Faton Klinaku: Derisa të bëhet ligji i ri, vlen ai i vjetri – të rritet paga minimale
Ushtruesi i detyrës së kryetarit i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Faton Klinaku, ka thënë se aplikimi, vlerësimi dhe verifikimi i veteranëve është bërë në bazë të ligjit.
Klinaku tha se derisa të bëhet ligji i ri, vlen ligji i vjetër.
Ai theksoi se duhet të rritet paga minimale dhe krahas saj veteranët të gëzojnë edhe beneficionet që lidhen me këtë ligj.
“Meqë zëdhënësi paska treguar në media se çfarë kanë sjellur te ne si propozime nga kryeministri Kurti, po e theksoj këtë: Aplikimi, vlerësimi dhe verifikimi i veteranëve është bërë mbi bazë të ligjit. Për çdo shkelje të ligjit janë organet kompetente, dhe pas thirrjeve tona, ka filluar proces gjyqësor dhe lënda është në gjykatë”.
“Derisa të bëhet ligj i ri, vlen ligji i vjetër, pra duhet të rritet paga minimale në Kosovë e krahas saj edhe beneficioni i veteranit që lidhet me të.Ligj i ri për vlerësim e verifikim, përveç dosjeve që janë në prokurori e nuk ka se si bëhet, është edhe ndërhyrje në procesin gjyqësor.Por, pasi ta shqyrtojmë, gjithsesi do t’i kthejmë përgjigje me shkrim”.