Faton Peci: Vota ime ishte kundër shkarkimit të Vjosa Osmanit
Faton Peci, zyrtar i LDK-së, ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit në këtë parti, konkretisht shkarkimit të Vjosa Osmanit nga pozitat udhëheqëse në LDK.
Ai ka theksuar se forca kohezive që e mbajti gjallë LDK-në si partinë e parë anti komuniste ishte presidenti Ibrahim Rugova, i cili, sipas tij, kultivoi me devotshmëri frymën e tolerancës dhe respektimit të mendimit ndryshe.
“Paradoksalisht, sot ideja e presidentit Rugova po dhunohet nga ide totalitare që i trishtohen mendimit ndryshe. Kjo tendencë mund ta përfundojë projektin e quajtur LDK dhe kauzën, Liri, Pavarësi, Demokraci. Është në ndërgjegjen e secilit anëtar të LDK-së dhe secilit të përfshirë në struktura drejtuese të vendos se çfarë do të jetë LDK-ja nesër! Një LDK, timoniere dhe bartëse e procesit të konsolidimit të shtetit, apo subjekt që përfundimisht shkëputet nga tradita politike e saj! LDK-ja ka kuptim vetëm si prijetare e demokracisë dhe mendimit ndryshe”, ka shkruar Peci në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai ka shtuar se: “Pa këtë atribut, LDK-ja mund të mbetet vetëm e lidhur nyjë dhe në funksion të një grupi të ngushtë, të cilët çdo ditë e më tepër po përfshihen në tendencën e delëdëkizimit! Sot ka nevojë të mbrohet demokracia, të mbrohet LDK-ja dhe të mbrohet konsistenca politike! Sot duhet të mbrohet Kosova, sepse ajo është LDK-ja”.
Ai ka bërë me dije se si anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së ka votuar kundër shkarkimit të Vjosa Osmanit.
“Jam kundër diferencimit dhe në mbrojtje të frymës së Rugovës!”, ka deklaruar ai.
(M.Q / Epoka e re)