Për këtë temë në një përgjigje për TV Arbëria, ka folur Faton Klinaku, kryetari i OVL-së UÇK-së, ai ka thënë kanë kërkuar vazhdimisht krijimin e një mekanizmi mbikëqyrës për Dhomat e Specializuara, që lidhet me shkeljet që sipas Klinakut po iu bëhen krerëve të UÇK-së në Hagë.
Ai tutje ka thënë se për shkeljet në Hagë është në dijeni edhe Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
“Ne si OVL UÇK kemi kërkuar vazhdimisht nga institucionet e Kosovës që ta krijojnë një mekanizëm mbikqyrës për Dhomat e Specializuara, sepse i kemi parë shkeljet e vazhdueshme që po u bëhen bashkëluftëtarëve të paraburgosur në Hagë, por asnjëherë nuk është bërë asgjë në këtë drejtim. Se çfarë shkeljesh u janë bërë e iu bëhen atyre, është shumë mirë e njoftuar Ministrja e Drejtësisë znj. Albulena Haxhiu, sepse edhe vet ka qenë në vizitë në Dhomat e Specializuara në Hagë, por edhe ka pasur disa herë takime me kryetaren e DHSK-së znj. Ekaterina Trendafilova”, ka thënë Faton Klinaku për TV Arbëria.
Klinaku thotë se për këto shkeljet ka folur edhe Nasim Haradinaj, ish i burgosuri nga Gjykata Speciale, dhe sipas tij pas këtyre deklaratave reagoi edhe ministrja Haxhiu.
“Fakti që doli edhe ish-nënkryetari Nasim Haradinaj në media, dhe tregoj për shkeljet e rënda që u janë bërë e iu bëhen të paraburgosurve në Hagë, e bëri që të reagoj Ministrja Haxhiu. Ajo paska thënë tash se vendi ynë duhet ta krijojë një mekanizëm mbikqyrës ndërkombëtar apo vendor për Dhomat e Specializuara, veçanërisht në aspektin e të drejtave të personave të akuzuar, pra ka thënë duhet e që është dëshirore, sepse nuk e ka thënë se vendi ynë do ta krijojë atë mekanizëm mbikqyrës”, ka thënë Klinaku.
Kryetari i OVL UÇK-së, shton se Ministria e Drejtësisë, duhet të marrë hapa konkret në këtë drejtim.
“Ministrja Haxhiu, duhet të marrë hapa më konkret për mbrojtjen e të akuzuarve, duke përfshirë rritjen e financimeve për avokatët mbrojtës. Ndërsa, sa i përket transparencës, qasja në dokumentet zyrtare garantohet nga legjislacioni i Kosovës, prandaj duhet të sigurohet që kjo të realizohet pa e dëmtuar mbrojtjen ligjore të të akuzuarve”, ka thënë Klinaku.