
Faturat e mbeturinave, Retkoceri i PDK-së akuzon Komunën e Prishtinës për kërcënimin e qytetarëve dhe veprime të kundërligjshme
Shefi i asamblistëve të PDK-së në Prishtinë, Leutrim Retkoceri, ka akuzuar Komunën e Prishtinës se është duke ua dërguar në mënyrë të kundërligjshme faturat e mbeturinave.
Ai ka thënë se qytetarët rrezikohen të paguajnë faturat e një mashtrimi, qasje kjo që po e vendos qytetarin në një pozitë të padrejtë.
“Zarfa me kërcënime për përmbarim po u dërgohen qytetarëve në mënyrë të paligjshme nga Komuna dhe DShP, në kundërshtim të plotë me Rregulloren për Menaxhimin e Mbeturinave, që qartëson se pagesa duhet të bëhet nga ndërmarrja ‘Pastrimi’. Përmes kësaj skeme të kundërligjshme Rama e Brestovci po u kërkojnë qytetarëve para që s’iu takojnë, për të shpërblyer kompanitë me të cilat kanë bërë pazare. Qytetarët rrezikohen të paguajnë faturat e një mashtrimi, qasje kjo që po e vendos qytetarin në një pozitë të padrejtë. Komuna të respektojë Rregulloren në fuqi, të sqarojë menjëherë qytetarët me transparencë dhe përgjegjësi, dhe të ndalë praktikat që dëmtojnë besimin publik dhe rendin institucional”, ka shkruar Retkoceri në “Facebook”.