Fauci: SHBA rrezikon të përballet me nga 100 mijë raste në ditë nga Covid-19
Eksperti më i lartë amerikan për sëmundjet infektive, Anthony Fauci, u shpreh i shqetësuar lidhur me rritjen së fundmi të rasteve të reja me coronavirus, veçanërisht në shtetet në jug të vendit.
Gjatë një takimi të organizuar në formën e një telekonference nga Dhoma amerikane e Tregtisë, Fauci tha se situata paraqitet e vështirë.
Ai tha se ka ardhur koha “që të shohim atë që po ndodh dhe nëse mund t’i intensifikojmë masat me qëllim frenimin e coronavirusit”, njofton VoA.
Fauci paralajmëroi se Shtetet e Bashkuara së shpejti mund të përballen me “100 mijë infeksione në ditë nëse nuk përqafojnë më agresivitet masat e distancimit social, vendosjen e maskave dhe masa të tjera”.
Të premten SHBA raportoi rreth 77 mijë raste të reja nga coronavirusi, rekord global për sa i përket shifrave ditore.
Fauci tha se vendosja e maskave është tejet e rëndësishme për rihapjen sërish të vendit dhe se “të gjithë” sikurse tha ai “duhet t’i vendosin ato”.