegjitime. Këto mandate ilegjitime duhet të marrin fund.