Faturat e dhjetorit, Kurti në fushatë: Tepër shtrenjtë kur rrimë mbi gjithë këtë energji që kemi (video)
Qytetarët e Kosovës janë tronditur këtë fundvit nga çmimi i lartë i faturave të energjisë elektrike që të paktën është dyfishuar të shumica e qytetarëve. Megjithatë, nga Qeveria e Kosovës askush s’ka bërë zë.
Megjithatë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sa kishte qenë në fushatë zgjedhore kishte premtuar uljen e çmimit të rrymës pasi sipas tij ishte shumë shtrenjtë me gjithë kapacitetin e qymyrit që ka Kosova.
E përveç se rryma është shtrenjtuar shumë në qeverisjen e tij, qytetarët janë përballur me fatura tejet të larta këtë muaj, pa asnjë paralajmërim.
Çështja e çmimit të rrymës duket se e shqetësonte Kurtin si opozitar. Ai përveç se kishte premtuar uljen e çmimit, ishte kritik i ashpër i mosshfrytëzimit të aseteve që posedon Kosova.
Kur ishte pyetur se sa do ta ulë çmimin e rrymës ai kishte thënë se nuk mund ta kuantifikonte, por kishte deklaruar se ishte “tepër shtrenjtë kur rrimë mbi tërë këtë energji që kemi. Shumë kemi kapacitet (qymyr)”.
Qytetarët e Kosovës janë tronditur këtë fund-vit nga faturat super të larta të energjisë elektrike.
Megjithatë, KESCO ka dalë me një sqarim. KESCO njofton konsumatorët dhe opinionin publik që nuk ka pasur rritje të tarifave fundore. Tarifat e energjisë elektrike janë rishikuar dhe rritur afërsisht 15 për qind krahasuar me tarifat 2022-2023, me vendim të ZRrE-së, më 1 prill 2023.
Rritja e vlerës se faturave në ketë muaj dimri është rezultat i rritjes së konsumit të energjisë elektrike, veçanërisht te konsumatorët që e përdorin energjinë elektrikë për ngrohje. Konsumimi i energjisë elektrike në vlerë më shumë se 800 kWh në muaj faturohet me tarifë më të lartë, ashtu siç paraqiten në çdo faturë te konsumatorëve, raporton “Paparaci”
Efekti tjetër i rritjes së vlerës së faturës është që vitin e kaluar në të njëjtën periudhë, Qeveria e Kosovës ka subvencionuar konsumatorët që kanë kursyer energji elektrike. Disa konsumatorë po marrin fatura më të larta sepse po përdorin masivisht energjinë elektrike për ngrohje.
KESCO është e përkushtuar në vazhdimësi që të bëjë thirrje për kursim dhe shfrytëzim efikas të energjisë elektrike, duke ndarë këshilla praktike për secilën kategori të konsumatorëve, pikërisht për të mbrojtur konsumatorin dhe sistemin elektrik nga këto ngarkesa.
ZRRE ka ndërtuar një strukturë tarifore të ndarë në blloqe shpenzuese. Kështu, nëse ju si konsumator familjar konsumoni deri në 800 kWh, atëherë i nënshtroheni vetëm dy blloqeve, ditën dhe natën, të cilat në dimër fillojnë nga ora 22:00 deri në orën 7:00.
Gjatë ditës çmimi është 7.79 cent për kWh, ndërsa natën rreth 57 për qind më i lirë, pasi llogaritet me 3.34 cent për kWh.
Megjithatë, çmimet ndryshojnë për konsum mbi 800 kWh. Nëse një konsumator konsumon 1600 kWh, atëherë pjesa deri në 800 kWh llogaritet me çmimet e lartpërmendura. Ndërsa pjesa e mësipërme llogaritet me 2 tarifa të tjera: ajo e larta gjatë ditës që shkon në 14.45 cent për kWh ose 85.5 për qind më shtrenjtë, dhe ajo e natës 6.81 cent për kWh ose gati 104 për qind më e shtrenjtë se shpenzimi nën 800 kWh.
Të gjitha këto çmime janë të shënuara në çdo faturë për konsumatorët.
Përveç faturës fizike, të gjitha të dhënat për kilovatët e shpenzuar gjenden edhe në aplikacionin eKESCO, bazuar në matësin dhe shpenzimet e çdo konsumatori. Po ashtu, në web faqen e KESCO-s mund ta gjeni edhe kalkulatorin për kalkulim të shpenzimeve: https://www.kesco-energy.com/kalkulatori.html.