Fatmir Sejdiu është i vetmi që mund ta shpëto(nte)jë LDK-në
Shkruan: Kamber Kamberi –
(Këmbanat e fundit)
Në rrethanat e krijuara tashmë dhe në gjendjen aktuale të LDK-së, pa dashur të lëshohem në analizë shkak-pasojë, personi që duhej të ishte në krye të kësaj Partie është Prof. Dr. Fatmir Sejdiu (pikë).
Arsyet janë të shumta, por po i veçoj disa nga këto:
Fatmir Sejdiu vjen nga një familje me traditë të pastër atdhetare;
Fatmir Sejdiu është në LDK, që nga themelimi i saj (1989);
Është personalitet i ditur, me përgatitje të lartë, ka reputacion dhe autoritet në opinion, ka thjeshtësinë e liderit, është trim, elokuent, bashkëpunues, kolegial, besnik dhe nuk është konfliktuoz;
Është njëri nga bashkëpunëtorët më parimor, më të afërt e më besnik të Presidentit Ibrahim Rugova;
Fatmir Sejdiu është njeriu i vetëm nga udhëheqja e LDK-së që ka vizituar të gjitha regjionet e Kosovës që nga viti ’90 e deri më sot;
Ka vizituar dhe ka marrë pjesë pothuajse në të gjitha aktivitetet, ndodhitë, përvjetorët etj. në Kosovë dhe jashtë saj;
Fatmir Sejdiu është i vetmi që i ka njohur dhe i njeh më së miri strukturat e LDK-së që nga themelimi, nisur nga aktivet, nëndegët dhe degët e saja të shtrira në Kosovë dhe në diasporë;
Fatmir Sejdiu, është i pari ndër udhëheqësit e LDK-së, që është gjendur në të gjitha vendet e Kosovës ku ka pasur dhunë, persekutim, represion, vrasje, apo ngjarje të tjera me rrezikshmëri të paparashikueshme nga regjimi serb, (pa hezituar, trembur apo shmangur) duke rrezikuar kështu edhe jetën e tij;
Jo rastësisht është zgjedhur president pas vdekjes së Ibrahim Rugovës;
Është presidenti që u përball me shumë sfida në përpjekje për shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, të cilat i kaloi me elegancë e dinjitet;
Përfaqësoi denjësisht Kosovën në bisedime, samite, marrëveshje e forma të tjera në arenën ndërkombëtare;
Fatmir Sejdiu ka aftësinë dhe guximin të bashkëpunojë me të gjitha gjeneratat e anëtarësisë së LDK-së, pa dallim krahine, gjinie e përkatësie;
Fatmir Sejdiu, (jam krejtësisht i bindur) do të krijonte një klimë të përshtatshme që të riktheheshin fuqishëm kolegët e orëve të para të themelimit të LDK-së, të larguar, apo “të mënjanuar” si; Prof. Ibrahim Berisha, Prof. Zejnulla Rrahmani, Prof. Rexhep Gjergji, Prof, Rexhep Osmani, Prof. Berim Ramosaj. Prof. Eqrem Kryeziu, Prof. Anton Kolaj, etj., etj., të aktivizojë figura të shquara nga diaspora të cilët kanë zhvilluar aktivitete të shumta dhe kanë dhënë kontribute të çmuara në LDK, jo vetëm në vendet ku kanë jetuar e jetojnë, por çdo herë edhe aty ku e ka kërkuar nevoja e atdheu;
Do të ofronte mundësi bashkëpunimi e do të dëshmonte kolegjialitet për të gjithë të dëshpëruarit në momente të caktuara, që të ktheheshin në gjirin e LDK-së;
Do të bashkëpunonte dhe aktivizonte si më parë, Forumin e gruas së LDK-së dhe Forumin rinor të LDK;
Do të bashkëpunonte ngushtë me gjeneratat e mesme dhe të reja në kuadër të LDK-së, për reforma të domosdoshme dhe bashkërisht të krijonin menjëherë frymën optimiste në anëtarësi dhe të dëshmonin praktikisht me argumente të ringritjen e partisë;
Do t’ iu jepte përparësi dhe krijonte hapësirë vepruese kuadrove të reja dhe individëve të shquar;
Bashkërisht me kolegët me përvojë, do të bashkëpunonte ngushtë me gjeneratat e reja dhe do të përgatisin kuadro të afta për ta udhëhequr LDK- në të ardhmen.
Është gabimi më fatal që është bërë nga shumë anëtarë të vetëdijshëm apo të “blerë” në Kuvendi i LDK-së që me meskinitet mënjanuan Sejdiun dhe instaluan Mustafën, i cili në mënyrë perfide e betonoi pozicionin e tij në udhëheqje që solli vetëm përçarje e shkatërrim në vazhdimësi.
Gjendja aktuale kaotike në parti dhe turravrapet e pretendentëve (në mesin e të cilëve ka që nuk i dinë as anët e horizontit e lëre më historikun e shtetit të tyre) për ta vazhduar këtë “mision”, të nxitur nga grupe e klane të caktuara, me pretendime e interesa të ndryshme, do ta përkeqësojë edhe më LDK-në. Qepja e plagës së infektuar rëndë, pa përpjekje ekzaminimi dhe shërimi, domosdoshmërisht do të krijojë metastazë me pasoja fatale.
Është thjesht një mesazh mbase edhe kumt, për të gjithë ata që kanë dhënë dhe dëshirojnë të japin për LDK-në dhe të ardhmen e Republikës së Kosovës dhe më gjerë?!
Ndoshta kështu është misioni (sikurse edhe u vërtetua katërçipërisht) i liderit të deritashëm dhe shpurës së tij?!
Fali o Zot “ata” që (s’) dinë se çfarë bëjnë!
(Autori ka qenë deputet i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Lidhjes Demokratike rë Kosovës)