Fatmir Sejdiu: Nuk ka kandidat konsensual për kryetar të LDK-së
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) nuk ka arritur ndonjë marrëveshje për një kandidat konsensual të partisë.
Kryesia e LDK-së po mban takime edhe sot, sikur gjatë gjithë javës, por që ende askush nuk ka treguar emrat e kandidatëve.
Fatmir Sejdiu, i cili ka shprehur gatishmërinë e tij që të jetë në krye të partisë, ka thënë për “KosovaPress” se nuk është pjesë e konsensusit të përfolur.
Sipas Fatmir Sejdiut, delegatët e Kuvendit të LDK-së në mënyrë të lirë dhe demokratike duhet të zgjedhin kryetarin e partisë, dhe në asnjë mënyrë këtij organi mos t’i imponohet asnjë kandidaturë.
“I pashë raportimet në media. Jo, unë nuk jam pjesë e këtij konsensusi të përfolur. Qëndrimet e mia lidhur me kandidaturën time i kam shprehur edhe publikisht dhe për këtë e kam njoftuar edhe kryetarin aktual të LDK-së z. Mustafa në takimin e djeshëm dhe kryesinë qendrore nëpërmes tij. Është e ditur që delegatët e Kuvendit si organi më i lartë i LDK-së, duhet të zgjedhin kryetarin e LDK-së, në mënyrë të lirë dhe demokratike dhe këtij organi nuk do të duhej t’i servohet e as imponohet asnjë kandidaturë”, thotë Sejdiu.
LDK nesër do të mbajë Kuvendin Zgjedhor, ku pritet të zgjidhet kryetari i partisë dhe Këshilli i Përgjithshëm.