Fatmir Sejdiu pritet ta paraqes kandidaturën për kryetar të LDK-së më 3 gusht
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) më 3 gusht do të mbajë Kuvendin Zgjedhor, ku do të zgjedhet kryetari i ri i kësaj partie.
Më 3 gusht kandidaturën për kryetar të LDK-së pritet ta paraqes edhe Fatmir Sejdiu, edhe pse në media më herët është përfolur edhe për emra të tjerë.
Burime të gazetës “Epoka e re” të afërta me Fatmir Sejdiun kanë konfirmuar se Sejdiu do t’i hyjë garës për postin e të parit të LDK-së.
“Deri më tani disponimi është edhe nga ana e z. Fatmir Sejdiu, një pjese të udhëheqjes aktuale dhe të një pjese të madhe të degëve, janë pro që z. Sejdiu ta paraqes kandidaturën për kryetar. Të shohim, kemi edhe disa ditë deri të Kuvendi Zgjedhor i LDK-së”, ka thënë ky burim për gazetën “Epoka e re”.
Gazeta ka bërë përpjekje për të marrë edhe një qëndrim të Fatmir Sejdiut, por ky nuk e ka hapur telefonin.
Sejdiu në deklarimin e tij për media nuk e ka përjashtuar mundësinë për t’i hyrë garës për kryetar të LDK-së.
“Kam një presion të madh pozitiv nga anëtarësia për të kandiduar për kryetar të LDK-së”, pati thënë Sejdiu në emisionin “Debat Plus” me Ermal Pandurin.
Ish-zyrtari i lartë i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Astrit Haraqija, ka treguar se kush mund të jenë pretendentët kryesorë për postin e kryetarit të LDK-së.
Në një intervistë që kishte dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se Lutfi Haziri, Fatmir Sejdiu, Kujtim Shala dhe Agim Veliu janë katër kandidatët që i kanë gjasat më të mëdha për ta drejtuar LDK-në.
“Secila prej kandidaturave të mundshme për kryetar të LDK-së që janë përmendur nëpër medie i ka vlerat e veta. Por kandidatë më seriozë për kryetar të LDK-së mendojnë se janë Lutfi Haziri, Fatmir Sejdiu, Kujtim Shala dhe Agim Veliu. Dikë tjetër nuk e shoh tani që mund të ketë ambicie për kryetar të LDK-së. Në situatën aktuale që është brenda LDK-së, këto katër figura i shoh pretendentët kryesorë për postin e kryetarit të LDK-së”, ka thënë Haraqija.
Ende nuk dihet nëse Isa Mustafa do të rikandidojë për të parin e LDK-së.
/Epoka e re/