Fatmir Sejdiu me mesazh para Kuvendit Zgjedhor të LDK-së, bën thirrje për unitet
Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Fatmir Sejdiu, përmes një shkrimi në llogarinë e vet në “Facebook” ka folur për Kuvendin Zgjedhor të kësaj partie që do të mbahet më 3 gusht, ku do të zgjedhet kryetari i ri i saj.
Sejdiu në këtë shkrim nuk e konfirmon drejtpërdrejt nëse do t’i hyjë garës për kryetar të LDK-së, por ka thënë se LDK-ja është shtëpi që e ndërtuan bashkërisht dhe që duhet ta mbajnë të fortë.
“Është momenti që në Kuvendin e ardhshëm zgjedhor të LDK-së, të dëshmojmë vlerat tona demokratike dhe duke kurorëzuar me sukses procesin zgjedhor, kështu do të shkruajmë bashkërisht edhe një faqe të re të historisë sonë, që do të jetë shenjë se LDK-ja është partia më e besuar dhe më e organizuar në Kosovë. Me vizion të qartë dhe me lidership të zgjedhur në Kuvendin e ardhshëm që do të jetë përfaqësues i identitetit të një partie me vlera të dëshmuara politike, nacionale, humane dhe qytetare; si një forcë politike e përgjegjshme para interesave të qytetarëve të Kosovës, LDK-ja do të jetë e gatshme të marr përsipër drejtimin dhe qeverisjen e vendit në mandatin e ardhshëm që do të dalë nga zgjedhjet nacionale para nesh”, ka shkruar Sejdiu.
Shkrimi i plotë i tij:
-LDK-ja është shtëpi që e ndërtuam bashkërisht dhe që duhet ta mbajmë të fortë dhe madhështore, po bashkërisht.
Tashmë është përmbyllur procesi i zgjedhjeve të brendshme në nivel të të gjitha degëve të LDK-së.
Në përfundim të këtij procesi dëshiroj t’i uroj për zgjedhjen dhe marrjen e përgjegjësive të gjithë kryetarët e degëve të LDK-së, të zgjedhurit në të gjitha strukturat e degëve dhe nëndegëve, si dhe delegatët e Kuvendit të IX Zgjedhor, si përfaqësues të mijëra anëtarëve dhe simpatizantëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Bashkë me urimin, për punë të mbarë dhe suksese në përgjegjësitë që kanë marrë përsipër, dëshiroj të theksoj se Kuvendi i ardhshëm si përmbyllje kulmore e këtij procesi zgjedhor, duhet të jetë një kuvend i pasurimit dhe ringritjes së parimeve fundamentale mbi të cilat është themeluar dhe është ngritur LDK-ja e që janë thellësisht demokratike: liria, toleranca, konkurrenca, përgjegjësia dhe transparenca. Këto parime i dhanë identitetin fisnik, politik dhe qytetërues popullit dhe vendit tonë të dashur, Republikës së Kosovës, që ka për emblemë filozofinë e Presidentit historik të pavarësisë dhe shtetit të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, që u bë edhe shenjë respekti për Kosovën kudo në botë.
Në Kuvendin e ardhshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ne duhet të gjithë bashkë, me unitet veprimesh si një forcë politike prijëse, të mobilizohemi edhe njëherë për të realizuar plotësisht vizionin e Kosovës shtet i pavarur, sovran, e demokratik. Për ta bërë Kosovën një vend normal dhe me perspektivë të qartë të zhvillimit, në të cilin të gjithë duam të jetojmë. Një Kosovë në të cilën sundon rendi dhe ligji dhe që përparon shpejt në procesin e integrimit euroatlantik – në BE dhe në NATO, dhe që mban fuqishëm bashkëpunimin e miqësinë e përhershme me SHBA-të.
Me vizion e veprime të qarta dhe të vendosura, e bashkuar dhe me lidership të urtë të dalë nga Kuvendi i ardhshëm, LDK do të dëshmojë se është e fuqishme pikërisht se është parti e njerëzve të lirë dhe me përkushtim të madh demokratik. Ajo do të dëshmojë se është parti moderne ku realizohen potencialet e të gjitha gjeneratave, duke kombinuar fuqishëm traditën me modernen dhe duke zhvilluar dhe zbatuar parimet më të mira të qeverisjes bashkëkohëse. Si e tillë LDK si forcë politike e qendrës së djathtë dhe anëtare fuqiplotë në familjen e Partive Popullore Evropiane, do të dëshmohet si parti e së ardhmes evropiane të vendit tonë.
Kosova është duke kaluar në një fazë kritike tash e sa vjet. Prandaj, Lidhja Demokratike e Kosovës, si parti e vizionit të qartë dhe e veprimeve të qëndrueshme e të guximshme, i duhet më shumë se kurrë në udhëheqje vendit tonë.
Kosovës i duhet lidershipi i LDK-së i vendosur në mbrojtje dhe ruajtje të sovranitetit shtetëror dhe të integritetit territorial të Kosovës, që është të vënë në shënjestër nga veprimet e Serbisë të kamufluara në pakon e “dialogut me Kosovën”. Këto veprime të Serbisë janë thellësisht të orientuara në komprometimin e të gjitha proceseve që kanë sjellë pavarësinë e Kosovës, duke filluar nga vetë Akti i Pavarësisë në ditën e 17 Shkurtit 2008, njohjet e saj nga mbi 115 vende, fuqizimi i shtetësisë së saj që u konfirmua edhe me anë të Vendimit të GJND-së, si dhe luftimi i Kosovës duke e penguar anëtarësimin e saj në mekanizma ndërkombëtar.
Është momenti që në Kuvendin e ardhshëm zgjedhor të LDK-së, të dëshmojmë vlerat tona demokratike dhe duke kurorëzuar me sukses procesin zgjedhor, kështu do të shkruajmë bashkërisht edhe një faqe të re të historisë sonë, që do të jetë shenjë se LDK është partia më e besuar dhe më e organizuar në Kosovë.
Me vizion të qartë dhe me lidership të zgjedhur në Kuvendin e ardhshëm që do të jetë përfaqësues i identitetit të një partie me vlera të dëshmuara politike, nacionale, humane dhe qytetare; si një forcë politike e përgjegjshme para interesave të qytetarëve të Kosovës, LDK do të jetë e gatshme të marr përsipër drejtimin dhe qeverisjen e vendit në mandatin e ardhshëm që do të dalë nga zgjedhjet nacionale para nesh.
Siç e kam thënë edhe më parë, Lidhja Demokratike e Kosovës është vlerë sublime politike e Kosovës, ndërsa është detyrë e jona ta mbrojmë dhe ta zhvillojmë më tej këtë vlerë!
LDK është shtëpi që e ndërtuam bashkarisht dhe që duhet ta mbajmë të fortë dhe madhështore, po bashkërisht. LDK është shpresa dhe e ardhmja e këtij vendi.