Faton T. Hoxha boton monografinë për helikobakterin te kolecistiti kalkuloz
Prof. ass. dr. Faton T. Hoxha ka botuar monografinë “Prevalenca e helikobakterit te kolecistiti kalkuloz”. Ky studim ofron lidhshmërinë në mes të shkaktarëve të mundshëm të gurëve në fshikëz të tëmthit dhe helikobakterit dhe përbën një vlerë kërkimore-shkencore në këtë fushë.
Shëndeti është vlera më e rëndësishme për individin dhe për shoqërinë. Një ndër sëmundjet që e dëmtojnë shëndetin e njeriut si dhe e ngarkojnë buxhetin e shoqërisë të tërë botës janë sëmundjet e fshikëzës së tëmthit me gurë.
Pezmatimet e fshikëzës së tëmthit dhe paraqitja e gurëve në fshikëz të tëm-thit është një problem shumë i shpeshtë në mbarë botën, pa marrë parasysh regjionin, moshën, gjininë, përkatësinë racore, fetare, profesionin dhe një nga sëmundjet më të shpeshta që kërkon trajtim kirurgjik.
Gurët e tëmthit janë një entitet i lashtë, që kanë ndodhur më shumë se 3 500 vjet më parë sipas autopsive të kryera në mumiet egjiptiane dhe kineze. Sëmundja e fshikëzës së tëmthit sot është një problem i zakonshëm: 20 deri në 25 milionë amerikanë mbajnë gurë në tëmth, që përfaqësojnë 10 % deri në 15 % të popullsisë së rritur. Ai përbën një barrë të madhe shëndetësore, me kosto direkte plus indirekte prej përafërsisht 6.2 miliardë dollarë në vit në Shtetet e Bashkuara.
Kjo barrë është rritur më shumë se 20 % që nga vitet 1980 dhe llogaritet për 1.8 milion vizita të kujdesit ambulator. Sëmundja e gurëve të tëmthit tani është shkaku kryesor i shtrimit në spital për probleme gastrointestinale çdo vit në Shtetet e Bashkuara.
Gjatë qasjes së këtij entiteti është hulumtuar prania e helikobakterit me llojet e tij në bilë dhe në murin e fshikëzës së tëmthit, si dhe lidhshmëria e mundshme e shkaktarit të gurëve në fshikëz të tëmthit dhe helikobakterit.